E Diel, 1 Nëntor 2026

Çfarë luksi të fshish BYT… me NYT !

• Arian ÇANI

Në gjithë këtë kaos të paparë politik dhe
        social që po përjeton vendi pas shpërthimit të Gërdecit, PASH-i (Peizazhi Audiovisual Shqiptar) na dhuroi dje gjatë gjithë ditës dhe një detaj të ri nga bota e politikës. Revoltën e Doktorit nga salla e Kuvendit, i cili nuk ngurroi ta quajë “letër higjienike” gazetën amerikane më influente në botë “The New York Times”, duke ftuar gjithë kundërshtarët e tij politikë ta përdorin atë pas aktit të përbotshëm që bëjmë të gjithë kur shkojmë në hale. Pra, të fshijmë bythën me NYT (The New York Times). E paparë dhe e padëgjuar prej kohësh! Ndonëse një fenomen i njohur shqiptar, të paktën deri para viteve ’90. Ju kujtohet?

Pothuajse të gjithë shqiptarët kishin në haletë e tyre gazeta dhe libra pa fund të asaj kohe që i përdornin për t’u pastruar pasi bënin ujët e trashë. Të gjithë e fshinin me gazeta në atë kohë. Dhe ajo kohë nuk ishte pak. Bëhet fjalë për dekada të tëra. E vetmja mënyrë për t’u pastruar nga jashtëqitja jote ishin gazetat. Madje shumica e linin me kaq, pasi uji në atë kohë nuk ishte me bollëk (me ndjeni nëse jeni duke ngrënë e po lexoni këto radhë). Por kjo ka qenë e vërteta dhe le të dalë kush të dojë e të ma mohojë.

Gazetat “Zëri i Popullit”, “Mësuesi”, “Zëri i Rinisë”, “Bashkimi”, “Drita”, “Luftëtari” apo ku e di unë çfarë tjetër, (të më ndjejnë gazetat e lartpërmendura, por nuk kam asgjë kundër tyre) ishin koleksionet e përditshme të shqiptarëve në haletë e tyre të varfra, ku përditë, të paktën një herë në ditë, pasi kryenin rritin e përbotshëm, pastroheshin mirë e mirë duke u përpjekur të ruanin higjienën në maksimum. Aq sa mund të ruhet higjiena duke përdorur gazeta, por të paktën më mirë me to se sa me hiç fare.

Se ndoshta ju të rinjtë e sotëm që nuk e keni jetuar atë kohë, nuk ua kanë thënë prindërit tuaj që deri para viteve ’90, as nuk bëhej fjalë për letra higjienike. As nuk e njihte kush konceptin e letrës higjienike, një mall që sot e kemi me shumicë të gjithë (të gjithë mbase jo, por shumica po). Dhe kjo falë liberalizimit të tregut pas viteve ’90. Siç u liberalizua tregu i bukës dhe i ushqimeve të tjera, kështu ndodhi me letrën higjienike. Sot është e tmerrshme ta mendosh vetëm për një çast se si ka mundësi që shqiptarët për dekada të tëra, i madh e i vogël, përdorte gazetat e asaj kohe për të fshirë bythën. Por ja që kështu ishte. Dhe kjo ishte vetëm njëra anë e medaljes. Me qindra në atë kohë infektoheshin pas këtij akti dhe kjo ishte më se e kuptueshme. Ajo pjesë e vogël e trupit të njeriut është aq e ndjeshme dhe delikate sa që e kishte shpesh të pamundur të përballonte fërkimin me letrën e gazetës. Pa llogaritur këtu dhe sasinë e plumbit që ishte helmi kryesor mbi shtypin e asaj kohe.

Sepse kujdes! Në atë kohë, gazetat nuk ishin siç janë sot, me letër cilësore që vjen nga importi. Jo, jo. Atëherë gazetat ishin të egra, të ashpra dhe të ngjethnin mishin sa herë që i mbaje në dorë. Thashë, në dorë. Imagjino në bythë. Tmerr o tmerr! Mjerë ata që e përjetonin çdo ditë këtë dhimbje. Ndërsa sot është krejt ndryshe. Sot ka lloj-lloj letrash higjienike. Ka për të varfrit dhe për të pasurit. “The New York Times”, pritet të jetë marka më e re në tregun e letrës higjienike, një markë të cilën e promovoi vetë Doktori këtë javë nga salla e Kuvendit të Shqipërisë, duke ftuar gjithë deputetët kundërshtarë, por dhe militantët e tij të shumtë ta fshijnë bythën e tyre me këtë mall të shtrenjtë…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›