GNK: Beogradi të mos bllokojë njohjen e Kosovës
Mediat serbe njoftuan dje se Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka lavdëruar Serbinë për miratimin e Rezolutës për Srebrenicën, me të cilën dënohen krimet serbe atje, pavarësisht se nuk përmendet në mënyrë eksplicite “fjala gjenocid”. Drejtoresha e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Sabine Freizer, citohet nga B92 të ketë thënë se “bashkëpunimi rajonal është i pamundur pa pjesëmarrjen e Serbisë”, por ajo ka porositur të gjendet mënyra që në forume të marrin pjesë Serbia e Kosova. Rezoluta për Srebrenicën është një hap shumë i rëndësishëm jo vetëm për Serbinë, por edhe për bashkëpunimin e ardhshëm rajonal, ka vlerësuar drejtoresha e GNK-së. “Duhet të gjejmë mënyrën që në të ardhmen rreth së njëjtës tryezë në forumet rajonale të kemi edhe përfaqësuesit e Serbisë, edhe përfaqësuesit e Kosovës. Spanja në qershor do të organizojë në Sarajevë një Samit të Bashkimit Europian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe është me shumë rëndësi që Serbia të jetë e pranishme në atë samit”, konsideron ajo. “Nëse nuk bëhet kështu, pasojat bien mbi Serbinë, meqë Serbia do të duhej të jetë lidere në rajon, por nëse mungon në forumet rajonale, do të luhatet pozicioni i saj prej lideri”, citojnë mediat serbe Freizeren. Ajo ka ripërsëritur se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është kusht për integrimet europiane të Serbisë dhe nga kjo arsye do të ishte mirë që Serbia të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe të mos bllokojë përparimin e mëtejshëm të Kosovës.
#