“Po të kishim para do hetonim vetë për vrasjen e Fatmirit”
FIER / MAJLINDA RAMA
“Nëse do të kishim para do të hetonim privatisht për vrasësit e Fatmirit”. Familjarët e deputetit socialist, Fatmir Xhindi, po e humbasin durimin, ndërsa dje mbusheshin 4 javë nga krimi në derën e shtëpisë. Për ta, organet e drejtësisë që kanë në dorë dosjen e vrasjes së Fatmirit janë treguar tepër të ngathët, duke mos arritur të gjejnë asnjë motiv e jo më emrin e personit që shkrehu këmbëzën e automatikut. Të mbledhur bashkë, vëllezërit dhe xhaxhallarët e Xhindit pohojnë se kërkojnë ndihmën e medias për të bërë publike shqetësimet e tyre. E kanë menduar që të hetojnë dhe në rrugë private për të arritur gjurmët e vrasësit, por pamundësia financiare i ka bërë që të mos e vënë në zbatim.
Bexhet Xhindi është xhaxhai i deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi. Ai tregon se ka kohë që as prokuroria e as policia nuk i kanë marrë në pyetje për ngjarjen dhe as nuk i vënë në dijeni familjarët për zhvillimet që kanë bërë në hetimin e çështjes. Në lidhje me një pistë të re që prokuroria ka ngritur: atë të një krimi ndaj një komisioneri të PR-së 12 vjet më parë, xhaxhai i deputetit nuk e mohon si pistë. Por ai thekson se vetë familja nuk ka pasur konflikte, vetëm nëse ka ndodhur ndonjë gabim. Pavarësisht motiveve, për xhaxhain dhe familjarët e tjerë, duhet të ketë patjetër një pistë konkrete të ngjarjes e më pas të zbardhen autorët.
Si i keni përjetuar këto ditë, pas krimit që i mori jetën Fatmirit? Keni mësuar të reja mbi hetimin e ngjarjes së rëndë?
Nuk ka asgjë të re. Aq sa dini ju, di edhe unë. Kjo gjendje po na shqetëson shumë. Na shqetëson që nuk është zbardhur detaji dhe rrethanat se përse ndodhi, pastaj autori. Kjo është e pafalshme për shtetin shqiptar. Ai ishte deputet i Parlamentit. Kishte dhënë jetë dhe kontribut për ndërtimin e shtetit, ndaj ky shtet duhej të kishte bërë diçka. Është një turp që ka përfshirë drejtësinë dhe kjo bën që padyshim të humbasim besimin se nuk kanë për ta nxjerrë ndonjë ditë vrasësin e vërtetë.
Po ju vetë keni ndihmuar për hetimet? A keni menduar të merreni vetë me këtë çështje në mënyrë private?
Nëse do të kishim potencial ekonomik do të kishim nisur hetimet dhe këtë e them burrërisht. Kjo do të ishte rruga më e shpejtë në zbardhjen e ngjarjes. Nuk kemi lekë dhe kjo na e rrëzon dëshirën që ne kemi. Por nëse do kishim, do ta kishim bërë …
Cilat kanë qenë kontaktet tuaja me policinë dhe prokurorinë? A mbani lidhje, qoftë në rrugë ligjore apo edhe privatisht me ta?
Jo. Ata pasi ne e ngritëm zërin në media, erdhën të na pyesnin dhe vetëm kaq. Na pyetën për detaje, për hollësi të tilla si: ku ishte një natë më parë, ku shkoi më vonë …gjëra të tilla, por jo që të na kenë njoftuar nëse hetimet kanë përparuar apo jo.
Çfarë keni dëgjuar dhe çfarë mendoni se mund të ketë lidhje me këtë vrasje?
