Lorik Cana: Vetëm Milani na frikëson
Jashtë fushave që nga fillimi i vitit, Lorik Cana, nuk ka pasur akoma shansin për të luajtur në asnjë nga kompeticionet. As kundër Tuentes në Kupën UEFA dhe as dhe kundër Lë Manshit në kampionatin francez, shqiptari nuk hyri në ndeshje. “Unë shpresoja se do të luaja kundër Lë Manshit, por rrethanat nuk më lejuan të luaja një pjesë kohe të kësaj ndeshjeje, fillimisht pas dëmtimit të Zhylien Rodriguez, e më pas sulmuesit që hynë në ndeshje me synimin për të zhbllokuar rezultatin. “Shpresoj të luaj kundër Tuentes (në ndeshjen e kthimit), nëse trajneri do të ma kërkojë, nga fillimi i ndeshjes apo gjatë lojës, aq më mirë kjo e fundit, pasi do të më lejonte të rigjeja ritmin”, shprehu dëshirën e tij kapiteni marsejez, i cituar nga faqja franceze foot1.fr, i cili sheh si më të mundshëm aktivizimin e tij në ndeshjen kundër ekipit holandez. “Pashë lojtarë me kualitete tek ekipi i Tuentes (Marseja humbi 0-1). Por, edhe nëse i kemi kompromentuar shumë shanset dhe shpërdoruam ndeshjen e shtëpisë, nuk është e pamundur të kalojmë turin. Përveç Milanit, asnjë ekip nuk më shkakton frikë në këtë kompeticion (Kupa UEFA). “Tani ne nuk jemi favoritë, por nga ana tjetër kërkojmë të kualifikohemi, edhe pse e dimë se kjo do të jetë shumë e komplikuar. Konteksti i ndeshjes do të jetë i ndryshëm, pasi jemi me një gol disavantazh, por nga ana tjetër, kemi fatin të kemi një ekip të aftë që të shënojë në çdo fushë. Unë besoj te kualifikimi”, tha për televizionin e klubit të Marsejës, Lorik Cana.