E Shtunë, 31 Tetor 2026

GREVA E URISE DHE NAZIZMI ELEKTORAL

Puna nuk do të kish arritur deri në grevën e urisë së 11 deputetëve në rast se "reforma zgjedhore" nuk do të ishte dominuar nga monopoli dhe fryma përjashtuese e dy partive të mëdha, PS-PD. Zhvillimi është tragjik, por grevistët e urisë nuk kishin rrugë tjetër. Akti i tyre është ekstrem (ndonëse demokratik), sepse ekstreme është edhe arroganca, dhuna "e qetë" e dy të mëdhenjve që po udhëheqin një "reformë" që synon t‘ua bëjë "të vegjëlve" konkurrimin shumë të vështirë, duke i çuar deri në shfarosje të plotë. Ndaj, "të vegjlit" detyrohen t‘i hyjnë një greve urie që ngjall zhurmë, sepse dy të mëdhenjtë po tentojnë t‘i vrasin pa zhurmë. "Reforma" nuk është asgjë më shumë, por silenciatori në tytën e këtij nazizmi elektoral, që dënon me vdekje partitë e vogla. Sepse, çfarë dallimi thelbësor ka nga akti i Hitlerit që pas ardhjes në pushtet nxori jashtë ligjit "me ligj" ca parti që e pengonin sundimin e tij absolut, dhe dhuna e qetë ramoberishiste që tenton të fuqizojë dominancën duke shfarosur deri në zhdukje të vegjlit me "kod elektoral"? Asnjë. Dhe partitë e vogla mund të kenë mëkate sa të duash, por ky nuk është një argument për asgjësimin e tyre nga dy të mëdhenjtë që kanë mëkate edhe më të mëdha para këtij vendi. Të ecësh me kurthe elektorale drejt zhdukjes së partive të vogla sot, do të thotë t‘i lësh fatet e vendit tërësisht në duart e mëkatarëve të mëdhenj të politikës së vjetër edhe për një kohë shumë të gjatë, sepse do të thotë të vështirësosh në maksimum edhe lindjen e partive të reja dhe të një politike vërtet të re. Por kjo është mesa duket ajo që duan, synojnë dhe po tentojnë në sinkron të plotë Berisha i politikës së vjetër dhe Rama i "politikës së re". Kjo është edhe ajo që në fakt po mbështesin edhe disa perëndimorë me qëndrime "diplomatike" pa gjini, sikundër ishte edhe ai Helmut Lohan, ambasador i KE-së në Tiranë. Kriza, tha Lohan, është çështje mosbesimi! Por kur ka qenë ndonjëherë politika (qoftë edhe në Evropë) çështje besimi?

***

Armiqësia dhe dhuna e më të madhit duket fare hapur në rastin e LSI-së. Dhe kryefajtor për gjithë këtë që po ndodh është Edi Rama dhe ambicia e tij primitive për të sunduar i vetëm në bastionin e majtë, por edhe më gjerë. "Politika e tij e re" po përmbytet pa shpresë shërimi nga psikologjia e egër e tiranisë së shumicës, njësoj si politika e vjetër e Berishës. Jo rastësisht janë bashkë kundër "të vegjëlve". Të marrim rastin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Ndërsa e bëjnë thuajse të pamundur për LSI dhe të tjera parti, Rama sanksionon përfaqësimin me dy vetë të PS dhe PD në këtë komision. Përse? Ne jemi partitë më të mëdha- thonë. Po pastaj? Si parti më të mëdha, PS dhe PD gëzojnë shumicën në Kuvend. Përse duhet të jenë në mazhorancë edhe në komisione zgjedhore, që të diktojnë vullnetin e shumicës edhe atje? Në kundërshtim me këtë praktikë alla shqiptarçe, demokracitë liberale janë kujdesur që shumicat parlamentare të mos jenë kudo në shumicë. Dhe pikërisht kjo e ka bërë të mundur mbijetesën afatgjatë të këtyre demokracive. Madje në SHBA kanë pasur kujdes që shumica të mos jetë plotësisht shumicë as edhe në Parlament. Prandaj, si balancë ndaj tiranisë së shumicës që mund të asgjësonte demokracinë (pra, për mungesë besimi ndaj shumicave) e kanë ndarë Parlamentin në dy dhoma, në Kongres dhe në Senat. Kongresi pasqyron votat e shumicës, po Senati jo. Senati amerikan është në këtë pikëpamje "antidemokratik", por kjo (sikundër theksojnë edhe Barak Obama dhe Fareed Zakaria) e ka shpëtuar demokracinë. Ndaj tendenca e partive më të mëdha, PS-PD, për të qenë në shumicë edhe në KQZ, është absurde. Mjafton që ato të kishin nga një përfaqësues që do të krijonte hapësirë për të tjerët dhe do të zgjidhte krizën. Por kriza nuk zgjidhet sepse ndërsa kërkesa e të vegjëlve është mjaft e vogël, intoleranca e të mëdhenjve është jashtëzakonisht e madhe. Dhe e paarsyeshme. Sepse në mbikëqyrjen e një procesi zgjedhor, interesat i mbron e drejta dhe jo shumica. Madje të qenit në shumicë është premisë manipulimi ngaqë rezultati mund të mos e nxjerrë një parti "të madhe" në shumicë. Dhe ajo mund ta përdorë shumicën për të fabrikuar "shumicën". Fakti që PS-ja dhe PD-ja kanë sanksionuar në Kod Zgjedhor nga dy përfaqësues për veten e tyre, është një konflikt i rrezikshëm interesi krejtësisht i papërligjur. Zullumi shtohet kur edhe ambasadori i KE-së në Tiranë, Lohan, del dhe deklaron se kriza politike që kulmoi me grevën e urisë është çështje mosbesimi mes partive politike shqiptare. Kjo deklaratë është tërësisht një gjepur, një gafë "diplomatike". Askund në vendet demokratike politika nuk është çështje "besimi". Vetëm në totalitarizëm politika ngrihet mbi "besimin" (ana e prapme e medaljes së "besimit" është frika) te superlideri apo një parti. Në demokracitë liberale është pikërisht për shkak të mungesës së besimit që askujt nuk i lihen të gjitha pushtetet në të njëjtën dorë, që kanë lindur parimet dhe praktikat e ndarjes dhe balancës mes pushteteve, sepse sikundër thoshte Medisoni, në shtet gjërat duhet të rregullohen në mënyrë të tillë që egoizmi të korrektojë egoizmin. Me të tilla qëndrime këta diplomatë "që nuk ndërhyjnë" po mbështesin një zgjidhje autoritariste në Shqipëri. Përse? Është padije teorike mbi demokracinë apo "besim" te Rama e Berisha? Sido që të jetë, është e gabuar. Në demokraci besimi lind nga institucionet.

