E Majta për Integrim, rruga drejt pushtetit
• GAQO APOSTOLIShpallja e koalicionit “E Majta për Integrim” ishte një kërkesë jetike e këtij momenti historik të politikës shqiptare dhe, asaj të së majtës në veçanti, pas sfumimit deri në shuarje thuajse të plotë të koalicionit të vjetër të partive të majta. Kjo është një sipërmarrje moderne për të ndërtuar një opozitë të vërtetë dhe reale ndaj qeverisjes së dështuar të së djathtës në zhvillimin e vendit dhe prosperitetin e jetës së shqiptarëve dhe, sidomos, për ndërtimin e një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm që përbën bazën e shtetit të së drejtës, i kërcënuar sërish nga një pushtet dypersonal i lidershipit PD&PS. Në një kontekst të tillë, “E Majta për Integrim” është rruga e së majtës drejt pushtetit qeverisës.“Përvetësimi” i koalicionit të majtë nga lidershipi i PS dhe shuarja e këtij koalicioniKoalicioni “E Majta për Integrim”, i promovuar nga lidershipi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, lindi si domosdoshmëri e mosfunksionimit të koalicionit të partive të majta pas përfundimit të zgjedhjeve të 18 shkurtit 2007. Shuarja e këtij koalicioni erdhi për shkak të personalizimit të tij deri në “përvetësim” nga lidershipi i Partisë Socialiste, deklaratat e të cilit për një “politikë të re”, kanë pësuar inflacion të lartë dhe tashmë përbëjnë vetëm një plagjiaturë politike. Mungesa e bashkëpunimit gjithnjë në rritje pas 18 shkurtit në strukturat ekzekutive të njësive vendore që e majta qeveris, e shtrirë kjo tërësisht në mungesën e bashkëpunimit opozitar për çështjet madhore të reformës në drejtësi dhe, sidomos, të reformës zgjedhore, po tregon qartë se në këtë proces, lidershipi i Partisë Socialiste po “merret vesh” gjithnjë e më drejtpërdrejt apo përmes kulisash me lidershipin qeverisës të Partisë Demokratike. Më tepër se “për hir të konsensusit” për kryerjen e reformave për integrimin në NATO, ky bashkëpunim e ka bazën politike tek një “marrëveshje konsensuale” për një ndarje të pushtetit mes tyre në qeverisjen qendrore dhe atë vendore, ku pushteti qeverisës mbi kryeqytetin, me sa duket tani për tani është tepër atraktiv edhe jashtë interesave të qytetarëve. Në fakt, përballja me këtë pushtet dypersonal të lidershipit Berisha&Rama, që do ta kufizojë zhvillimin e vendit në anakronizmin e një rrethi vicioz, përbën bazën e sipërmarrjes së re politike të LSI-së drejt koalicionit “E Majta për Integrim”. Politika e vjetër PD&PS, revansh i ri ndaj zgjedhjeve të lira Shfaqja sërish e politikës së vjetër PD&PS duket qartë në ndërtimin e një procesi të errët dhe të rrezikshëm për kryerjen e reformës zgjedhore për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Mungesa e transparencës për çështje të sistemit zgjedhor në pragskadimin e mandatit të tretë të komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, tregon katërcipërisht për një pandershmëri diabolike që po gatuhet nga lidershipi PD&PS në procesin e përgatitjes së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Në këtë proces përgatitje vazhdon të mbetet i kompromentuar roli dështak i ekspertëve të ODIHR-it, që kësaj here, pas pasivitetit dhe implikimit të tyre në pranimin e rezultatit antikushtetues në procesin zgjedhor MegaDushk 2005, do të ishte tërësisht i pajustifikueshëm dhe, deri i pafalshëm. Çështjet e procesit zgjedhor nuk janë thjesht çështje të politikës, përfshirë këtu edhe atë politikë inflacioniste që, përmes britmave, bën çdo ditë tellallin për një të ashtuquajtur politikë të re. Para së gjithash, çështja jetike për zgjedhje të lira e të ndershme është çështja më madhore e tërë shoqërisë shqiptare, sepse pa një parlament të zgjedhur në mënyrë legjitime, nuk mund të ketë demokraci dhe shtet të së drejtës në Shqipëri. Krijimi i koalicionit “E Majta për Integrim” mbështetet në kërkesën e të gjithë qytetarëve shqiptarë në bashki e komuna që përjetojnë privacione dhe zhgënjime të mëdha nga politika agresive