E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karta e Bolonjës mbyllet në Durrës

Takimi Konferencat e mbajtura në universitetet publike për këtë qëllim kanë konkluduar në qytetin bregdetar

është mbyllur në Durrës cikli i konferencave akademike me drejtues të lartë të universiteteve publike dhe jopublike në vend për Kartën e Bolonjës dhe zbatimin e saj në Shqipëri. Pjesëmarrësit, mes të cilëve edhe ekspertë të huaj në fushën e arsimit të lartë, u ndalën në analizën e situatës aktuale dhe në rekomandimet përkatëse për nevojat që ka në drejtim të përmirësimit të procesit të Kartës së Bolonjës. Zv.ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Nora Malaj, duke vlerësuar rolin e konferencës në dhënien e mendimeve kritike dhe rekomandimeve konkrete, tha se ndryshime shumë të rëndësishme priten në amendimin e ligjit për arsimin e lartë, si dhe kurrikulat. Riformatimi i programeve, autonomia universitare dhe kualifikimi i stafeve akademike, duke vënë në qendër të tyre studentin, janë disa nga sfidat me të cilat duhet të përballen të gjithë aktorët e sistemit arsimor akademik. Vendosja e studentit në qendër të të nxënit, studiuarit është theksuar nga ekspertët e DAAD-së dhe referentët vendas akademikë, duke ndryshuar kurs nga sistemi i deritanishëm që në qendër kishte dhe ende ka pedagogun. Nevojat për punësim dhe përballja e një numri të madh studentësh me një treg që gjithnjë e më pak e pranon si me vlerë diplomën 3-vjeçare universitare kanë diktuar një pjesë të debateve, bazuar dhe në reagimet e studentëve për diplomat e sistemit 3-vjeçar. Konferenca u mbyll nga rektori i UAMD-së, Agim Kukeli, i cili deklaroi dhe nismën e ndërmarrë nga Universiteti i Durrësit për ngritjen e një trupe teatrore studentore, e cila është produkt i përpjekjeve konkrete për veprimtari ekstra-kurrikulare, duke e pasuruar ambientin universitar me një profil të ri të karakterit artistik dhe argëtues, gjë që e afron edhe më shumë universitetin “Aleksandër Moisiu” me eksperiencat e universiteteve perëndimore. Trupa teatrore studentore e universitetit “Aleksandër Moisiu” do të udhëtojë me dramën “Shtëpi kukulle” të autorit Henrik Ibsen, e cila vihet në skenë në gjuhën gjermane dhe shqipe në Durrës, Tiranë, Peshkopi, Pogradec dhe Elbasan në periudhën shtator-tetor të këtij viti. Ky projekt ka gjetur mbështetjen e ambasadës austriake në Tiranë. Për përzgjedhjen e studentëve më të talentuar dhe trajnimin e tyre, në Durrës ishte këtë fundjavë prof. Simon Schlingplaesser, profesor i Akademisë së Arteve “Mozarteum” të Salzburgut. Në ceremoninë e promovimit të kësaj trupe morën pjesë konsulli i ambasadës austriake Martin Kraemer, përfaqësues të institucioneve akademike gjermane në Shqipëri, lektorë të universitetit e studentë, si dhe përfaqësues të mediave.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›