E Diel, 1 Nëntor 2026

Gabimet me dosjet

Vendimi më i fundit i Parlamentit shqiptar për miratimin e ligjit të hapjes së dosjeve, të kritikuar gjerësisht për disa nene antikushtetuese, në fakt ka hapur një dosje të re shumë më të madhe se çdo dosje të ligjit, dosjen e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Qeveria e SHBA-ve i parapriti debatit rreth këtij ligji, duke kërkuar më shumë kohë, konsultime dhe ekspertizë ndërkombëtare. Kritikat e saj u përsëritën disa herë gjatë javës, madje pati edhe një bisedë telefonike të një prej zyrtarëve më të lartë amerikanë, që mbulon Shqipërinë, dhe Kryeministrit shqiptar. Me një veprim të pazakontë, kritikave e shqetësimeve amerikane iu shtuan edhe ato britanike, të OSBE-së dhe dje edhe të Këshillit të Europës. Pra, kritikat erdhën nga niveli lokal (ambasadat), niveli europian (OSBE e KE) dhe niveli ndërkombëtar (SHBA). Në politikë, ky nivel kritike përbën një rast të paprecedent dhe ndodh vetëm në rastet kur bashkësia ndërkombëtare ndjehet shumë e shqetësuar për thelbin e demokracisë dhe funksionimit të shtetit ligjor të një vendi.

Ky mesazh duket qartë se nuk është lexuar me këtë rëndësi dhe përmbajtje nga mazhoranca aktuale dhe hartuesit e ligjit për dosjet. Argumenti i tyre se Shqipëria është një vend i lirë, i aftë të marrë vendime demokratike apo se shtete të veçanta, përfshirë SHBA-në, nuk e kuptojnë komunizmin apo i referohen mekartizmit si një formë ekstreme, duken sa naive, aq edhe shqetësuese. Më 1996-n, mozharanca demokrate, me të njëjtat argumente refuzoi vizitën dhe ndërmjetësimin politik të T. Wirth-it, një prej zyrtarëve më lartë të Departamentit të Shtetit. Pasojat e këtij skandali diplomatik dihen. PD-ja deshi vite të tëra pune, provash dhe ndryshimesh, për të rifituar mbështetjen amerikane, e cila, gjithsesi erdhi më shumë si zhgënjim amerikan tek qeveritë e majta sesa si optimizëm tek koalicioni i djathtë.

Alibia për këtë krizë të re besimi midis të djathtës dhe SHBA-së po shërben një ligj, i cili, me gjithë premtimet dhe pritjet e mëdha në fushatën e dekomunizmit, praktikisht nuk pritet të zgjidhë asgjë. Të gjitha ligjet e lustracionit dhe hapjes së dosjeve në vendet ish-komuniste kanë pasur në thelb, ndëshkime morale për nivelet më të larta të shtetit komunist, policisë sekrete dhe instrumenteve të dhunshme të regjimit. Pothuajse asnjë ligj nuk ka parashikuar dënimin kolektiv të individëve apo ndërhyrje të atilla që prekin imunitetin kushtetues dhe balancën e pushteteve të pavarura kushtetuese. Natyrisht që është shumë e drejtë që gjyqtarët apo prokurorët, hetuesit dhe oficerët, si edhe çdo qytetar shqiptar, të cilët pavarësisht nga pozicioni shtetëror e partiak, kanë përdorur dhunë, kanë falsifikuar faktet, kanë manipuluar dosjet hetimore apo kanë tejkaluar legjislacionin në përpjekje për dënimin e disidentëve politikë e qytetarëve të lirë, të privohen nga postet e larta drejtuese në institucionet e shtetit demokratik.

Aktualisht ekzistojnë mekanizma të tilla selektimi, pavarësisht parimeve kushtetuese të barazisë apo mungesës së ligjit të dosjeve. P.sh., Parlamenti ka në dorë të votojë kundër çdo kandidature të tillë që vjen në garën për Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Avokatin e Popullit, Prokurorin e Përgjithshëm, Këshillin Kombëtar të Radio-televizioneve, Autoritetin e Konkurrencës, Bankën e Shqipërisë, etj. Parlamenti e ka ushtruar këtë të drejtë në disa raste, përfshirë edhe në rastin e zgjedhjes së disa gjyqtarëve për në Gjykatën e Lartë. Por, në këtë rast, në mënyrë paradoksale ndodhi që kandidati për gjyqtar i akuzuar për faje të së kaluarës të fitonte më shumë vota sesa kandidati për gjyqtar që vinte nga shtresa e ish-të përndjekurve politikë.

Nismëtarët dhe mbështetësit e këtij ligji duket se qëllimisht nuk zgjodhën argumentet, por retorikën e ashpër, e cila detyrimisht duhet t’i ndajë qytetarët dhe opinionin publik, në antikomunistë dhe komunistë. Kjo taktikë është në thelb e gabuar, e destinuar të dështojë. SHBA-ja, OSBE-ja, Ambasada Britanike e së fundi edhe KE-ja, nuk kanë dhe nuk mund të kenë asnjë ndjesi pozitive ndaj komunizmit, pavarësisht se në rastin konkret u rreshtuan në anën kritikuese të ligjit. Po ashtu, i vetmi deputet i Parlamentit që ka vuajtur dënim politik gjatë diktaturës, apo i vetmi kryetar partie që vjen nga shtresa e ish-të përndjekurve, të cilët votuan kundër nismës, nuk mund të kenë asnjë ndjesi pozitive për komunizmin dhe komunistët. Ata të gjithë nuk mbrojnë komunistët, por shtetin ligjor, i cili në thelb është formë shtetërore antikomuniste dhe properëndimore. Shumica e dukshme e shqiptarëve nuk kanë ndjesi komuniste, por duan një sistem politik e shtetëror që njeh e respekton Kushtetutën. Për qytetarin e zakonshëm, edhe për qytetarin me bindje të djathta, në fund të fundit asnjë nen dhe premtim politik, sado i mirë apo me qëllime të mira, nuk mund të ketë fuqi dominuese mbi bazën e ekzistencës dhe funksionimit të PD-së, pluralizmit, demokracisë dhe të shtetit shqiptar, e cila është përkushtimi ndaj vlerave demokratike Euroatlantike.