e së djathtës qeverisëse. Ajo mbështetet sidomos edhe tek ata qytetarë, të cilët nuk mund të krijojnë dot besim tek e majta që bën retorikë ditore në emër të një politike të re, ku, përtej demagogjisë së skajshme për solidaritet njerëzor dhe politik, shquhet një autokraci e vjetër, deri në përjashtim. Në misionin e saj, “E Majta për Integrim” është gjithëpërfshirëse për partitë progresiste dhe anëtarësinë e tyre, për qytetarët që kërkojnë të ndalet ky revansh dypersonal Berisha&Rama ndaj demokracisë, pluralizmit e zgjedhjeve të lira e të ndershme.Për një sistem zgjedhor, sa më përfaqësues dhe të padeformuarE dëmtuar nga procesi zgjedhor famëkeq MegaDushk 2005 që prodhoi parlamentin e sotëm të deformuar deri në përçudnim, LSI u shpreh herët për domosdoshmërinë e një procesi zgjedhor të ndershëm e transparent, për një sistem zgjedhor proporcional, me kritere optimale të përfaqësimit dhe pa deformime në proporcionalitetin e tij. Një sistem i tillë elektoral më parë do të duhej të zgjidhej ndër modelet e zbatuara në vendet me demokraci pluraliste të zhvilluar, si dhe të gjithëpranohej me transparencë nga komisioni parlamentar i reformës zgjedhore. Por, në fakt, propozimet dhe procedurat u injoruan nga politika e vjetër e lidershipit PD&PS përmes kulisave të kasnecëve të tyre. Janë të njëjtat kulisa të rrezikshme që, pasi projektuan, frymëzuan dhe realizuan proceset famëkeqe elektorale të Dushkut dhe Megadushkut, devijuan masivisht votën popullore, duke deformuar përfaqësimin e popullit në parlamentin e sotëm. Janë të njëjtët persona intrigantë dhe të rrezikshëm që vërtiten në to dhe vazhdojnë t‘i bëjnë një dëm të pallogaritshëm këtij vendi. Për ekzistencën e një pakti ogurzi të lidershipit Berish&Rama dhe kasnecëve të tyre për një sistem zgjedhor të përpunuar në fshehtësi, flet qartë koherenca e qëndrimeve të tyre jashtë tryezës së komisionit të pambledhur të reformës zgjedhore. Deklarimet e ndërsjella koherente se “sistemin ia kemi lënë në dorë opozitës”, të shoqëruara më pas me shantazh për përdorimin e sistemit maxhoritar, shpallja e një sistemi proporcional rajonal i trumbetuar në opinion si spanjoll, tregojnë qartë se ky pakt ogurzi ka vendosur të realizojë sërish në Shqipëri një sistem që mbart një deformim mjaft të lartë të proporcionalitetit me pragje elektorale që variojnë nga njëri rajon tek tjetri.Përmes këtij pakti të hartuar në kulisat e tij të rrezikshme, lidershipi PD&PS synon të ndërtojë një sistem elektoral të komplikuar, për të manipuluar e deformuar në interes të tyre tërë procesin zgjedhor. Për këtë ai do të përdorë një infrastrukturë të tërë dhe, sidomos, administratën e politizuar zgjedhore, e emëruar dhe e kontrolluar në shumicë prej tyre. Veç të tjerash, një sistem i tillë kërkon domosdoshmërish krijimin e rajoneve elektorale, i cili do ta përfshinte Shqipërinë në një tjetër proces të ri administrativo–elektoral, pasi njësimi i rretheve apo qarqeve të sotme në rajone elektorale, siç mund ta konsiderojë si variant ndonjë prej eksponentëve faqezinj të fenomenit “Dushk & MegaDushk”, do të ishte sa fatkeqësi aq edhe karagjozllëk elektoral.Në kontekstin e ndërtimit dhe të mbrojtjes së shtetit të së drejtës, koalicioni “E Majta për Integrim” do të ngrejë barriera politike dhe qytetare për ndërtimin e një procesi zgjedhor të ndershëm e transparent, për një sistem zgjedhor proporcional të gjithëpranuar, me kritere optimale të përfaqësimit të partive dhe pa deformime në proporcionalitetin e tij. Për një sistem zgjedhor tërësisht demokratikKoalicioni “E Majta për Integrim” është shprehur pa ekuivokë për një sistem zgjedhor proporcional tërësisht demokratik, përmes të cilit populli të zgjedhë drejtpërdrejtë partitë tek të cilat ka besim, si dhe deputetët që do të përfaqësojnë çdo parti në parlament. Në terminologjinë e projektimit të sistemeve elektorale, si dhe në shtetet që aplikojnë këtë sistem proporcional, niveli i lartë i demokracisë në