Ligji i SHISH, BE dhe SHBA kundër projektit të Qeverisë
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dalin kundër Qeverisë, përsa i përket ndryshimeve në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror. Në prag të diskutimit të draftit në komisionet kuvendore dhe kalimit më pas në seancën parlamentare, faktori ndërkombëtar zyrtarizon publikisht qëndrimin e tij. Në një prononcim për "Top Channel", ambasadori i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan theksoi se gjatë përgatitjes së opinionit për kërkesën e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Brukseli zyrtar do të shohë me kujdes edhe çështjet e kompetencave të institucioneve të pavarura. "Në procesin e përgatitjes së opinionit për kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe vlerësimit të kritereve politike, Komisioni Evropian merr në analizë edhe çështje të tilla, si për shembull kompetencat e Shërbimit Informativ në një shoqëri demokratike, llogaridhënien dhe kontrollin e tij", theksoi Lohan. Nga ana tjetër edhe Uashingtoni i kërkon Qeverisë që të bëjë kujdes në miratimin e ndryshimeve në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror. "Lidhur me projektligjin për Shërbimin Informativ, është një çështje me rëndësi që meriton të shqyrtohet me kujdes dhe durim. Shqyrtimi duhet të marrë parasysh aspiratat euro-atlantike të Shqipërisë dhe detyrimet e saj si një aleat i NATO-s", tha zëdhënësi i Ambasadës Amerikane në Tiranë në prononcimin për Top Channel. Drafti i qeverisëNë variantin e miratuar në janar nga Qeveria dhe që do të kalojë brenda pak javësh në Parlament, parashikohet që drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror të ketë mandat 5-vjeçar me të drejtë riemërimi edhe për një herë tjetër. Me ligjin aktual, kreu i këtij institucioni nuk ka mandat. Ndërkohë procedura e zgjedhjes do të jetë si më parë, me propozim të Kryeministrit dhe emërim të Presidentit. Por në ligjin e vitit 1998 është shtuar një nen tjetër, i cili parashikon që kandidati për drejtor të SHISH-it, para se të propozohet nga kryeministri, të kalojnë përmes një seance dëgjimore në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Parlament. "Me propozimin e Kryeministrit, Presidenti i Republikës emëron dhe shkarkon drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Për kandidaturën e propozuar, Kryeministri merr mendimin e Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare. Drejtori qëndron në detyrë për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi vetëm një herë", thuhet në paragrafin e parë të nenit 5/1 të shtuar në ndryshimet e miratuara nga Qeveria. Gjithashtu në objektin e punës së këtij institucioni, është shtuar një detyrë e re, që ka bëjë me luftën kundër korrupsionit në administratë. "Shërbimi Informativ i Shtetit ka për detyrë: të mbledhë informacion për njohjen, zbulimin, parandalimin e krimit të organizuar, të kontrabandës, pastrimit të parave, si dhe për korrupsionin e personave që ushtrojnë funksione publike; të mbledhë, me miratimin e Kryeministrit, informacion për shërbimet e inteligjencës së shteteve të tjera", thuhet më tej në pr.ligjin e Qeverisë. Por pika e cila kontestohet ashpër është pikërisht një fjali në nenin 5, që thotë se "Drejtori i SHISH-it i paraqet Kryeministrit një raport vjetor për punën e Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe i raporton atij, në çdo kohë, dhe për çdo çështje, që lidhet me veprimtarinë e tij".