Xhim Belushi, gosti me lakror në shtëpi
"Këtu ka qenë shtëpia e babait"... Kështu i ka thënë Xhim Belushi vëllait të tij Bill, i cili e ka shoqëruar në vizitën që aktori ka bërë në Qytezë, fshatin e origjinës. Aktori hollivudian me gjak shqiptari, Xhim Belushi, është rikthyer në Qytezë për veten, për amanetin e babait dhe për banorët e fshatit të cilëve u bëri një premtim 13 vjet më parë. Do të rikthehej! Dhe e mbajti fjalën. Ka shkelur sërish tokën e babait të tij, duke plotësuar edhe amanetin që i ka lënë për t‘u kujdesur për fshatin, sepse aty mori fill një shekull më parë historia e arratisë drejt Shteteve të Bashkuara të familjes Belushi. "Jam i gëzuar që jam në shtëpi", ka thënë Xhim Belushi në gjuhën shqipe, fjalë që kanë emocionuar qytezarët, të cilët, për të dytën herë, festojnë rikthimin e Belushëve në fshatin e tyre. Ai e ka mbajtur premtimin e tij për t‘u rikthyer në fshatin e origjinës dhe ardhja e një aktori të madh mes fshatit të largët që ka ndier braktisjen dhe largimin drejt emigracionit, për banorët është një shenjë e mirë. Ata mblidhen për festa dhe kjo ditë për Qytezën shënohet si një ngjarje historike. Çastet e para kanë qenë ato kur vetë aktori ka fiksuar peizazhin nga lart të fshatit karakteristik, duke i shpjeguar të vëllait ndërtimet dhe rrugicat e ngushta, me gishtin drejtuar nga shtëpia e dikurshme nën kodër, atje ku kishte pirë ujë nga burimi. Me shtëpitë prej guri që ende mirëmbahen pavarësisht nga braktisja e zonës, si një kujtim çdo lëvizje është fiksuar në aparatin fotografik. Edhe pse të larguar nga fshati, shumë banorë janë rikthyer së bashku me Belushin në këtë ditë feste. "Jam i gëzuar që ndodhem në shtëpi. Është e bukur t‘ju takoj sërish. Kjo e ngroh zemrën time dhe ndihem krenar me të gjithë ju. Ndihem i lumtur nga dekorimi i Presidentit të Republikës dhe që këtë gëzim timin po e ndaj me ju, me të gjithë njerëzit këtu. E kam ruajtur gjithandej shpirtin e Qytezës" , ka thënë Belushi. Ai, me humor, ka thënë se origjina dhe gjaku i shqiptarit kanë ndikuar në karakterin e tij dhe në arritjet kinematografike. Mes rrugicave me kalldrëm, ai ka ndaluar tek ura e fshatit, ku babai i tij luante kur ishte fëmijë. Aktori ka kaluar mes rrugicave të ngushta deri tek vendi ku më parë ka qenë shtëpia e të atit, edhe pse tashmë e kthyer në rrënojë. "Këtu ka qenë shtëpia e babait", i ka thënë ai vëllait të tij Bill. Shëtitja e Belushit ka vazhduar në kodër, atje ku nga lart mund të shijosh pamjen e gjithë fshatit dhe ku aktori ka shijuar bashkë me mikpritësit e zonës dhe të afërmit e tij edhe rakinë karakteristike dhe ka folur shqip. Xhim Belushi është ndalur për vizitë edhe në shtëpinë e kushërinjve të tij. Dhimitrula Tahiri, kushërira e tij, ka thënë se jo vetëm familja dhe gjaku i tij janë krenarë për të, por të gjithë qytezarët dhe shqiptarët, të cilët e ndjekin përmes ekranit. Festa e mirëseardhjes në Qytezë ka vijuar me gatimet tradicionale, me lakrorin me dy petë në një festë popullore në natyrë në kodrën e fshatit. Ai është ndarë nga banorët me premtimin se do të rikthehet për të investuar në rimëkëmbjen e shkollës, ngritjen e një muzeu dhe përmirësimin e infrastrukturës.