E Diel, 1 Nëntor 2026

Pacolli presidenti i ri Do punoj vetem per Kosoven

(UPDATE) Me 62 vota pro, katër kundër dhe një të pavlefshme, Behgjet Pacolli është zgjedhur presidenti i ri i Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme. Zgjedhja e tij erdhi në raundin e tretë dhe të fundit të votimit. Për Pacollin kanë votuar vetëm deputetët e  partive të koalicionit qeverisës, pasi partitë e opozitës kanë lënë seancën që në nisje të votimit. Pas zgjedhjes së tij, Pacolli ka premtuar se do të kujdeset për interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ai ka përmendur arritjet e vendit në rrugën drejt demokracisë, dhe ka theksuar se nevojitet ende shumë punë për tu bërë.

• Qeveria e re e Kosovës

"Me këtë mandat po hyjmë në fazën e re të shtetndërtimit të Kosovës, në fazën kur duhet të forcojmë fondamentet e shtetit të Kosovës me vizion të qartë dhe pa frikë nga e ardhmja. Ne do të korrim sukses, këtë u garantoj qytetar të nderuar sepse jemi të përkushtuar që suksesin ta arrijmë vetëm me punë profesionale dhe me nder. Prandaj, të dashur qytetar të Kosovës dhe deputet të kuvendit të Kosovës, së bashkua tia fillojmë punës. Jemi me vonesë", deklaroi Behgjet Pacolli, presidenti i ri i Kosovës.

Më pas, ai ka kryer betimin para Kuvendit, duke nisur mandatin katërvjecar në krye të shtetit të Kosovës. Seanca e jashtëzakonshme dështoi të zgjedhë Behxhet Pacollin presidentin e ri të vendit në raundin e pare dhe të dytë të votimit. Ai ka marrë 54 vota pro në votimin e parë, 58 vota në të dytin, ndërsa deputetët e lëvizjes Vetëvendosja dhe AAK-së kishin braktisur sallën. Më herët, Grupi Parlamentar i LDK-së ka deklaruar mospjesëmarrjen në votimin e presidentit dhe qeverisë. Raundi i parë dhe i dytë i votimit për presidentin kanë kërkuar dy të tretat e votave.

Juli Prifti Azhornuar së fundi ( e martë , 22 shkurt 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›