E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbledhja e KLD: Shpallen vakant 22 vende për krerë të gjykatave

• TIRANE – Plot 22 vende për kryetarë të Gjykatave të Faktit dhe Apelit janë deklaruar vakante dje nga KLD-ja.

 Kjo për shkak se krerët e këtyre gjykatave kanë përfunduar mandatin katërvjeçar në drejtimin e këtyre institucioneve. Tre emrat më të fundit, të cilëve u mbaron më datë 20 maj mandati i kryesimit të gjykatave, janë kreu i Krimeve të Rënda, Sandër Simoni dhe dy kolegët e tij në Gjykatën e Vlorës dhe Sarandës, Artur Malaj dhe Rasim Doda. Duke shtuar edhe këto tre vende, KLD-ja pohoi dje se në total, numri i gjykatave, krerëve të të cilave u mbaron mandati shkon në 22. Tashmë KLD-ja pohon se vendimi për shpalljen e vendeve vakant synon të thellojë transparencën në vendimmarrjen e Këshillit, duke garantuar vendosjen e rregullave procedurale transparente dhe të barabartë, gjatë procesit të shqyrtimit të kandidaturave dhe të emërimit të kryetarit të gjykatës. Për herë të parë në historinë e gjyqësorit, KLD-ja do të fillojë të aplikojë debatin, transparencën dhe motivimin e vendimeve të veta, nëpërmjet vendimeve të arsyetuara dhe të shkruara për emërimet e krerëve të gjykatave. KLD-ja pohon se vetëm votimi është i pamjaftueshëm për një proces transparent, nëse nuk ka vendime të motivuara dhe të arsyetuara për shkaqet e këtyre përzgjedhjeve. “Praktikat e një votimi krejt formal pa një vendim të motivuar tashmë do t’i përkasin të shkuarës”, thuhet në njoftimin zyrtar të këtij institucioni, ku duke vazhduar bëhet e ditur se tashmë janë ftuar për të marrë pjesë në garën për kryetarë të gjithë gjyqtarët që përmbushin kriteret. Nga kjo garë nuk përjashtohen as ish-kryetarët. Po dje Këshilli vendosi ngritjen e grupit të punës për të hartuar rregullat në lidhje me zbatimin e dispozitave respektive ligjore, lidhur me suprimimin e Gjykatës Ushtarake dhe për gjetjen e zgjidhjes për sistemimin e gjyqtarëve të kësaj gjykate. Ndërsa më tej në mbledhjen e djeshme u vendos ngritja e grupit të punës për hartimin e akteve normative, në lidhje me caktimin e procedurave unifikuese për ndarjen e çështjeve gjyqësore me short, si dhe do të përcaktojë kriteret dhe mënyrën e delegimit të gjyqtarëve.          fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›