Vrasja e trajnerit, pronari i lokalit masë vetëm për armën
TIRANE – Avni Goca, i cilësuari zyrtarisht nga policia si “i dyshuar” për autorësinë e vrasjes së ish atletit Hasan Rakipi, pak ditë më parë në Kamëz, u la dje në masën e sigurisë “arrest me burg” për një afat 30-ditor. Gjykata e Tiranës caktoi këtë masë sigurie për Gocën vetëm për akuzën e “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”. Goca, pronari i lokalit para të cilit u ekzekutua me 6 plumba mbrëmjen e së shtunës ish-atleti i “Dinamos” u paraqit dje në Gjykatën e kryeqytetit për caktimin e masës së sigurisë. Burime pranë seancës sqaruan se përfaqësuesi i akuzës kërkoi për të pandehurin “arrest me burg” me afat. Po sipas burimeve, mësohet se i pandehuri nuk ka folur në seancë përveç konfirmimit të gjenealiteteve. Në përfundim gjykata ka caktuar lënien e të pandehurit në qeli për një afat 30-ditor. Burimet bënë të ditur se gjatë seancës është përmendur fakti se i pandehuri po hetohej rreth dyshimeve si i përfshirë në vrasje, por dje ndaj tij nuk është komunikuar asnjë akuzë tjetër veç “mbajtjes pa leje të municioneve luftarake”. Avni Goca u arrestua një ditë pas ngjarjes ku u vra Hasan Rakipi. Arrestimi i tij erdhi pas gjetjes dhe sekuestrimit në banesën e tij të një sasie prej 100 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm. Veç këtij fakti, “shenjestrimi” i tij si i dyshuar në ngjarja ka ardhur edhe si pasojë e një mospërputhje për vendndodhjen e tij gjatë momentit të krimit në deklarimet e tij dhe të familjarëve të tij në polici. Dy ditë më parë policia e kryeqytetit e cilësonte Gocën zyrtarisht të dyshuar si autor të vrasjes së ish-atletit. ar.ba