Sherri në “Facebook”, vritet i riu
Etleva DeliaNjë sherr i vjetër për nderin e motrës, që më pas ka vazhduar me fyerje e kërcënime në faqen e internetit “Facebook”, përfundoi dje me vrasjen e një të riu në periferi të Tiranës, në Kamëz. Robert Dishmema, 22 vjeç, është plagosur rëndë dhe ka mbetur i vdekur sapo ka mbërritur në Spitalin Ushtarak. Policia e Tiranës tha se ka arrestuar të dyshuarin e ngjarjes brenda pak minutash. Burimet zyrtare nga policia thanë se autori i dyshuar është 18-vjeçari, Bukurosh Muçeku. Ngjarja ka ndodhur përballë shkollës së mesme të Agrobiznesit, në të njëjtën orë, rreth 15:30 dhe pothuajse në të njëjtin vend në Kamëz të Tiranës, ku mbeti i vrarë me armë zjarri katër ditë më parë ish-atleti, Hasan Rakipi. Burime nga grupi i ekspertëve, që po merren me hetimin e ngjarjes, thanë se i arrestuari ka pranuar autorësinë e krimit, duke pohuar se gjithçka e ka kryer për nderin e motrës së tij. Sipas deklarimeve paraprake që ai ka dhënë mbrëmjen e djeshme në polici, mësohet se 22-vjeçari Dishmema, i ngacmonte vazhdimisht motrën dhe për këtë arsye ka nisur një debat mëngjesin e djeshëm mes tyre. Autori e kishte zbuluar gjithçka nëpërmjet faqes “Facebook” dhe kishte pritur momentin që viktima të futej në një internet-kafe, në mënyrë që të vërtetonte se ishte pikërisht 25-vjeçari ai që e fyente në “Facebook”, njëkohësisht i ngacmonte edhe motrën. I dyshuari Muçeku i ka kërkuar shpjegime viktimës, duke kërcënuar fillimisht me fjalë. Dishmema nuk i ka përfillur fjalët e 18-vjeçarit dhe është larguar bashkë me disa shokë të tij, por nga pas i është vënë autori me “grupin” e vet. Ata e kanë ndjekur viktimën dhe janë përleshur me të deri sa kanë përfunduar me përdorimin e thikave. Të rinjtë janë futur nëpër rrugicat e zonës së Kamzës dhe kur ndodheshin përballë shkollës së Agrobiznesit, Robert Dishmema është goditur disa herë me thikë dhe personat e tjerë, nga të dyja palët janë larguar sërish nëpër rrugica, duke e lënë të shtrirë. DESHMITARETTë njëjtët persona që kanë qenë të pranishëm katër ditë më parë, kur në Kamëz u vra trajneri Hasan Rakipi, ishin dëshmitarë edhe të vrasjes së mbrëmshme, të Robert Dishmemës. Banakierja e lokalit, në pronësi të Avni Gocës, i cili u arrestua pas vrasjes së Rakipit në derë të lokalit të tij, tregon se ka parë përleshjen mes të rinjve. Madje gruaja tregon se djali i gjakosur, të cilin ajo nuk e njihte, kërkonte ndihmë që ta dërgonin në spital, por të gjithë u larguan dhe ai mbeti i shtrirë në trotuar. “Pamë grupe të rinjsh që po dilnin nga rrugicat anash lokalit duke u shtyrë dhe duke u goditur me grushte, deri sa dolën përballë shkollës në trotuar. Aty siç duket e goditën njërin prej tyre dhe të tjerët u larguan duke vrapuar nëpër rrugicat nga kishin ardhur”, tregoi mbrëmë për gazetën njëra nga dëshmitaret. Sipas saj, djali i plagosur ka ecur duke u zvarritur përgjatë trotuarit, për afro 20 metra, deri sa në një moment nuk po lëvizte dot më dhe kërkonte ndihmë. “Nuk e njihnim kush ishte. Një djalë këtu në lagje e mori me makinën e tij për ta dërguar në spital. Më pas morën vesh që ai kishte vdekur sapo kishte mbërritur atje”, tregoi banakierja. Persona të tjerë që ndodheshin në lokal, janë shoqëruar në polici për të dhënë deklarimet rreth ngjarjes. Të shoqëruarit kanë deklaruar vetëm skenën që kanë parë, përleshjen mes të rinjve, por asnjëri prej tyre nuk e njihte as viktimën dhe as autorin. Rrethanat e vërteta të ngjarjes pritet që t’i sqarojë plotësisht i arrestuari si autor i kësaj ngjarje.