E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skiatorja shqiptare përplaset me pemët

18/02/2009  Ndërron jetë 30-vjeçarja

Prokuroria italiane në zonën Luça ka kapur një hetim për incidentin që i kushtoi jetën një vajze 30-vjeçare nga Korça, e martuar me një italian. Bruna Muçollari që bënte ski në dëborë ndërroi jetë pasditen e së dielës në Careggine. Ndonëse rrethanat e ngjarjes flasin për një incident, organet e specializuara vendosën që të rihetojnë ngjarjen, ndërsa po shihet mundësia që trupi i pajetë i vajzës të sillet në Shqipëri, ku do t’i dorëzohet familjes për ta përcjellë më pas për në banesën e fundit. Mediat italiane shkruajnë se dinamika e rënies ishte e pabesueshme dhe se gjithçka ndodhi para syve të të shoqit, vajzës dhe miqve. Bruna ishte duke bërë ski në një nga impiantet e pistës gjigante në hotelin “Genzianella”. Sapo arriti në një pikë të caktuar Muçollari ra dhe u spostua lehtas për disa metra me qëllim që t’u linte hapësirë edhe skiatorëve të tjerë. Por aty ndodhi edhe tragjedia sepse ajo u përplas fillimisht me një masë të madhe akulli e më pas përfundoi në pyllin e dendur, ku përplasja e menjëhershme me dy pemë, pas fluturimit në ajër për disa metra i shkaktoi vdekjen e menjëhershme. Dje u zhvillua ceremonia mortore në orën 15.00 në kishën San Michele Arcangelo, në Pontasserchio. Bruna Muçollari kishte mbushur 30 vjet në janar dhe jetonte me të shoqin, Tiziano Ceçarelli dhe të bijën 4 vjeçe. Tragjedia e së dielës ndodhi pasditen e vonë, pasi kishin kaluar një ditë të zhurmshme plot aktivitete në shoqërinë e miqve. Nga Korça, në 30 janar të vitit 2003 Muçollari kishte kaluar kufirin për në Austri dhe gjatë kësaj kohe ishte njohur me personin që më pas u bë bashkëshorti i saj, teksa ky i fundit kishte hapur një kompani biznesi. Vajza e re punonte me kontratë në një kompani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›