Pyetje vetes për spotin e Bashkisë
Romeo Hanxhari *
Ndërkohë që shikoj tërë këto ditë spotin e Bashkisë së Tiranës për pastrimin në qytet, si qytetar i tij më vijnë disa pyetje. E, e para pyetje elementare që vazhdimisht po ia bëj vetes është “Ok, nëse institucionet publike bëjnë as më shumë as më pak, por detyrën për të cilën mandatohen (dhe paguhen), a duhet ato t’i bëjnë reklamë asaj çka po bëjnë?”. …Thënë ndryshe, që duke shpenzuar mirë e mirë taksat e mia, të më thonë pikërisht që …taksat e mia po i shpenzojnë mirë? Nuk e di… Megjithatë, në fund të fundit edhe kjo mënyrë e shpenzimit të taksave qytetare do të mund të tolerohej pa pikë problemi, por ama vetëm në një rast: vetëm nëse mesazhi që do të duhej të jepej është krejt i ri për komunitetin, krejt i ri për mënyrën e tij të jetesës, dhe si i tillë pra do të kishte absolutisht nevojë për tam-tame të të gjitha llojeve që të buçasë në veshët e atij komuniteti.
Kjo e fundit më sjell tek e dyta pyetje që vazhdimisht po ia bëj vetes: “Ok, nëse mesazhi duhet të sjellë diçka të re, çfarë të reje ka fakti që ‘Bashkia mbledh plehrat’”?! Më duket se asnjë të re nuk përfaqëson, të paktën në listën e gjërave më elementare për të cilat kjo Bashki na i merr taksat. Pra, mos vallë pritet nga ne qytetarët që të brohorasim për këtë?! Jo. Dhe jo vetëm që s’kemi pse brohorasim, por përkundrazi. Sepse po ta shohim me kujdes, spoti i Bashkisë ashtu si është jep efektin krejt të kundërt të asaj çka do të duhej të ishte. Në kuptimin që duke u paraqitur situata e menaxhimit të problemit të mbetjeve urbane si perfekte në këtë spot, Bashkia jo vetëm që nuk i fton qytetarët drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme, drejt zgjidhjes së vërtetë, jo vetëm nuk i fton që të pakësojnë sasinë e mbetjeve, por paradoksalisht dhe indirekt i nxit qytetarët që …të gjenerojnë sa më shumë mbetje urbane. Mesazhi i spotit pra del: “Sado gjithmonë e më shumë mbetje të prodhoni ju qytetarë, ne Bashkia i mbledhim pa problem, sepse jemi si ato zanat që bëjnë mrekullira. Pra jepini, bëni sa më shumë plehra që të mundni, se ne padyshim që do t’jua heqim qafe me 880 punëtorë sot dhe me 1880 nesër”. Prandaj jam i bindur pra që mesazhi do të duhej të kishte thelb krejt të kundërt. Krejt të kundërt. Sepse, edhe pse mungesa vërtet ulëritëse e “edukimit mjedisor” të publikut në këtë qytet do ta justifikonte shpenzimin, në fakt edukim të shëndoshë mjedisor në atë spot nuk ka në asnjë element. Fatkeqësisht. Sepse mesazhi i drejtë do të duhej të ishte jo “lustrimi” i situatës për mbetjet, por “alarmi” për të. Do të thotë që Bashkia do të duhej t’u binte tam-tameve të alarmit të tipit: “Qytetarë të Tiranës, nëse ju nuk reduktoni, nëse ju nuk ripërdorni, nëse ju nuk ricikloni pjesë të mbetjeve tuaja urbane, ne si qytet do të gjendemi shumë shpejt në kolaps, dhe do të paguajmë gjithmonë e më shumë me xhepat tanë dhe me mjedisin tonë”. Në parantezë për këtë historinë e “kolapsit”, mjafton të themi se me rritjen aktuale të përvitshme të sasisë së mbetjeve për banor në ditë, qyteti i Tiranës shumë shpejt do të ketë nevojë për një Sharrë të re, dhe për dyfishin e parave që harxhon aktualisht për pastrim. …Dhe, kuptohet lehtë se cilët do të ishin të interesuar për këtë lloj skenari. Qytetarët e Tiranës jo, në çdo rast. Bizneset e tenderave ndoshta po.
Edukim i shëndoshë mjedisor do të ishte të orientoje qytetarët se si të vepronin konkretisht në luftën e përditshme për mjedisin, p.sh., për të reduktuar volumin e mbetjeve, duke i udhëzuar ata midis të tjerash që t’i shtypin shishet e ujit para se t’i hedhin në kosh, apo që të përpiqen të përdorin edhe 2 a 3 herë të njëjtën qese plastike, apo, apo… Dhjetëra zgjidhje të tilla “të vogla” e modeste, por konkrete do të duhej të jepnin këto spote, gjë që nuk e bëjnë. Spoti do të duhej të edukonte idenë se luftën e mjedisit qyteti e fiton pikërisht vetëm nëse çdo qytetar fiton nga një betejë të vogël përditë. Dhe, sërish, qytetarët këtë nuk e marrin në këtë rast.
E, kjo më sjell tek e treta pyetje që vazhdimisht këto ditë po ia bëj vetes, një pyetje për të cilën në fakt secili qytetar mund të japë përgjigje: “Ok, nëse Bashkia me këtë spot të kushtueshëm nuk po na jep atë çka do të duhej të jepte, pra nëse nuk po na jep tam-tamin e alarmit për itinerarin e 3R-ve, Reduktimin-Ripërdorimin-Riciklimin e mbetjeve, nëse Bashkia sidomos nuk po na edukon si të na bëjë ne qytetarëve pjesë të kësaj mënyre moderne zgjidhjeje, pra nëse spoti nuk e bën pikërisht këtë, …atëherë për çfarë po i shërben ai spot qytetarëve që po e paguajnë atë me taksat e tyre, për çfarë po i shërben ai qytetit tonë”?! Nuk po them se i shërben vetëm fushatës..., por një gjë është e sigurt, dhe më vjen keq: ai spot vetëm mjedisit nuk i shërben. Vetëm mjedisit jo.
*Universiteti i Tiranës
PhD në Menaxhim i Mjedisit
dhe Burimeve të Territorit