Ne si familje nuk dimë asgjë. Kemi dëgjuar të flitet për një vrasje të një komisioneri në vitin 1997, me inicialet B.C. Ne nuk e hedhim poshtë këtë pistë, por duam të dimë pse mund të ketë ardhur vrasja e Fatmirit nëse lidhet me këtë ngjarje. Ndoshta ka qenë një inat i vjetër i krijuar gabimisht. Nuk dimë çfarë të themi. E vetmja gjë që dimë është që shteti po e zvarrit aq sa na ka humbur durimi. Për çfarëdo lloj motivi ne duam një emër.
Ju në fakt kujt i besoni më tepër, pra cilit motiv vrasjeje, pasi keni hedhur poshtë disa pista të mundshme dhe asnjëherë nuk keni shprehur një pistë konkrete?
Fatmiri u vra për një karrige. E vrau politika. E vrau kjo punë. Nëse ai nuk do të ishte deputet, sot do të ishte gjallë. E di që vetëm ju mund të na ndihmoni të gjejmë të vërtetën mbi këtë ekzekutim. Atëherë na ndihmoni.
Vrasja e Xhindit, hetim për një vendim gjykate
TIRANE – Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton në dy pista të vetme vrasjen e ish-deputetit të PS-së Fatmir Xhindi. Pista e parë lidhet me detyrën e 49-vjeçarit si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa versioni i dytë në hetim bën fjalë për konflikte apo mosmarrëveshje personale. Hetuesit kanë grumbulluar së fundi, të dhëna që tregojnë për disa acarime të deputetit me dy familje të zonës së Fierit, në lidhje me një vendim gjykate të dhënë në vitin 2002. Historia zë fill në vitin 1997, kur gjatë procesit zgjedhor ka ndodhur vrasja e një komisioneri të Partisë Republikane, anëtar i një familjeje të njohur në zonë. Ngjarjet kanë precipituar më pas në disa përplasje mes palëve. Dy javë pas vrasjes së komisionerit të Partisë Republikane në Fier ka ndodhur një ngjarje e cila është konsideruar si një hakmarrje për ngjarjen e ndodhur në zgjedhje. Viktima që humbi jetën në këtë ngjarje, e cila nuk ishte konfirmuar si hakmarrje për komisionerin edhe pse dyshohej si e tillë, mësohet se i përkiste një tjetër fisi të njohur në zonën e Fierit. Dy ngjarjet të mbetura për shumë kohë pa autor, u bënë objekt i drejtësisë në vitet 2001-2002. Në këtë kohë ndodhi ekstradimi nga Greqia i të dyshuarit për vrasjen e komisionerit të Partisë Republikane në vitin 1997. Ky person ishte dënuar në Greqi, megjithatë pas ekstradimit në Tiranë, me një procedurë të cilësuar “rishikim vendimi”, i dyshuari u la i lirë. Nga ana tjetër, në vitin 2002 ndodhi arrestimi i personit që dyshohej se ishte hakmarrë për vrasjen e komisionerit të Partisë Republikane në vitin 1997. Përkundër të ekstraduarit nga Greqia, i cili u la i lirë edhe pse ishte i dyshuar për vrasje, personi i arrestuar me akuzën për hakmarrje në lidhje me komisionerin, pasi u arrestua në vitin 2002, u shpall fajtor nga Gjykata dhe u dënua me 21 vjet burg. Palët e prekura nga lirimi i të dyshuarit për vrasjen e komisionerit, si dhe nga dënimi i të akuzuarit për hakmarrjen, mësohet se kanë pasur pretendime për “ndërhyrje” nga deputeti Fatmir Xhindi në Ministrinë e Drejtësisë. Prokuroria e Përgjithshme saktësoi se nuk është provuar ndonjë ndërhyrje e deputetit Xhindi në këto procese, megjithëse dëshmitarët e pyetur gjatë hetimit për vrasjen e ndodhur më 2 maj 2009, kanë pohuar se disa persona në zonë, i mbanin mëri Fatmir Xhindit në lidhje me këtë fakt. Pavarësisht këtyre informacioneve operative, grupi i hetimit konfirmoi se ende nuk ka prova për shkaqet e ngjarjes e cila mbetet ende pa ndonjë person konkret të dyshuar si autor i krimit. tr.so