GJND nuk jep afat për çështjen e pavarësisë
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka deklaruar se nuk ka vendosur afate ligjore për dhënien e mendimit për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Ajo tha se nuk do të ketë asnjë shtyrje, por nuk e përcaktoi se kur do të mund të jepet një mendim për Kosovën.
Deklarimet pasuan njoftimet nga Beogradi se do të ketë shtyrje të afatit ligjor deri në fund të këtij viti, ndërkohë që Prishtina zyrtare tha se muaji korrik mund të jetë më i afërti për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Zyrtarë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë i thanë BBC-së se nuk ka patur asnjë afat të përcaktuar ligjor për ofrimin e një vendimi për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Ata thanë se gjykatësit do të vendosin vetë për afatin pasi të kenë përfunduar procesin e vlerësimit të dëshmive të ofruara nga palët.
Zyrtarët thanë se Gjykata nuk do ta përshpejtojë procesin e vlerësimit të rastit të Kosovës dhe do të shfrytëzojë gjithë hapësirën e ofruar për dhënien e mendimit.
Deklarimet pasuan shqetësimin e ministrit të jashtëm serb, Vuk Jeremiç, për mundësinë e shtyrjes së afatit ligjor të vlerësimit të ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës deri në nëntor të këtij viti.
Por ndërkohë drejtues të Ministrisë së Jashtme të Kosovës thonë se nuk ka shtyrje të afatit ligjor dhe se presin që Gjykata të ofrojë një mendim këshilldhënës deri nga fillimi i muajit korrik.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë u autorizua të jap një mendim këshilldhënës nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pasi kjo e fundit miratoi një Rezolutë të Serbisë në tetor të vitit 2008.
Të dyja palët u obliguan që të ofrojnë dëshmitë e tyre deri nga mesi i vitit të kaluar ndërkohë që në nëntor të vitit 2009 u zhvilluan seancat dëgjimore në Gjykatën e Hagës, në të cilat argumentet e tyre i paraqitën përveç Serbisë dhe Kosovës edhe afro 30 vende të tjera në mbështetje ose kundërshtim të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Janë 65 vende që brenda dy viteve e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ndërkohë që autoritetet në Prishtinë thonë se presin që pas shpalljes së vendimit të shtohet ky numër.
Mendimi këshilldhënës i Gjykatës së Hagës thuhet se nuk do të jetë obligativ për asnjërën palë dhe ekspertët kanë deklaruar se ai mund të jetë i paanshëm duke mos e mbështetur asnjërën palë.