Gabimi tjetër taktik ishte nxitimi për thellimin e konfliktit me diplomatët dhe shtetet perëndimore. Një valë komentesh antiamerikane të botuara nga media proqeveritare, nga autorë që mbajnë poste shtetërore, partiake apo që, për ironi të fatit, vijnë nga familje të njohura komuniste gjatë regjimit të kaluar, krijuan sfondin e duhur për të kuptuar se mazhoranca po bën qëllimisht gabimin politik të shpërfilljes së këshillës ndërkombëtare. Këtë ide e përforcuan më pas edhe deklaratat e zyrtarëve më të lartë të mazhorancës, të cilat në mënyrë të gabuar, partneritetin perëndimor u përpoqën ta shohin si pengesë për ecurinë e reformave dhe mbajtjen e premtimeve. Bëhet fjalë për shtetin më demokratik në botë, SHBA-në, i cili prillin e kaluar vuri veton për marrjen nga Shqipëria të ftesës për anëtarësim në NATO, dhe ndaj të cilit shqiptarët kanë arsye të jenë përjetësisht mirënjohës. Shqetësimi më i madh pra, është se mazhoranca, e cila e ndërmori këtë hap provokues dhe shpërfillës me ndërgjegje dhe vullnet politik.

Tashmë që ligji ka kaluar dhe në fakt, me kritikat ndërkombëtare, opozita dhe sidomos segmentet e veçanta të prekura nga ligji me pa të drejtë, kanë marrë një suport të madh politik, mundësitë e kapërcimit të situatës janë të kufizuara. Mazhoranca ose duhet t’i shkojë deri në fund fushatës më shumë mediatike të dekomunizimit, ose duhet të tërhiqet për të gjetur një zgjidhje sa më në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Në rastin e parë, rruga e mazhorancës do të jetë një rrugë pa krye, me kosto të lartë politike, sidomos në fushatën e ardhshme elektorale. Kjo kosto do të jetë gjithashtu edhe kosto për vendin, sepse do të ketë ndikim direkt në ngadalësimin e reformave dhe uljen e shanseve të integrimit. Në rastin e dytë ajo mund të shpresojë në vendimmarrjen e Presidentit, apo refuzimin nga Gjykata Kushtetuese, për të pranuar këshillën perëndimore për ekspertizë dhe rishikim thelbësor të çështjeve që kanë natyrë kundërvënëse me Kushtetutën. Edhe në këtë rast do të ketë një kosto politike dhe elektorale, por, gjithsesi, kostoja për vendin do të jetë pakrahasueshmërisht më e vogël sesa në rastin e parë.

Problemi i dytë që duhet të zgjidhë mazhoranca, nuk ka të bëjë më me dosjet, por me parimet e identitetit dhe politikës së saj në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe institucioneve ndërkombëtare. Ajo duhet të heqë dorë nga pozitat arrogante dhe fyese që i kujtojnë Perëndimit se Shqipëria është vend i lirë e sovran dhe të nisë një proces vetëreflektimi, i cili në thelb duhet të çojë në vetëkorrigjimin dhe krijimin me çdo kusht të besimit në bashkëpunimin dhe respektin e ndërsjellë me SHBA-në dhe bashkësinë e shteteve perëndimore. Kjo duhet të ndodhë me çdo çmim, pavarësisht kostove elektorale që mund të ketë ikja apo hetimi i ndonjë politikani, apo arrestimi i ndonjë zyrtari.

Një parti perëndimore nuk mund të jetë peng i shkeljeve ligjore të një ose më shumë individëve. CDU-ja nuk e pranoi asnjëherë shkeljen e ligjit nga lideri i saj historik, heroi i bashkimit gjerman, H. Kohl, ashtu siç edhe SHBA-ja, Franca, Italia apo Britania, po japin përditë shembuj sesi politika dhe institucionet nuk mund të pajtohen asnjëherë me zyrtarë të lartë që përfshihen në afera korruptive, pavarësisht imunitetit dhe mburojave politike. Dilema e vetme, por e madhe, është nëse PD-ja e mazhoranca kanë kapacitete, aftësi politike dhe mençuri vendimmarrëse, të tillë që të bëjnë të mundur ndjekjen e këtyre hapave, të cilët, faktikisht janë në interes të saj dhe të vetë vendit. Ligji i ri elektoral që u jep të drejtën liderëve të emërojnë deputetët e ardhshëm, është një pengesë e madhe për këtë, por, gjithsesi, shpresa e fundit mbetet që asnjë interes ditor apo personal të mos fitojë pushtet për të dominuar interesin e madh dhe afatgjatë të vetë subjektit politik, të mazhorancës dhe të nivelit të demokracisë në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›