Ministria ngec te rojet
Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Medias është diskutuar për projektbuxhetin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për vitin 2009. Zëvendësministri i Kulturës, Ekrem Spahia, dhe drejtoresha e zyrës së buxhetit, Edmonda Shkiezi, kanë argumentuar hartimin e këtij projektbuxheti dhe ndarjen e tij në zëra të veçantë sipas prioriteteve që ministria ka parashikuar për këtë vit. Ndonëse më parë ishte deklaruar për një rritje të buxhetit, në krahasim me vitin 2008, realisht ka një ulje prej 10 përqindësh ose 246 milionë lekë më pak. Kjo shifër vjen prej uljes në zërin e investime në masën 34 për qind, të cilin përfaqësuesit e ministrisë e kanë justifikuar me disa projekte që kanë nisur që prej vitit të shkuar dhe janë në vazhdim. Por ndryshe nga sa pritej, më shumë se sa për trashëgiminë kulturore apo edhe për turizmin, një nga qëllimet e shpallura të MTKRS-së, diskutimi i projektbuxhetit është ndalur në rojet e objekteve të trashëgimisë kulturore. Ministria ka vendosur të reagojë ndaj deklaratave të vazhdueshme që kanë ardhur nga drejtues të parqeve arkeologjike, muzeve apo edhe nga specialistë të monumenteve, në rastet e vjedhjeve të objekteve me vlerë. Përfaqësuesit e ministrisë e kanë argumentuar nevojën e shtimit të tyre me rritjen e numrit të turistëve. Parimisht është rënë dakord për shtimin e tyre, por "problemi madhor" është bërë pagesa. Ligjërisht thuhet se objektet kulturore do të ruhen me roje private, por zonja Shkiezi është shprehur se shpenzimet për pagesën e tyre nuk mund të përfshihen si zë në buxhetin e vitit 2009, pasi kanë kosto të lartë. Për këtë arsye, u propozua që t‘i bëhet kërkesë Parlamentit për miratimin e një fondi të posaçëm shtesë për rojet. Në fakt, problemi i rojeve, që një ministër i heq dhe një tjetër i emëron, duket të jetë pjesë e gjithë problemit të perceptimit për menaxhimin e trashëgimisë kulturore. Por duke parë më larg se trashëgimia, ky projektbuxhet lidhet me të gjitha institucionet e artit në varësi të MTKRS-së. Me ato institucione që gjatë vitit që po lëmë pas, patën ngërçe të mëdha, deri në kufijtë e një krize për sa i përket produktit artistik që ofrojnë. Situata është e prekshme edhe këto kohë, teksa jemi në prag të mbylljes së një viti. Por pavarësisht kësaj, në argumentimin e projektbuxhetit, ministri Pango shkruan se "Shpenzimet korrente për projekte specifike kulturore dhe projekte në fushën e sportit (fondi grant), janë parashikuar që të garantojnë realizimet e objektivave dhe kryerjen e një sërë aktivitetesh kombëtare në fushën e artit, kulturës, trashëgimisë kulturore, turizmit, sportit e rinisë, të cilat do të kenë angazhimin e subjekteve të fushave të përmendura më lart për rritjen e nivelit të përfaqësimit në aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare". Nëse do të ndalemi edhe një herë në investimet për zërat e veçantë, në total ato kapin shifrën e 668 milionë lekëve. Nga këto, në programin e "Planifikim Menaxhim", nga 6.3 milionë lekë që ishte fondi i propozuar, i parashikuar për blerje automjeti, Ministria e Financave e ka zbritur në 4.5 milionë. Në programin "Arti dhe Kultura" janë parashikuar rikonstruksioni i një sërë godinash të institucioneve artistike, përfshirë këtu Teatrin Kombëtar, Teatrin e Operës, Galerinë e Arteve dhe Qendrën Kombëtare të Fëmijëve. Në programin e trashëgimisë kulturore, fondet në investime janë ulur me 123.1 milionë lekë. Sipas ministrisë, kjo ulje vjen jo për monumentet e kulturës, por për faktin se në buxhetin e vitit 2008, u planifikuan fonde për restaurimin e objekteve të kultit në masën e 150 milionë lekëve. Ndërkohë që theksohet se investimet do të përdoren kryesisht për restaurime në Gjirokastër e Berat, si dhe për blerjen e pajisjeve logjistike për institucionin e ri të Agjencisë së Shërbimeve Arkeologjike. Ndërkohë që ulje nga 38.9 milionë në 20 milionë lekë ka edhe në investimet për zhvillimin e turizmit. Në përfundim të kësaj pasqyre, ministri Pango thekson se "shprehim bindjen se buxheti 2009 siguron një perspektivë të mirë zhvillimi dhe mundësinë për të përcaktuar politikat dhe prioritetet e financimit, para së gjithash në fushën e turizmit, trashëgimisë kulturore, artit, rinisë dhe sportit". Pas diskutimit, projektbuxheti pritet të kalojë për miratim në Parlament.