E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gafa ndaj Leçës, Juve e gjitha në krah të Bufon

TORINO - Xhixhi Bufon ka qenë në qendër të kritikave pas gafës së tij në ndeshjen me Leçen, që mund të kompromentojë gjithë sezonin e Juventusit. Por, në takimin e së mërkurës, faji kryesor për gjithçka ndodhi, bie në një masë të madhe mbi sulmuesit. Lojtarët bardhezinj patën gjithçka në dorën e tyre përballë një skuadre që nuk goditi njëherë në portë.

E megjithatë, Vuçiniç e Kualjarela kanë qenë hija e vetvetes, duke gabuar në çdo moment dhe duke mos arritur të finalizojnë ato raste të krijuara. Në fakt, ka qenë si Juventusi i këtij sezoni, kur futbollistëve u duhet të vrapojnë si të “çmendur” për 90 minuta dhe krijojnë një seri rastesh për të gjetur një gol të vetëm. Nuk ndodh kështu me ekipe të tjera, që në sulm kanë lojtarë që shfrytëzojnë edhe gjysmë mundësie.

E ndërkohë, në Torino kërkojnë ta lënë pas barazimin ndaj puljezëve, në një ndeshje që dukej e mbaruar. Askush nuk ka dashur të rëndojë portierin, madje të gjithë i kanë dalë në krah. Në fillim ishin tifozët, që e kanë duartrokitur pa hezitim. Pas 35 javësh, nuk mjafton një rrëshqitje për të harruar gjithçka. Vetë Bufon ka kërkuar falje menjëherë, duke i dhënë edhe dorën Bertolaçit. Më pas, u ka kërkuar falje edhe shokëve të ekipit. “Nuk ishte e nevojshme, - thotë Markizio. – Bufon për Juventusin ka dhënë gjithmonë trupin e shpirtin. Gabime të tilla ndodhin”. “Ndodhi ajo që nuk pritej, - nënvizoi Antonio Konte. – Bufonit mund t’i them vetëm faleminderit për atë që ka bërë deri më tani”, shtoi trajneri i Juventusit. Bardhezinjtë tashmë e shohin veten vetëm 1 pikë para Milanit.

(er.nu/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›