Një "zoom" Krishtlindjesh
DITËT E FUNDIT TË VITIT
E ka një "defekt" edhe Google-earth-i. Të shpie dhe afron ku të duash dhe sa të duash, në çdo cep e skaj të globit gjeografikisht, me shkallët që do, në kontinente, shtete, qytete, fshatra, male, fusha, lugina dhe lumenj. Por vetëm gjallesa nuk sheh askund. Dhe sidomos frymë njeriu.
Por, e shikuar nga larg, nga hapësira a Hëna, është magjepsëse dhe joshëse pamja spektakolare e rruzullit tokësor. Ndaj habitesh nga ajo që, si është e mundur që ky planeti ynë gjithë nur dhe kaltërsi i parë nga larg, të mbajë gjithë ato mënxyra dhe të këqija brenda. Sidomos shumë egoizëm dhe hipokrizi. Hipokrizi që është kthyer në mjeshtre e mashtrimit.
Manipulime, manipulatorë dhe konspiracione diabolike gjithandej...Ka dhe arritje natyrisht. Nuk na pëlqen fare të jemi nihilistë dhe të shohim "gjysmën e gotës bosh", por shpesh na duket se dashuria ndër njerëz është më e pakët se të tjerat. Negativet, deri ato të kobshmet. Kaq pak dashuri dhe humanizëm nuk e meriton ky rruzulli ynë gjithë nur...i parë nga larg. Dashuri dhe ngrohtësi jo vetëm nga ajo dashuria mes Evës dhe Adamit, që natyra a zoti duket se e ka krijuar si "lojë" për vazhdimësinë e racës njerëzore, por dashuria njerëzore në një kuptim shumë më universal. Në mirësinë, mirëkuptimin, ngrohtësinë, solidaritetin, ndihmën, përkrahjen, sakrificën ndaj njerëzve. Progresi teknik, zhvillimet e hovshme dhe të papara të njëqindvjeçarit të fundit në të gjitha fushat, e sidomos të shkencave e teknikës, vështirë të thuash se kanë sjellë ndonjë ndryshim a përmirësim në sferën shpirtërore. Në mos kanë përkeqësuar...
Prijnë paradokset në këtë botën tonë të vogël dhe të madhe njëherësh. Sa më tepër shtohen perfeksionet e luksit, shërbimeve, look-eve, celularëve, tv-ve, dixhitizimeve, kompjuterave, laptopëve, makinave, ashensorëve, xhamave e kristaleve, më tepër ngjan se izolohet, individualizohet, bunkerizohet, mpihet, struket, akullzohet, njeriu me gjithë shpirtin dhe mendjen e tij...Më sipërfaqësor dhe empirik bëhet. Mos qoftë kështu, se dëshira nuk na e do! Por, ndonjëherë ia kemi zili atyre, që i patëm quajtur të pazhvilluar, stërgjyshërve tanë, primitivëve, indigjenëve dhe indianëve të Amerikës. Pse jo dhe Robinson Crusoes...Me ç'duket, sa më afër natyrës, më njeri ndjehet njeriu. Sa më afër ndërlikimeve teknike, ngrehinave qiellore dhe rrethimeve nga moderniteti i aparaturave, më tepër robot bëhet...
E, meqë jemi në prag Krishtlindjesh dhe Vitit të Ri, të gjithë e pranojmë se i duam këto festa.
Është pikërisht ajo ç'ka u mungon njerëzve, dhe sidomos fëmijëve, ëndrra për një babo-gjysh që shpërndan mirësi, paqe, shpresë, në çdo cep të botës, ajo që ka krijuar pikërisht këtë të moshuar mjekërbardhë. Që gëzon fëmijët dhe të rriturit, të kamur dhe të vobektë, qoftë dhe pak ditë të fundvitit. Më tepër sesa dhuratat dhe lodrat që shpërndan, jep një shembull. Një mësim. Që milionerët, miliarderët e multimiliarderët, të hedhin sytë nga të pambrojturit, nga të pamundurit, nga të varfrit. Jo për mëshirë, por si për mision. Aq më tepër që jeta është më e shkurtër sesa na duket shpesh. Sado para dhe pasuri të kesh, koha që qëndron mbi sipërfaqen e këtij planeti të gjalluar, është shumë e shkurtër se kohërat e tjera... Bota vërtet do të qe më e shëmtuar pa Plakun e Krishtlindjeve...