Tiranë, vritet një person dhe plagoset një tjetër
Një tjetër vrasje ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur pas një atentati, ku ka mbetur i vdekur një 29-vjeçar, i cili mendohet se është menaxheri i një pabi dhe është plagosur një person tjetër, që shoqëronte viktimën, dixhei i lokalit. Sipas të dhënave të para policore, viktima është Elton Lulo, 29 vjeç, i cili është qëlluar me armë zjarri, teksa ishte me një mikun e tij në një lokal. Pikërisht pranë sheshit “Willson”, ata ishin në ambientet e një lokali, kur rreth orës 22:30, një person me pistoletë në dorë ka qëlluar ndaj tyre shtatë herë. Nga të shtënat ka mbetur i vdekur në vend Elton Lulo, 29 vjeç, banues te njësia nr. 5, ndërkohë që është plagosur rëndë Bledar Cara, 20 vjeç. I plagosuri është dërguar menjëherë për në spital, ndërkohë që autori është larguar nga vendi i ngjarjes, duke marrë me vete edhe armën e krimit, që mendohet të jetë një pistoletë tip “TT”. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë që kanë rrethuar zonën dhe kanë bërë shoqërimin e disa personave. Nga ana tjetër, një grup hetimor ka shkuar në spitalin ushtarak, për të marrë në pyetje të dëmtuarin tjetër, me qëllim për dokumentimin sa më të shpejtë të ngjarjes së rëndë kriminale. Policia tha se nga hetimet e para ende nuk dihet autori i këtij krimi, por po punohet për identifikimin dhe kapjen e tij. Gjatë orëve të vona të natës, janë shoqëruar disa persona, ndërkohë që çështja për ndiqet në disa pista hetimore. Sipas të dhënave nga mjekësia ligjore, Lulo ka marrë pesë plumba, që i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që Cara ka marrë dy plumba të tjerë. Në ato momente, edhe të pranishmit e tjerë në lokal janë tmerruar nga krismat, ku një pjesë e tyre janë shoqëruar në polici për të dhënë deklarime në lidhje me rrethanat e ndodhjes së këtij krimi. Vetëm pak ditë më parë, pranë shkollës “Vasil Shanto”, ndodhi një tjetër vrasje, ku një person me precedentë penalë, u qëllua tre herë me armë zjarri, duke mbetur i vdekur në vend.
#