E Diel, 1 Nëntor 2026

Për çfarë vlen emërtimi analist?

Pyetja e shtruar për debat në numrin e djeshëm të “Shekulli”-t: Cilët analistë na duhen, vjen në kohën e duhur dhe trajton, për mendimin tim, një problematikë më vete sociale. Shpesh kemi konstatuar sesi perceptohet publikisht ‘klasa e analistëve’, nëse do përdornim gjuhën e teoricienëve të elitizmit dhe rolit udhëheqës që (duhet të) luajnë inteligjenca dhe intelektualët. Dy pyetje të natyrshme që mund të bëhen janë: së pari, a mund të konsiderohen analistët një klasë apo kategori më vete, intelektualët e shekullit të XXI, opinion-bërës dhe opinion-formues të mirëfilltë dhe kjo e tyre të konsiderohet një profesion më vete dhe specifik? Së dyti, perceptimi publik që iu referova më lart, ndonëse nuk janë zhvilluar sondazhe për këtë punë, përgjithësisht ka arritur në një shkallë ‘veljeje’ nga të njëjtat ‘fytyra’ që bëjnë xhirot e studiove televizive, ekspertë që mund të flasin nga ngrohja globale dhe emetimet e karbonit në atmosferë, deri te analizat e ‘thella’ historike, ndërkohë që shpesh ajo që nevojitet është një debat profesionistësh, ku secili do ofronte një qasje specifike, qoftë edhe për një çështje të vetme.

Në përgjigje të pyetjes së parë, do ishte më vend të citonim Besnik Pulën në një ese të paradokohshme me titull “Analiza e Analistëve: Shënime për një Sociologji Kritike të Rolit të Analistit”, botuar te numri 2 i revistës “Polis”, ku shkruante ndërmjet të tjerash se: “analisti nuk është intelektual, mirëpo ai kultivon imazhin e vetes si të tillë. Analisti ngarkohet me më pak punë sesa gazetari, mirëpo statusi social i tij është më i lartë se ai i gazetarit, ndonëse formalisht i përkasin së njëjtës fushë. Dhe, analisti, ndërsa përpiqet ta paraqesë zërin e një “qytetari të thjeshtë”, nuk është fare i tillë. “Pra, analisti përshkruhet në dritën e një aspiranti për intelektual, një qenie hibride ndërmjet gazetarit të terrenit dhe intelektualit të mirëfilltë, as i specializuar në një fushë konkrete (të paktën jo në lidhje më temat që cek) dhe as përfaqësues i zgjedhur i ‘interesit publik’, të cilin merret e mirëqenë që përfaqëson.

Bash këtu vlen të ndalemi disi, pasi kjo lidhet edhe me dikotominë eseist-analist që parashtroi Thano në hyrjen e forumit dje, ku eseisti i bën thirrje pasionit, apo e thënë ndryshe asaj që njerëzit duan të dëgjojnë dhe analisti mendjes, logjikës apo arsyes, bazuar në studime të specializuara fenomenesh social-politike-kulturore dhe që kërkojnë minimalisht një përfshirje më tepër se të përciptë me temën në fjalë. Siç vë re me të drejtë, Prof. Mejdani në shkrimin e tij të djeshëm në lidhje më këtë çështje, një formë hibridizimi, ku “trajtimi politiko-mediatik, nuk shfaqet më as si analizë, as si ese”, një përzierje alla-shqiptarçe e “formës orale e shkrimore midis “ngjyrimit eseist’ e ‘orientimit analitik’, pra as mish, as peshk, apo edhe mish, edhe peshk.

Për sa i përket pikëpyetjes së dytë, në lidhje me trendin drejt të cilit po shkon në njëfarë mënyre stër-konsumimi i profesionit të analistit, sidomos atij televiziv, që ka prodhuar një lloj reaksioni qytetar edhe si rrjedhojë e banalitetit ku shpesh të njëjtit ‘analistë’ i dëgjojmë të flasin për të gjitha llojet e mundshme të fenomeneve, apo fushave, shpesh pa lidhje, por siç vë re me të drejtë, Igli Totozani te shkrimi i tij i djeshëm, me guxim, shpesh një guxim i çartur që vjen edhe si rrjedhojë e paditurisë. Ky trend do vazhdojë për sa kohë që ‘tregu’, në këtë rast i përbërë nga lexuesi apo dëgjuesi i emisioneve të tilla televizive, do vazhdojë të këtë rritje, etje për anti-konformizëm dhe ku prirjet diletanteske vihen re pak, sidomos kur opinion-formuesi është i mirartikuluar, sarkastik, shpesh kritik dhe

Për sa i përket pyetjes kryesore që kam vënë në krye të këtij shkrimi, përse na vlen emërtimi analist, një pyetje që në shkrime dhe kohë të ndryshme i janë referuar dhe kanë dhënë përgjigjet përkatëse ndërmjet të tjerësh Eda Derhemi, Blendi Salaj, apo Besnik Pula, dhe a ka vend për një term të tillë kaq përgjithësues, që në fakt thotë pak apo aspak, mendoj se koha do arrijë të seleksionojë një term më të përshtatshëm dhe ngushtësisht të qartë. Analist politik, komentator, opionist, fejtonist, editorialist, janë zhanre të ndryshëm dhe përgjithësisht të ndarë nga njëri-tjetri brenda lëmit të publicistikës. Nga ana tjetër, kjo nuk mund të përjashtojë kurrsesi rolin e pazëvendësueshëm të intelektualit publik, akademikut-publicist të llojit të Sartorit apo Umberto Eco-s në Itali, Sartrit apo Kunderës në Francë, Habermasit në Gjermani apo Timothi Garton Ashi-it në Angli. Intelektualë ndërdisiplinarë të mirëfilltë, mendimi i të cilëve është kurdoherë i vlefshëm dhe i pazëvendësueshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›