E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti i Çekisë, Klaus, do të promovojë librin e tij në Shqipëri



Me ftesë të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, në datat 5-6 tetor 2009, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri Presidenti i Republikës së Çekisë, Vaçslav Klaus. Gjatë qëndrimit të tij në vendin tonë, Presidenti i Çekisë do të takojë drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, Presidentin e Republikës, Bamir Topi, kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha etj. Në axhendën e Presidentit të Çekisë, Vaçslav Klaus, parashikohet gjithashtu dhe pjesëmarrja në ceremoninë e promovimit të librit të shkruar prej tij, “Planeti blu nën vargoj të gjelbër”, që do të organizohet nga Instituti për Marrëdhënie Ndërkombëtare, në kujdesin e posaçëm të drejtorit të këtij instituti, z. Albert Rakipi. Një tjetër moment i rëndësishëm i vizitës zyrtare të presidentit çek në Shqipëri është pjesëmarrja bashkë me presidentin Topi në Forumin e Biznesit shqiptaro-çek.

Ban Ki Mun uron Berishën për rizgjedhjen në postin e kryeministrit

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, nëpërmjet një mesazhi, ka uruar kryeministrin Berisha për rizgjedhjen si në këtë post. “Unë jam i bindur se nën lidershipin Tuaj qeveria e Republikës së Shqipërisë do të vazhdojë të drejtojë me sukses sfidat me të cilat përballemi sot dhe se vendi juaj do të qëndrojë i vendosur në thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe stabilitetit”, - shkruan Ban Ki Mun në mesazhin dërguar Berishës. “Dëshiroj t’Ju shpreh urimet e mia për rizgjedhjen Tuaj si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë. Ishte një kënaqësi për mua që ju takova Ju në Nju Jork javën që shkoi dhe Ju uroj vazhdimësinë e suksesit në zbatimin e përgjegjësive Tuaja të rëndësishme. Unë jam i bindur se nën lidershipin Tuaj, qeveria e Republikës së Shqipërisë do të vazhdojë të drejtojë me sukses sfidat me të cilat përballemi sot dhe se vendi Juaj do të qëndrojë i vendosur në thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe stabilitetit.
Jam gjithashtu i bindur se nën udhëheqjen Tuaj, Republika e Shqipërisë do të vazhdojë të mbështesë qëllimet dhe principet e Kombeve të Bashkuara”, - shkruan sekretari i Përgjithshëm OKB-së.

5 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›