zgjedhje përcaktohet përmes përdorimit të listave të hapura apo edhe votimit preferencial, ku, sipas rastit, votuesit mund të shprehin preferencën për një kandidat brenda listës proporcionale të partisë apo mund të rendisin kandidatët e regjistruar në fletën e votimit. Kjo nuk ka të bëjë aspak me të ashtuquajturat lista të hapura proporcionale të partive e formulave të ndryshme alkimiste dhe mistike, të cilat iu bashkëngjitën procesit MegaDushk, duke rritur më tej shkallën e degjenerimit të tij. Përmes këtij sistemi zhvillohet njëkohësisht edhe një lloj gare e tipit “primary election” ndërmjet kandidatëve të një partie, në nivel kombëtar apo rajonal. Renditja përfundimtare e kandidatëve në listën proporcionale nga votuesit dhe përqindja që fiton partia në zgjedhje, përcakton se cilët do të jenë deputetët e partisë në parlament. I aplikuar në vende të ndryshme të Evropës e të botës, ky sistem u aplikua me sukses në zgjedhjet e fundit në Kosovë ku, nga ndërhyrja e drejtpërdrejtë e votuesve në renditjen finale të kandidatëve për deputetë në listat proporcionale të partive, është ndryshuar në masën afro 13 për qind përbërja e parlamentit, në krahasim me rastin nëse listat do të ishin të mbyllura. Kjo shifër konsiderohet edhe si indeks i rritjes së nivelit të demokracisë të këtij sistemi zgjedhor, kundrejt atij me lista proporcionale të mbyllura nga partitë. “E Majta për Integrim”, e deklaruar për një sistem zgjedhor tërësisht demokratik, synon që e drejta e zgjedhjes së deputetëve përmes një sistemi proporcional të zbresë në dorën e votuesve, në mënyrë që ata të mos shkojnë pas “berihajt” të partive duke votuar listat partitokratike të tyre. Ky objektiv përmes një ngulmimi me metoda demokratike, përfshirë referendumin popullor, është një kartë fituese për këtë koalicion të gjerë plot energji.Konkluzion: “E Majta për Integrim” konsolidon të majtën shqiptare, nuk e përçan atëNë kontekstin politik, social, elektoral, deri edhe thjesht numerik, “E Majta për Integrim” e rrit, e gjallëron dhe e konsolidon të majtën shqiptare, kurrsesi nuk e përçan atë. Ajo i jep asaj vitalitet politik dhe dashuri njerëzore, transparencë dhe ndershmëri, forcë dhe energji, përkundrejt ndryshkut politik dhe britmave histerik, përjashtimit dhe papastërtisë politike, të cilat personalizuan koalicionin e vjetër të së majtës. Anatemimet për një gjoja “përçarje” të së majtës, që erdhën menjëherë pas deklaratës së shpalljes së koalicionit “E Majta për Integrim” dhe që vazhdojnë të vijnë pambarim nga kukuvajka dhe shushunja të së majtës së vjetruar, nuk i beson kurrkush në opinionin e gjerë publik dhe, për më tepër, në elektoratin e majtë. Gjithkush po e kupton se ato kërkojnë të shfrytëzojnë ende, për pushtet dhe mbijetesë politike me çdo kusht, energjitë e një politike dinamike që nuk mund të pajtohet me vegjetimin e një koalicioni të sfumuar deri në një shuarje të plotë të tij. Lidershipi i këtij koalicioni që u personalizua deri “në privatizim”, po bashkëpunon me lidershipin e së djathtës qeverisëse dhe po stimulon fuqizimin e një bipolariteti të politikës shqiptare, që për kushtet e krijuara, do të thotë një humbje e re e të majtës dhe e Shqipërisë.“E Majta për Integrim”, kjo sipërmarrje politike moderne, që konsiston në ndërtimin e një opozite të vërtetë dhe reale ndaj qeverisjes së dështuar të së djathtës, përbën bazën politike të domosdoshmërisë së krijimit të këtij koalicioni. E reja që ai përmban në vetvete qëndron në faktin, se ai do të jetë më shumë se sa një koalicion politik dhe partiak. Para së gjithash, “E Majta për Integrim” do të jetë një koalicion i madh me qytetarët e zhgënjyer të këtij vendi. Në dallim nga mjeranët që kanë mbetur vetëm tek aritmetika e votave, “E Majta për Integrim” do të rritë vertikalisht gravitetin politik dhe elektoral të saj dhe të së majtës shqiptare në tërësi, për të garantuar një fitore të plotë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009.