E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia e zbrazët

Ndërsa konservativët janë duke e shqyrtuar dëmin që i kanë bërë Partisë Republikane, ata po përqendrohen në një pikëpamje ngushëlluese. John McCain humbi në zgjedhje, sipas shumicës nga ta, sepse ai përkrahu pushtimin e Irakut. Ndjekja e dedikuar e kësaj politike nga ana e McCain krijoi stabilitet në Irak, gjë e cila e lejoi elektoratin amerikan që të përqendrohet në çështje të tjera, kryesisht ekonominë. "Asnjë vepër e mirë nuk shpëton e pandëshkuar", shkroi William Kristol në "Weekly Standard". Por a është kjo tamam e vërtetë? Të imagjinojmë se pushtimi nuk ka funksionuar. Imagjinoni se gjatë një viti e gjysmë vdekjet e amerikanëve në Irak janë ngritur në kupë të qiellit, lufta e tmerrshme civile në mes shiitëve dhe sunitëve është thelluar, lëvizja e refugjatëve jashtë Irakut është rritur dhe qeveria në Bagdad ka humbur kontrollin mbi vendin, të cilin tani e kanë bandat dhe militantët. Në këtë rast a do të ishin kthyer amerikanët drejt përkrahësit më pasionant të pushtimit dhe t‘ia jepnin Presidencën? Pasi e shikuan ekonominë gjersa u bë copë e thërrime si pasojë e politikave, të cilat McCain i përkrahu në përgjithësi, ata në të njëjtën mënyrë do të kishin shikuar një luftë, e cila do të ishte zbutur si pasojë e politikave, të cilat McCain i përkrahu me saktësi. Fakti është se po të kishte dështuar pushtimi, McCain do të kishte humbur. Pati sukses dhe ai humbi. Përfundimi logjik është se pushtimi nuk kishte rëndësi për fatin e McCain-it, se kishte arsye më të gjera për humbjen kumbuese republikane. Elektorati ka votuar kundër ideologjisë së tashme republikane mbi politikat e jashtme. Mbani në mend se shkallët e aprovimit ndaj Presidentit Bush patën rënë në nivele historikisht të ulëta kah viti 2005, edhe kur ekonomia dukej se ishte në rrjedhje stabël. Idetë kanë rëndësi, pati shkruar njëherë Richard Weaver, dhe Partia Republikane është bërë parti pa ide, apo e ngecur me ide të gabueshme. Revolucioni Reagan-Thatcher i taksave të ulëta, derregulacionit dhe parave të shtrënguara tani duket i pavend ndaj problemeve të produkteve financiare që janë pa rregullore, deficitit shumë të madh dhe një rënieje ekonomie të thelluar. Programi social i Partisë Republikane është jashtë akordit me një elektorat që sa shkon e bëhet më i ri, më i llojllojshëm dhe më tolerant. Diçka e ngjashme ka ndodhur në politikën e jashtme. Elektorati siç duket ka kuptuar se është një botë e re atje jashtë dhe se zgjidhja e prezantuar nga McCaini në kampanjën e tij nuk ka lidhje me këtë botë. Ashtu si me ekonominë, këto ndjenja u zhvilluan kur idetë u panë duke vepruar. Bush përqafoi një sërë qëndrimesh radikale politike, shumë nga këto të përkrahura për një kohë të gjatë nga neokonservativët, posaçërisht gjatë mandatit të tij të parë. Por njëanshmëria e vrullshme, e përkrahur haptazi nga administrata, shihet nga shumica e amerikanëve si shkak i dobësimit të ndikimit që e ka ky shtet jashtë. Mbështetja e tepërt në forcë ushtarake ka prodhuar shumë pak rezultate e ka kushtuar shumë. Në zemër të ideologjisë së Bushit ishte ndryshimi i regjimit - Wilsonizëm i armatosur. Qoftë në Irak, në Korenë Veriore apo në Iran, qëllimi kryesor ishte të refuzohet çfarëdo negociate, apo diplomacie dhe në vend të tyre të bëhej përpjekje drejt përmbysjes së qeverisë dhe zëvendësimit me një tjetër, më demokratike dhe më miqësore. Shumica e amerikanëve tani kuptojnë se, sado që kjo tingëllon e këndshme në teori, bota reale është një vend i komplikuar dhe nuk mund të transformohet me anë të fuqisë magjike, apo asaj ushtarake. Hedhja poshtë e ideve të Bushit me më së shumti fuqi ka ndodhur nga vetë Bushi. Gjatë tri viteve të kaluara, ai ka negociuar me Korenë e Veriut dhe Libinë, e madje ka provuar të bëjë hapa drejt bisedave me Iranin; ka nisur një proces paqësor të profilit të lartë në mes palestinezëve dhe izraelitëve; dhe ka bërë propozime inkurajuese për çështjen e ngrohjes globale. Këto të gjitha janë hapa, të cilët Bushi aktivisht i kundërshtoi gjatë mandatit të tij të parë. Ai ka lëvizur në këtë drejtim për shkak të nevojës. Dështimi e përqendron mendjen. Bota në të cilën ne jetojmë sot është shumë ndryshe, madje edhe nga bota e vetëm para një dekade. Vitin e ardhshëm, për herë të parë në histori ekonomitë e botës që janë në zhvillim e sipër do të sigurojnë 100 për qind të rritjes ekonomike globale. Dhe, për disa vite të tjera të ardhshme, shtetet më të pasura të botës do të ngecin në rënie dhe do të rëndohen nga borxhet. Shumë shtete të tjera me tregje të mëdha në zhvillim, në anën tjetër, do të rriten me një shkallë prej 4, 5, dhe 6 për qind në vjet. Disa nga këto shtete do të kenë tepricë prej qindra miliardë dollarësh. Kina sapo lajmëroi një paketë stimuluese që vlen afro 586 miliardë dollarë, e që është afro 15 për qind i produktit të saj shtëpiak dhe afro 10 herë më e madhe (në marrëdhënie proporcionale) sesa paketa e propozuar e SHBA-së. Në një botë të tillë, amerikanët duket se kuptojnë që të fryhesh për një "SHBA numër një" është retorikë e ulët, e ndarë nga bota e vërtetë. Ata ndiejnë se sfida e vërtetë e Washington-it nuk është të lavdërohet me madhështinë e Amerikës, por të përdorë kapacitetet e saj ushtarake, politike, intelektuale; të punojë me të tjerët në krijimin e një bote më stabël, paqësore dhe të begatshme, ku interesat dhe idealet amerikane do të jenë të sigurta. Barack Obama vazhdimisht këshillohet (paralajmërohet) nga konservativët që të qeverisë nga qendra. Por, që ta gjejë atë qendër, ai duhet të shikojë drejt kësaj bote të re, e jo drejt ideologjisë së dështuar republikane.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›