Opozita do të vijojë protestat
Situata politike në Tiranë mbetet e tensionuar. Qeveria dhe opozita vijojnë të shkëmbejnë akuza me gjuhë të ashpër.
Partia Socialiste këmbëngul se do të intensifikojë demonstratat për largimin e qeverisë.
Sipas kryetarit te PS, Edi Rama, zgjidhja e krizës politike në vend vjen me largimin e Berishës dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Por qeveria thotë se kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është ende në pritje të emrave të anëtarëve të komisioneve zgjedhore të opozitës, ndonëse afati është tejkaluar.
"Ne jemi në këtë betejë më të vendosur se kurrë dhe jemi sot më shumë se asnjëherë pasi është i domosdoshëm çlirimi nga kthetrat e politikës së vjetër," ka ripërsëritur të martën në Tiranë Edi Rama.
Në pikëpyetje mbeten zgjedhjet lokale të 8 majit. PS bën çdo ditë thirrje se duhet të ndryshohen kushtet për zgjedhjet sepse, sipas opozitës ato nuk mund të zhvillohen në situatën aktuale.
I pyetur nëse do të rikandidojë sërish për kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama është përgjigjur se "kjo është një çështje do të zgjidhet në mënyrën e duhur në tërësinë e të gjithë aspektit politik, por një gjë është e sigurt që shumëkush në oborrin e pushtetit buzëqesh para kohe me këngën e largimit". /bbc/