Gaddafi: Jam gjallë, s`largohem

Muamar Gadafi deklaron se ndodhet në Tripoli dhe se nuk do të largohet nga Libia. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia ruse e lajmeve "Interfax", sipas të cilës, kreu i Federatës Ndërkombëtare të Shahut, Kirsan Ilyumzhinov ka zhvilluar një bisedë telefonike me liderin libian. Në bisedën telefonike, e cila është iniciuar nga djali i kolonelit, Muhamad Gadafi, lideri i Libisë ka thënë se forcat e tij po përzënë nga kryeqyteti i vendit rebelët, ose minjtë siç i ka quajtur ai.
"Unë jam gjallë dhë gëzoj shëndet të mirë. Jam në Tripoli dhe nuk kam ndërmend që të largohem nga Libia. Mos i besoni gënjeshtrat që thonë mediat perëndimore", citohet të ketë thënë Gadafi, sipas "Interfax". Ndërkohë, kryengritësit libianë kanë rrethuar dhe sulmuar vendstrehimin e kolonel Gadafit.
Teksa kryengritësit rrethuan dhe sulmuan forcat besnike të Gadafit, aviacioni i NATO-s ka goditur disa nga shënjestrat e saj. Ndërkaq, shefja e diplomacisë së BE-së, Kethrin Eshton ka zbuluar detaje të një bisede që ka zhvilluar me kreun e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit Abdel Xhalil. Në bisedën që ka zhvilluar me baroneshën Eshton, Xhalil ka deklaruar se rebelët kanë marrë nën kontroll 80 përqind të Tripolit.
Tani rebelët po festojnë me të shtëna në ajër. Pikërisht në bunker ku mendohej se ishte Muammar Gheddafi, ka tunele të gjatë deri në 30 kilometër që e lidhin me detin. Kështu që përleshjet mund të vazhdojnë edhe në brendësi.
Shefi i diplomacisë britanike, Hague ka deklaruar se regjimi i Gaddafit është drejtë fundit. Hague u shpreh se Libia do të jetë çliruar brenda 72 orëve. Ndërkaq, shefi i diplomacisë britanike nuk mohon faktin se në Libi ka ende probleme të mëdha.