E Diel, 1 Nëntor 2026

Gabimet njerëzore, në rrezik pajisja me kartë

18/02/2009  Programi i firmës “Sagen” nuk pranon korrigjime në sistem. Ankohen qytetarët

DURRES- Gabimet njerëzore të bëra nga punonjës të gjendjeve civile apo edhe të tjera të ardhura nga pakujdesitë e dëshmuara kanë manifestuar të parën përplasje mes regjistrit elektronik dhe kodeve të firmës “Sagen”. Kjo e fundit ka marrë përsipër të pajisë të gjithë shtetasit shqiptarë me dokumentin e identifikimit. Por në një javë pune janë depozituar disa ankesa, të cilat janë shfaqur në pamundësinë e kompanisë “Sagen” të korrigjojë gabimet që shkojnë nga certifikata që qytetarët marrin në gjendjen civile.

Problemet

Regjistri elektronik i gjendjes civile në disa rajone të Durrësit ka shfaqur probleme dhe kjo ngase nuk pranohet të bëhet asnjë ndryshim qoftë edhe për rastet kur është gabuar në një shkronjë, në adresën e banimit apo në kolonën e vendlindjes. Modeli për regjistrin elektronik është përzgjedhur në Austri, por për shkak të specifikave shqiptare duket se do të ketë nevojë për një rikonfigurim. Konkretisht nëse një qytetar paraqet ankesë në gjendjen civile lidhur me një gabim të shkruar në regjistrin elektronik nga punonjësja përkatëse, atij ose do i duhet të pranojë gabimin ose të presë një përgjigje lidhur me ndryshimet ose jo. Sipas punonjësve në rajone, nëse në zyrat e gjendjeve civile kryen ndryshimet përkatëse në gabime shkronjash, emrash, vendlindje, vitlindje etj, regjistri në fjalë nuk i ruan këto ndryshme dhe rrjedhimisht ndryshimet nuk dalin në kompjuterët e punonjësve të firmës "Sagem". Ky fakt e vendosë si punonjësin edhe qytetarin përballë një fakti, atij të mos përfitimit të dokumentit. Gjithnjë sipas përgjegjësve të këtyre zyrave në Durrës është thënë se për të riparuar këtë defekt pritet të vinë specialistët austriakë.

Gjirokastër

Nis pajisja me letërnjoftimet e reja

GJIROKASTËR- Qytetarët gjirokastritë i janë drejtuar dje filialit të Postës Shqiptare për të aplikuar për pajisjen me letërnjoftimin e ri elektronik. Burime zyrtare nga filiali i Postës Shqiptare, pohuan se, qysh prej ditës së djeshme ka filluar procesi i pajisjes së qytetarëve me letërnjoftimet elektronike dhe deri tani kanë prerë kuponin mbi treqind të interesuar. Po të njëjtat burime, saktësuan se fillimisht janë 3000 mandate arkëtimi në dispozicion të qytetarëve, ndërsa në varësi të kërkesës do të bëhet edhe furnizimi i postës me të tjera mandate arkëtimi nga firma, e cila merret me këtë proces. “Prioritet nga filiali i Postës Shqiptare do të kenë ata shtetas shqiptarë, të cilët nuk janë pajisur me pasaportë për jashtë shtetit”, u shprehën burime zyrtare. Ndërkohë, mësohet se pranë bashkisë së qytetit të Gjirokastrës është ngritur edhe zyra e aplikimit për pajisen e letërnjoftimit të ri elektronik. Tre punonjësit janë specializuar në Tiranë dhe tashmë ata janë gati të fillojnë procedurat për pajisen e qytetarëve gjirokastritë.

Afishimi, në fund të shkurtit

Gati lista paraprake e zgjedhësve

FIER- Ka nisur procesi i listave paraprake të zgjedhësve. Drejtuesja e zyrave të gjendjes civile, Lumturi Mocka, ka pohuar se brenda datës 27 shkurt listat do të afishohen dhe nga ana tjetër ka shpjeguar procedurat që duhet të ndjekin ata që nuk do të gjejnë emrin e tyre në këto lista. Të gjitha njësitë vendore të qarkut Fier, kanë nisur procesin e përgatitjen e listave paraprake të zgjedhësve. Sipas përgjegjëses së gjendjes civile, Lumturi Moçka, fillimisht nga njësitë vendore të qarkut ka nisur puna për hedhjen e të dhënave nga lista e zgjedhësve dhe heqjen e dublimeve. Sipas urdhrit të Ministrisë së Brendshme dhe drejtorisë së gjendjeve civile, të dhënat e listës së zgjedhësve do të përfundojnë brenda muajit shkurt të këtij viti. “Listat e zgjedhësve në CD elektronike si dhe të printuara do të dalin nga pushteti vendor, nga zyrat e gjendjes civile. Programet kanë ardhur nga drejtoria e përgjithshme, është bërë heqja e dublimeve nga regjistri kombëtar do të bëhet përgjithësimi, pra verifikimi i shtesave që janë bërë sipas njësive të qeverisjes vendore nga zyrat e gjendjes civile, për të gjithë shtetasit që kanë të drejtë vote deri më datën 28 qershor. Listat paraprake duhen t’i kenë përfunduar njësitë vendore deri më datën 24 shkurt dhe duhet të dërgojnë CD elektronike në drejtorinë e përgjithshme të gjendjes civile, me qëllim që të pastrohen nga regjistri kombëtar”, tha Moçka. Bashkia Fier numëron deri tani 60 mijë zgjedhës. Ekziston mundësia që shumë persona nuk kanë emrin e tyre në listë, sikurse edhe për pajisjen e tyre me pasaporta për jashtë shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›