E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama prezanton djalin e Fatmir Xhindit

 

Aristir Lumezi

Kreu socialist prezantoi në qytetin e Fierit kandidatët për deputetë në këtë qark. Rama prezantoi si kandidatin më të ri të socialistëve në këto zgjedhje, Anduel Xhindin, djalin e deputetit të ndjerë socialist, Fatmir Xhindi, i vrarë një muaj më parë para shtëpisë së tij në Roskovec. Gjatë këtij prezantimi, Rama tha se “do të donte që në këtë prezantim të kishte në krah dhe Fatmirin e ndjerë”. Duke folur për vizionin e tij qeverisës, Rama u kërkoi fierakëve votën për të krijuar një qeveri të konsoliduar. 
“Ju do të votoni edhe për të garantuar që në 28 qershor, ne të kemi një qeveri që nuk është më pre e interesave të kryetarëve, që nuk është më pre e pazareve mes kryetarëve, që nuk është më një top futbolli në këmbët e kryetarëve dhe të lloj-lloj partive që kanë kaq vite që ju marrin shpirtin, pa ju dhënë mundësinë që ta shikoni të ardhmen të garantuar dhe pa ju dhënë mundësinë që të ndjeheni denjësisht të përfaqësuar. Unë kam nevojë për të gjithë ju, në mënyrë që nesër t’ua kthej 10-fish atë që ju do të bëni për mua dhe për Partinë Socialiste në 28 qershor”, tha Rama.
Kreu socialist u shpreh se ajo që ka munduar më shumë këtë vend kanë qenë qeveritë e dobëta, që kanë rënë pre e presioneve të numrave të maxhorancës në Parlament. Sipas tij, kjo situatë duhet të ndryshojë duke i dhënë një fitore bindëse socialistëve në zgjedhjet e 28 qershorit. “Na i jepni numrat që na duhet për të qeverisur, që nesër t’ju japim të gjitha mundësitë që ju duhen për të jetuar pa qenë viktima të këtyre numrave, që prej 18 vjetësh nuk ju kanë lënë të bëni, nuk ju kanë lënë të keni, nuk ju kanë lenë të jeni ata që ju meritoni”, u shpreh Rama para banorëve të Fierit. Sipas tij, qeveria e re që do të dalë pas këtyre zgjedhjeve do të jetë diçka e pajetuar më parë, një qeveri që do t’i përgjigjet nevojave të qytetarëve. “Pas 28 ditësh, dua ta sjell qeverinë e Shqipërisë te ju, dua ta çoj qeverinë e Shqipërisë në çdo qytet e në çdo fshat, dua ta bëj qeverinë e Shqipërisë një instrument ndryshimi në duart tuaja, në duart e çdo shqiptari dhe shqiptareje, që do të jetojë me punë të ndershme, dhe që përmes punës së ndershme, meriton të krijojë mirëqenie për vete, për familjen, për fshatin dhe qytetin e tij”, u shpreh Rama. Kreu socialist ka prezantuar dhe kandidatët socialistë për deputetë në këtë qark, listë që kryesohet nga numri dy në PS, Gramoz Ruçi, njëkohësisht dhe kryetar i Asamblesë Kombëtare socialiste. “Kjo është një skuadër, dhe oferta jonë është një ofertë e cila ju jep mundësinë të bëni një dallim të madh. Të bëni një dallim të madh, duke kuptuar se vota e 28 qershorit, nuk është një votë për individë të veçantë, por është një votë për një program, për një ekip dhe për një lider. Është një votë për një parti të madhe, të shqiptarëve dhe shqiptareve, që quhet Partia Socialiste”, u shpreh Rama. Për kreun socialist zgjedhjet e 28 qershorit do të ndajnë dy rrugët në historinë e shqiptarëve. “Pas 28 ditësh ndahen dy rrugë: rruga e vjetër e këtyre 18 viteve, që do të thotë edhe 4 vjet të tjera me Sali Berishën, me koalicionin e Gërdecit dhe të tjera trazira e zullume, që mund të vijnë nga të gjitha anët, në rast se vota nuk shkon për Partinë Socialiste dhe, rruga tjetër, rruga jonë e re, që kërkon zemër e kurajë për të parë larg, aty ku i çoj parafytyrimi të parët tanë, që na lanë amanetin e Shqipërisë zonjë dhe aty ku na çojnë këmbët e brishta të ëndrrave të fëmijëve tanë. Kjo është koha jonë, ne do fitojmë, sepse Shqipëria nuk mund të humbasë”, tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›