E Diel, 1 Nëntor 2026

Gaba, Gjykata e Lartë pezullon gjyqin

• Gjykata e Lartë vendosi dje të pezullonte çështjen e shkarkimit të Gjinovefa Gabës kundër KLD-së, derisa Prokuroria e Vlorës të përfundonte hetimet për ish-kryetaren e Apelit të qytetit bregdetar të akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh”.

Fatos Mahmutaj

 Zyrtarisht Gjykata e Lartë e pohoi dje se kjo ishte arsyeja e pezullimit të procesit, ndërsa KLD-ja pohoi se kjo u vendos pas kërkesës së paraqitur nga juristët e Këshillit. Ndërkohë vetë Gaba kërkoi prishjen e vendimit të KLD-së dhe rikthimin e saj në postin e mëparshëm në krye të Apelit të Vlorës. Dje u zhvillua seanca e dytë për shqyrtimin nga Kolegjet e Bashkuara të kërkesës së Gabës kundër vendimit të KLD-së së janarit të këtij viti. KLD-ja ka vendosur dy muaj më parë shkarkimin e Gabës nga detyra, pasi inspektorati e gjeti atë me 15 shkelje në dosjet që kishte gjykuar tre vitet e fundit.
Shkarkimi
Në mbledhjen e 31 janarit të këtij viti, KLD-ja vendosi me tetë vota pro dhe tre kundër shkarkimin e kryegjyqtares së Apelit të Vlorës, Gjinovefa Gaba, pas kërkesës së ministrit të Drejtësisë. Ministri paraqiti para Këshillit një material me 72 faqe, në të cilin ishin përmbledhur me detaje 15 shkeljet e Gabës të kryera në çështjet që kishte gjykuar nga qershori i vitit 2004 deri në qershor të vitit të kaluar. Pas kësaj, inspektorati, me të gjitha shkeljet e evidentuara përpiloi një raport, pas të cilit i kërkoi ministrit shkarkimin e Gabës. Më pas KLD-ja, pasi ishte njohur edhe me observacionet e paraqitura nga Gaba, e dëgjoi për rreth pesë orë atë dhe pas votimit vendosi ta shkarkonte. Ndërsa pas kësaj ajo u padit në Prokurorinë e Vlorës për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh”, hetim i cili tashmë ka filluar. Nga ana tjetër Gaba ankimoi te Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë këtë vendim, duke kërkuar prishjen e tij.
Procesi
Shqyrtimi i ankesës së Gabës te Kolegjet e Bashkuara nisi tri ditë më parë, duke rrëzuar fillimisht kërkesën e KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë për shtyrjen e procesit derisa të kishte një konkluzion të Prokurorisë për hetimin e Gabës. Por siç duket, për shkak të lidhjeve të Gabës, Kolegjet e Bashkuara vendosën fillimisht zhvillimin e procesit, duke rrëzuar pretendimin e KLD-së dhe ministrisë. Por ditën e djeshme përfaqësuesi i KLD-së i paraqitur në seancë i kërkoi gjykatës pezullimin e procesit me argumentet se ligjet shqiptare ndalojnë në mënyrë kategorike zhvillimin e proceseve civile, kur janë bashkëlidhur atyre penale dhe që për këta të fundit nuk ka një vendim.

Spahiu: Gaba me dy vartësit cenuan rëndë imazhin e sistemit gjyqësor
TIRANE – Përplasja e ish-kryetares së Apelit të Vlorës me KLD-në nisi pak muaj më parë pas një inspektimi të kryer në institucionin e drejtuar nga ajo. Inspektorët e KLD-së gjatë kontrollit të kryer në qershor të vitit të kaluar vërejtën një sërë shkeljesh të rënda ligjore e procedurale në dosjet e gjykuara nga Gaba, me të cilat përpiluan një raport. Më pas inspektorati i kërkoi ministrit të Drejtësisë shkarkimin e Gabës. Mbledhja për shkarkimin e saj u zhvillua më 31 janar të këtij viti, ndërsa pak kohë më vonë Gaba u padit në prokurorinë e qytetit të saj për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh”. Nga ana tjetër ajo iu drejtua Kolegjeve të Bashkuara për rikthimin në vendin e mëparshëm të punës. Dje, menjëherë pas vendimit për pezullimin e procesit për Gabën, nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, tha: “Siç dihet prej tri ditësh, Gjykata e Lartë ka marrë në shqyrtim ankesën e tre gjyqtarëve të shkarkuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë me motivacionin e cenimit të rëndë të figurës dhe integritetit të gjyqtarit. KLD-ja sot është përfaqësuar në seancën gjyqësore dhe nëpërmjet pretendimeve ligjore të argumentuara, i ka kërkuar të pezullohet gjykimi i çështjes, deri në përfundimin e hetimit të prokurorisë për çështjen penale ndaj dhe kundër këtyre gjykatësve, si dhe gjykimin e çështjes penale, deri sa gjykata të shprehet për fajësinë apo pafajësinë e tyre penale. Ka një parim të njohur për legjislacionin shqiptar, ndërsa ka një hetim penal të ngritur, një tjetër hetim apo gjykim për çështje civile apo administrative nuk mund të kryhet njëkohësisht, pra pezullohet”. Rreth dy vjet më parë, Gaba, e përfolur për mjaft shkelje ligjore, tentoi të zinte një vend si gjyqtare në Gjykatën e Lartë. Por Parlamenti refuzoi miratimin e dekretit të presidentit të atëhershëm, Alfred Moisiu, për mandatin e saj. Më pas inspektorët që kontrolluan institucionin e saj gjetën shkelje të shumta, ku mes të tjerash edhe vendime gjyqësore të shpallura ditën e shtunë, kur dihet se kjo ditë është pushim zyrtar, apo të shpallur në të njëjtën ditë kur gjyqtarët ndodheshin me pushime në Maqedoni.                          f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›