Presidenti i Liverpulit: Jam tifoz i Çelsit prej 55 vitesh
Sezoni i tmerrshëm për tifozët e Liverpulit duket se nuk po mbaron. Pas zhgënjimeve në fushë, tronditja e radhës vjen nga deklarata e presidentit të klubit, Martin Brugton. Drejtuesi i emëruar së fundmi, për të menaxhuar shitjen e “Reds”-ave, konfirmoi se është një tifoz i vjetër i çelsit dhe se për këtë arsye nuk do ta ndjekë nga stadiumi sfidën ndërmjet Liverpulit dhe bluve të Ançelotit. “Nuk mund të presësh që një tifoz i vërtetë, i cili ka mbështetur një skuadër për 55 vjet si në rastin tim, papritmas të kthehet kundër klubit që mbështet”, deklaroi Brugton. “Kur ndjek një skuadër gjatë gjithë kohës, ashtu si unë, tifozllëku të hyn në gjak. Mendoj se ata që janë fansa të vjetër të Liverpulit më kuptojnë. Kjo është arsyeja përse nesër (sot) nuk do të jem në stadium, pasi mund të shpreh emocione që tregojnë mungesë respekti ndaj tifozëve të Liverpulit”. Skuadra e Benitez kërkon fitoren për të shpresuar në kualifikimin në Champions, ndërsa çelsi synon tri pikët për t’u mbrojtur nga sulmet e Mançester Junajtid.
#