Pronat, Kushtetuesja refuzon sindikatat
"Qeveria po cenon rëndë të drejtën e pronës dhe lirinë sindikaliste". Kështu u shprehën dje përfaqësues të sindikatave në Gjykatën Kushtetuese ndaj ligjit më të ri të Qeverisë, i cili kërkon t'u shtetëzojë pronat e tyre. Gjykata Kushtetuese nisi dje shqyrtimin e kërkesës së sindikatave, të cilat kërkonin shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ligjit nr.10159, datë 15 tetor 2009 dhe pezullimin e ekzekutimit të këtij ligji deri në përfundim të procesit të gjykimit nga kjo gjykatë. Kushtetuesja vendosi dje në fund të seancës të rrëzojë kërkesën e sindikatave për pezullim të zbatimit të ligjit, duke e cilësuar atë të padëmshëm në pasoja deri në dhënien e vendimit përfundimtar të saj, për sa kohë nuk kanë dalë dhe udhëzimet sqaruese të këtij ligji. Sindikatat kanë akuzuar Qeverinë se me ligjin e ri që ka miratuar po i heq atyre të drejtën e pronësisë mbi objektet e trashëguara nga Bashkimet Profesionale por dhe të sanksionuara nga një ligj i mëparshëm. Në këtë mënyrë sipas përfaqësuesve të sindikatave, po dëmtohet rëndë dhe lëvizja sindikaliste në Shqipëri. Sipas tyre, në objektet që sindikatat kanë në pronësi, përveç të ardhurave që sigurojnë nga dhënia me qira e tyre kontraktuesve të tretë, ata organizojnë dhe jetën e tyre sindikaliste, seminare, konferenca, kongrese, aftësime profesionale por dhe pushimin e sindikalistëve në periudha të ndryshme të vitit. Në mbrojtje të pronave të tyre të paluajtshme, të gjitha sindikatat e Shqipërisë, të cilat për vite kanë qenë në procese gjyqësore mes tyre, dje ishin bashkë me një objekt ankimimi të përbashkët. Kundër ligjit të Qeverisë ishin pesë sindikata që iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Shqipërisë, Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, Sindikata e Pavarur e Transportit të Shqipërisë dhe Sindikata Rajonale Elbasan. Qeveria, e përfaqësuar nga drejtoresha e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, Marsida Xhaferrllari tha se sindikalistët kanë abuzuar me pronat në kurriz të interesit publik. Ndaj është e nevojshme, sipas saj, që këto pasuri t'i marrë në administrim shteti. Në artikulimin e këtyre akuzave, Xhaferrllari iu referua raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit por dhe informacioneve nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Nga ana e tyre sindikatat argumentuan se një pjesë e mirë e pasurive të tyre, u është dhënë me kontratë disa vjeçare palëve të treta, të cilët nga ana e tyre kanë investuar në to miliona euro, ndaj sipas sindikatës dëmi në rast se ato shtetëzohen është i dyfishtë. a.lAntikushtetutshmëria e ligjit të Qeverisë Ligji 10159 cenon në mënyrë arbitrare të drejtën e lirisë sindikale Duke privuar pronat e sindikatave, cenohet haptazi autonomia ekonomike e tyre Ligji lejon ndërhyrjen e autoriteteve në vetë ekzistencën e lirisë sindikale, pasi duke shpronësuar pronat e tyre, bëhet i pamundur funksionimi i saj Përkundrazi, shteti ka detyrimin pozitiv të garantojë edhe ekonomikisht veprimtarinë sindikale Shpronësimi pa dobi publike, që pamundëson funksionimin e sindikatave, përbën thelbin e pa kushtetutshmërisë së ligjit Ligji duhet të balanconte interesat e sindikatave me ato të ish pronarëve Ligji 10159 ka probleme me cilësinë e tij. Nuk përcaktohet qartë nëse "shfuqizohet" administrimi i pronës së sindikatave, apo "shfuqizohet" e drejta e pronësisë së tyre.