E Diel, 1 Nëntor 2026

Rolin e krijon skena

Analistë, eseistë, komentatorë, opinionistë, kritikë, intelektualë publikë, editorialistë, publicistë – të gjitha këto etiketa u ngjiten autorëve që ligjërojnë në mediat e që kanë diçka të përbashkët mes tyre, pavarësisht nga vijnë e pavarësisht nga mediumi që përdorin; por kjo diçka e përbashkët do të mund të përkufizohej më mirë si “ngjashmëri familjare” (Familienähnlichkeit) në kuptimin që i ka dhënë termit Wittgenstein-i, meqë përcaktim më i afërt vështirë se mund të jepet.

Gjithsesi, publiku i njeh dhe i ndjek këta si autorë e ndonjëherë edhe si autoritete, meqë këta përmbushin një rol të domosdoshëm në dinamikën e komunikimit. Janë të informuar mirë për temat e tyre, edhe pse jo doemos ekspertë; shërbejnë si katalizatorë të dialogut mes palëve sociale shpesh duke shtruar pyetje e më rrallë duke ofruar edhe përgjigje; dhe shquhen për përkushtimin e sprovuar ndaj interesit publik, përtej konflikteve midis partive politike dhe cic-miceve institucionale.

Kohët e fundit kanë fituar dukshmëri të madhe, kryesisht falë kalimit ndonjëherë të detyruar nga shtypi në TV, por edhe për shkak të amplifikimit që u bëhet në mjediset virtuale të Internetit shqiptar; dukshmëria i ka ekspozuar pastaj ndaj ngopjes dhe tejngopjes deri në flakje. Megjithëse ligjërata e tyre nyjëtohet rreth lajmit, nuk e zëvendëson lajmin as mund të zëvendësohet prej tij; sepse lajmi synon objektivitet dhe paanshmëri, ndërsa analiza, opinioni, eseja, editoriali gjithnjë ngjyrosen me individualitetin e atij që flet, filtrohen nëpërmjet mendimit, botëkuptimit dhe arsyes së subjektit.

Kusht që komunikimi të ketë sukses, në këto rrethana, është që publiku t’i besojë zërit ose fytyrës, dhe t’i besojë nga pikëpamja etike para së gjithash, madje edhe sikur të mos jetë i një mendjeje me çfarë po thuhet. Përndryshe jetojmë në një botë ku informacioni na shërbehet kudo – në telefonin celular, në Internet, në radion e makinës, në teleshkruesin e një vetrine dyqani, në televizorin e një bari; dhe sa më i dendur të bëhet pylli i lajmeve, aq më nevojë kemi për shtigje ku të ecim.

Nëse ekziston, sot, njëfarë pështjellimi në lidhje me rolin e këtyre autorëve, ose me funksionin e tyre specifik brenda një rrjeti komunikimi publik të hapur dhe pluralist, kjo në Shqipëri ndoshta lidhet edhe me njëfarë ngushtimi të mediumit, ose me shndërrimin e mass mediave në platforma të vetme të debatit intelektual. Revistat diturore dhe kulturore, konferencat, simpoziumet, forumet akademike e të tjera forma më pak publike të këtij debati nuk mungojnë, por edhe mbeten disi në hije, jashtë vëmendjes së publikut të interesuar; libra botohen, por nuk shiten mirë, as reklamohen mirë e as kritikohen mirë; Interneti shqiptar ende nuk e ka fituar atë shtrirje sa të shërbejë si platformë alternative ndaj mediave tradicionale.

Megjithatë, ngushtimi i mediumit vjen me të mirat e veta, sepse nuk e lejon debatin të shpërndahet, as pluralizmin të shndërrohet në segmentim; publiku shqiptar ende mbetet i organizuar rreth pak kanaleve televizive dhe gazetave të mëdha; më në fund, irritimi me të ashtuquajturit “analistë”, i cili në disa forume virtuale merr përmasa groteske, gjithashtu provon se fjala e tyre ndiqet me vëmendje të madhe kudo, madje përdoret ajo vetë si pikënisje për meta-analiza.

Më në fund, nuk duhet harruar as që natyra e shkrimeve, komenteve, editorialeve, eseve dhe opinioneve varet jo vetëm nga talenti dhe elokuenca e autorëve, por edhe nga të dhënat e përdorshme; sidomos statistikat e ndryshme ekonomike, sociale, arsimore dhe kulturore, të cilat si rregull duhet të ofrohen nga institucionet publike përkatëse, të financuara nga taksapaguesit. Pasioni intelektual për të komunikuar me publikun nuk e kompenson dot mungesën e të dhënave, sikurse kronika e përditshme e komedisë politike, që ndonjëherë përcillet me tepri nga mass mediat, nuk i zëvendëson dot ngjarjet politike të mirëfillta që shpesh ndodhin përtej syrit të kamerës ose të gazetarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›