Ullinj në hije bunkerësh
Zoti i jep Shqipërisë diell pa kursim. I ka dhënë një larmi për ta pasur zili, mal, fushë, shkëmb, të ngrohët, të ftohët, ujë të rrjedhshëm, të ndenjur, det, lumë... Nëse e gjithë toka shqiptare do të ishte e veshur me bimë, ajo do akumulonte më shumë nga energjia e diellit e begatia e tokës. Vazhdimisht ankohemi se kemi shumë shkëmbinj që nuk prodhojnë. Qysh kur nuk mbahet mend e këndej, ne nuk jemi përpjekur të shtojmë tokën, përkundrazi të shtojmë shkëmbin. Kemi grumbulluar vazhdimisht gurë e kemi ngritur kështjella, mure, e më pas jashtëzakonisht shumë bunkerë, rreth 700 mijë, secili prej tyre ndoshta na ka kushtuar sa... një mijë ullinj. Aktualisht kemi filluar garën e betonimit të fushës me ndërtime, që nga buzëdeti e deri në shpatet e maleve. Shkatërrim i pandërprere i malit, betonim i fushës. Nuk dihet nëse dikush po e analizon ketë tendencë.
E gjithë bota ndodhet përpara një sfide, si të sigurojë energjinë e nevojshme, ne e kemi të tepërt, nuk jemi të zotë ta akumulojmë, si energjinë e diellit, të ujit, apo të erës dhe ta përdorim ashtu siç na duhet dhe kur na duhet. Edhe ulliri është një makinë e shkëlqyer, akumulatore e mrekullueshme energjie, në tokë të mirë e të keqe, në fushë, shpat e shkëmb (disa janë të stërvjetër, kanëmbijetuar, vazhdojnë të punojë e të na dhurojnë produkt që para kohës së Skënderbeut).
Një grup ekspertësh gjermanë, që po prezantonin alternativa për bioenergjinë, në një konferencë ndërkombëtare në Tiranë, më 21-22 nëntor të këtij viti, u shprehën skeptikë për tregun për vajin e ullirit. Dikush tjetër shprehet skeptik për kujdesin aktual që tregohet për këtë kulturë, në anë të rrugës Elbasan-Tiranë, kur ullinjtë duken si të braktisur, e gomarët që kullosin së bashku më dhitë e delet, duken sikur janë për fermerët më prioritarë se sa ullinjtë. E gjithë zona kandidate për t’u kthyer në ullishta, është aktualisht e mbikullotur, blegtoria rri pothuaj gjithë vitin jashtë në këto kullota.
Ne na duhet të zbatojmë politika për ta kthyer blegtorinë, nga grumbulluese spontane të barërave ne mes gurëve, në një komponent të kultivuar në stalla, ku bari i mrekullueshëm natyral, të ishte thjesht për të shtuar vlerën tregtare. Delet, dhitë, lopët e gomarët në Shqipëri, nuk mund të kenë lirinë e përjetshme të bletëve për të shëtitur “lule më lule”.
Çdokush është i sigurt që Shqipëria ka nevojë të mbështesë me tepër mbjelljen e kulturave shumëvjeçare, si në fushë, kodër e mal. Këto i duhen për të veshur dhe kuruar tokën e zbuluar, e cila duke humbur “lëkurën”, shtresën që mund të mbajë bimë, jo vetëm nuk e akumulon diellin, por i ngjan një të djeguri që përzhitet nga dielli e gërryhet.
Që Shqipëria të mbjellë më shumë kultura drusore, i duhet, në radhë të parë të ketë politika që mbështesin fermerët në mbjelljen e tyre, të ketë material mbjellës me cilësi të lartë, si dhe të ketë një treg atraktiv, për shitjen e të tilla produkteve. Shqiptarët në Ballkan po krijojnë gradualisht tregun e tyre. Si ulliri, ashtu edhe të tjera produkte strategjike, si perimet, bimët medicinale e shumë të tjera, në një sasi të konsiderueshme na duhen për nevoja të vendasve, por edhe të shqiptarëve që nuk e kanë privilegjine klimës detare në Kosovë e Maqedoni. Por kjo kërkon të konkurrosh me dije, me produkte me cilësi të larte e të kërkuar nga tregu.
Ne kemi kushte predominuese për frutat, por vendet fqinjë janë përshtatur përpara nesh në kultivarët që durojnë transportin, kanë pamje tregtare dhe, megjithëse nuk kanë shijen që ne na pëlqen, përsëri në vendet tradicionale të vreshtit apo të mollës, blejmë fruta të importuara nga fqinjët. E madje, ato që i marrim nga Greqia, janë rritur me mundin dhe djersën e vëllezërve tanë emigrantë.
Pra, duhet që të mobilizojmë përvojën dhe dijet tona, të përgatitemi t’u përgjigjemi pyetjeve që janë pjesë e çdo projekti zhvillimi: ku, pse kur, sa- duke i drejtuar drejt tregut e duke përgatitur kapacitetet njerëzore për të prodhuar energji e prosperitet.
*Ish- Drejtor i Përgjithshëm i Pyjeve dhe Kullotave