***

Ndërkaq, lidershipi i Edi Ramës shfaqet jo konsekuent në qëndrimet e tij. Në verën e vitit 2006 ishte ky lidership që e mbrojti me thonj e me dhëmbë kërkesën e LSI për të pasur një anëtar në KQZ. Në atë kohë qe PD-ja që ia rrëmbeu me anë të shumicës së kartonëve LSI të drejtën e një anëtari në KQZ. Nga ana e saj, PS duke dashur të ruajë "detantën" me PD në këtë institucion, nuk donte të sakrifikonte një përfaqësues të saj për LSI, ndonëse ishin pjesë e një opozite të bashkuar. Sot është PS-ja që i thotë LSI (me zërin e Gjinushit) se mjafton që në KQZ të jetë e përfaqësuar opozita. Kjo do të thotë që LSI të pranojë që interesat e saj në KQZ të mbrohen nga PS-ja, që Rama të mbrojë interesat apo votat e Metës. A nuk do të qe ky besim si t‘i varësh ujkut mëlçitë? Qëndrimi i Ramës sot është qartazi jo parimor, sepse ndërsa në 2006-ën toleroi të shkelej edhe Kushtetuta që LSI të rifitonte të drejtën e grabitur për një përfaqësues në KQZ, sot, kur nuk ka pengesë as Kushtetutën, po bën të gjitha përpjekjet që LSI të mos ketë asnjë përfaqësues në KQZ. Shikojmë se me kalimin e kohës Rama ka ardhur në pozicionin e Berishës për këtë çështje. Ashtu si në vitin 2006, LSI po kërkon të ketë një përfaqësues në KQZ, por përballë nuk ka vetëm Berishën. Ka edhe Ramën. Madje më shumë ka Ramën. Dhe po ai Ramë, që në 2006-ën i doli në krah LSI, sepse kishte nevojë për aleancën e Metës në zgjedhjet lokale që po afronin, sot i del kundra LSI për të njëjtin problem, sepse nuk ka nevojë për të (të paktën kështu i duket Ramës), madje e sheh si një rival brenda së majtës në zgjedhjet parlamentare që ofrojnë. Sot Rama duhet të përgjigjet se kur gabon, në 2006-ën apo sot? Në qëndrimin e Edi Ramës nuk ka asnjë gjë parimore. Dhe ka jo vetëm llogari cinike, kthim shpine "mikut", por mbi të gjitha një këmbëngulje tiranike për t‘ju imponuar të vegjëlve vullnetin arrogant dhe të panegociueshëm të shumicës. Edhe vetë Berisha ia hedh topin dinakërisht Ramës kur shprehet se mund të negociojë vetë me PS. Një qëndrim ky mjaft dinak, por aspak "gjithëpërfshirës" sikundër e kërkon loja demokratike. Gjë që nuk habit. Nga autoritaristi Berisha nuk mund të pritet të dalë jashtë Berishës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›