Gafa e Berishës me rritjen e GDP
aristir lumeziMë e pakta është gafë, pasi si mashtrim do të ishte shumë i hidhur. Kryeministri, me siguri do të ketë ngatërruar shifrat, ose rreshtat e leximit të tabelës, kur para dy ditësh deklaroi se rritja ekonomike e vendit këtë vit do të jetë 9 për qind. Ai ju referua raporti të "UniCredit", një ndër bankave më të mëdha të Evropës për ekonominë shqiptare. Por shifra e thënë nga Berisha nuk ekziston në këtë raport. "Sipas vlerësimeve të Bankës "UniCredit", ndër më kryesoret në Evropë, Shqipëria këtë vit do të ketë një rritje rreth 9%. Kur e lexova para dy ditësh përshëndeta parashikimin optimist, por gjithashtu urova që ta kemi, por kur shoh këto statistika, them me bindje se parashikimi do të jetë një realitet. Po kjo bankë, jep një rritje prej 7 % për vitin 2009." Këto ishin fjalitë, që të paktën kanë habitur deputetët ekonomistë, në grupin parlamentar të PD dy ditë më parë. Në fakt, Berisha (nuk dihet me qëllim apo jo), i është referuar vlerës së GDP jo rritjes së saj. Në raportin e UniCredit, (të shpërndarë nga vetë Kryeministria dje, si një përpjekje për t'i bërë eko lajmit të kryeministrit), theksohet qartë që në rreshtin e parë të tabelës së parashikimeve, se në vitin 2010 vlera e GDP do të jetë 8.9 miliardë euro. Ndërsa në rreshtin e katërt të tabelës parashikohet se rritja e GDP, nga viti në vit, do të jetë 2 për qind. Por duket se kryeministri ka lexuar vetëm rreshtin e parë të tabelës, ose i kanë thënë të lexojë vetëm atë. Pak naïv ky gabim, që mbart të gjitha ngjyrat e një "gafe". Shifra 8.9 është vlera e prodhimit shqiptar dhe ka mbrapa shtesën, "miliardë euro". Ndërsa shifra 2, është shifra e rritjes së prodhimit, dhe ka mbrapa shtesë "për qind". Po kaq e rëndë është edhe "gafa" për rritjen e GDP në vitin 2009. Berisha thotë që UniCredit parashikon që rritja të jetë 7 për qind, ndërkohë që vetë raporti i bankës, tregon që në hyrje të saj që rritja do të jetë 3.5 për qind. Në fakt në shifra 7 për qind, nuk gjendet në asnjë rresht të raportit të bankës. Në fakt, ekonomistët e UniCredit, edhe pse me shifra shumë të ndryshme nga ato që lexoi Berisha, shprehen në raport fort optimistë për rritjen ekonomike shqiptare. Shifra prej 3.5 për qind në vitin 2009 është ndër më të lartat në rajonin e përfshirë nga kriza ekonomike. Por në rreshtin e tretë të tabelës, ku u "gjetën" shifrat optimiste, ka disa të dhëna pesimiste. Edhe pse të ndikuara nga kursi i këmbimit, të GDP për frymë e shqiptarëve gjatë vitit 2009 është më e vogël se ajo e vitit 2008. Gjatë vitit të kaluar, GDP për frymë ishte 2710 euro, ndërsa në vitin 2008 ishte 2777 euro për frymë. Pra ka një rënie dhe sigurisht rëniet nuk janë optimiste.