Gafa e Berishës, ngatërron Partinë Komuniste të Namibisë me Ditën e Shtypit
Dje ishte 3 tetori dhe kryeministri Berisha përfitoi nga rasti të uronte të gjithë gazetarët shqiptarë. Gazetarët u gëzuan, por dhe u habitën pak, sepse në fillim nuk po e kuptonin se ç’sebep kishin që vetë i pari i Ekzekutivit u bë “mukajet” t’i uronte aq përzemërsisht. Pak më vonë gazetarët mësuan se kryeministri u kishte uruar “ditëlindjen”, sepse, sipas tij, sot gazetarët kishin “ditëlindjen”, kishin Festën Ndërkombëtare të Shtypit të Lirë. Mjedisi mediatik u bë më euforik dhe më i lumtur pas këtij urimi, madje një prej shoqatave të gazetarëve gjeti rastin të denonconte edhe ndonjë problem që me demek e bënte më pak të lirë shtypin në ditën e tij. Këtë shqetësim të shoqatës kryeministri e gjeti me vend dhe në urimin e tij nuk harroi të kujtonte se në një ditë të shënuar si kjo, politikanët dhe pronarët e mediave të ndërhynin sa më pak në politikat editoriale të gazetave. “Kryeministri Berisha, në Ditën Botërore të Shtypit, shfrytëzon rastin për të uruar përzemërsisht të gjithë gazetarët, analistët, botuesit dhe të gjithë punonjësit e shtypit dhe të mediave, në një ditë të shënuar për lirinë dhe shoqërinë e lirë. Por, kryeministri Berisha shpreh dëshirën e tij që pronarët e mediave dhe forcat politike të jenë sa më pak ndërhyrëse në politikat editoriale, në interesin më të mirë të mediave”, - shkruhej në njoftimin e djeshëm të Këshillit të Ministrave. Gazetarët i lexuan me vëmendje të madhe orientimet e kreut të qeverisë dhe ishin parimisht dakord me këshillat e tij strategjike që të mos linin njeri t’i fuste hundët në punët e tyre. Vetëm se nuk po e kuptonin se cila ishte arsyeja që kryeministri “po fuste hundët” në kalendarin e tyre gregorian, që “ditëlindjen” ua kishte caktuar 7 muaj më tutje, andej nga data 3 maj e vitit 2010 (Dita Ndërkombëtare e Shtypit). Me siguri që kryeministri duhej t’i ishte referuar kalendarit kinez. Por as kështu nuk po dilnin hesapet, sepse ky kalendar ndahet në “6 jieqi” dhe 3 maji i bie të jetë në jieqinë e dytë, ndërsa 3 tetori i bie të jetë në “jieqinë e katërt”. Por përgjigjja nuk vinte as nga “kalendari lunar”, sepse ky kalendar përcakton se viti hënor është njëmbëdhjetë ditë më i shkurtër se viti diellor (gregorian) dhe i bie që kryeministri, si rregull, duhej të na uronte diku aty nga 22 marsi për festën që ne gazetarët kemi më 3 maj me kalendarin që përdor zakonisht gjithë dynjaja. Gjithsesi, kryeministri mund të ketë përdorur ndonjë kalendar më të përparuar, sidomos tani që Shqipëria mbushi “moshën e internetit”, ndërsa qeveria atë të “Lap Topit”. Herës tjetër ne gazetarët do të dëshironim që kryeministri të na uronte më datë 3 maj sipas kalendarit gregorian, se me demek me këtë kalendar jemi mësuar. Edhe pse faqja zyrtare e Kryeministrisë e tërhoqi mbrapsht urimin mbrëmë në darkë, ne gazetarët nuk do të dëshironim që impenjimi entuziast i kryeministrit të shkonte dëm. Ai, dje, më 3 tetor, i kishte të gjitha mundësitë që të uronte Partinë Komuniste të Namibisë, që sipas kalendarit gregorian mbushte 28 vjeçe, apo të uronte dhe t’i çonte një mesazh kancelares Merkel, me rastin e ditës së bashkimit të dy Gjermanive. Kryeministri, mundej dje, të gjuante drejt e në “portë” edhe duke uruar golashënuesin Zlatan Ibrahimoviç, që mbushi 28 vjeç. Ne gazetarët e kemi Ditën ca më tutje dhe nuk kemi në plan të ndryshojmë kalendar, të paktën jo për hir të Partisë Komuniste të Namibisë.
5 Tetor 2009