Kryengritësit libianë depërtojnë në kompleksin e Gadafit

Libia po përjeton orët e saj më të vështira. Rrjeti informativ BBC, bazuar në informacionet që përcjell televizioni Al Xhazira, raporton se qindra kryengritës kanë arritur të depërtojnë në kompleksin e Muamar Gadafit. Ndërsa rebelët festojnë duke qëlluar me armë zjarri, forcat luajale të Gadafit kanë ndërprerë luftimet, ndërkohë që rebelët kanë marrë nën kontroll pjesën lindore të vendit. Rebelët libianë konfirmojnë se kanë marrë kontrollin e një prej hyrjeve të kompleksit rezidencial të Gadafit në Tripoli, ku luftimet e dhunshme vazhdojnë.
“Forcat tona janë vendosur në Bab al-Azizia, rezidenca e kolonel Gadafit në kryeqytet dhe ne kemi marrë kontrollin e një prej hyrjeve të rezidencës”, deklaroi koloneli i rebelëve, Ahmed Omar Bani.
Edhe burimet nga Pentagoni bëjnë me dije për BBC se rebelët kontrollojnë pjesën më të madhe të Tripolit.
Nga ana tjetër, Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-së bën me dije se po monitoron pikat ku regjimi i Libisë i ka ruajtur armët kimike.