E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: PS jo bashkëfajtore e dështimit të procesit të kartave

 

Partia Socialiste u shpreh dje se ajo nuk kërkon të bëhet bashkëfajtore e një procesi të dështuar për pajisjen e shtetasve me karta identiteti. Sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Kastriot Islami, kërkoi dje deri më 31 mars listat e kërkuara Ministrisë së Brendshme. “Mungesa e një përgjigje deri në 31 maj 2009 do të konsiderohet një tregues shtesë negativ i mungesës së transparencës dhe rritur kështu mundësitë për ta konsideruar procesin jo vetëm të dështuar, por edhe qëllimisht të programuar për manipulim. Partia Socialiste deklaron se nuk pranonte të shndërrohej në bashkëfajtore në administrimin e një procesi të dështuar, e që për më tepër synon të manipulojë rezultatin e zgjedhjeve. Në këtë rast përgjegjësia dhe fajësia do të jenë tërësisht të Qeverisë dhe të Kryeministrit Berisha”, deklaroi Islami. “Shifra e personave pa pasaportë që e kanë të domosdoshme pajisjen me kartë identiteti është akoma më e madhe se 730 mijë persona”, tha Islami. Duke iu përgjigjur deklaratës së ministrit të Brendshëm të një dite më parë, Islami tha se masat që po merr sot qeveria me koncesionarin, i ka propozuar PS-ja që 4 muaj më parë. Po dje reagoi Ministria e Brendshme përmes zëdhënësit të saj, Fatmir Konja, i cili deklaroi se, “pikërisht sot i është dërguar Partisë Socialiste lista emërore e personave pa pasaportë që kanë aplikuar deri tani, si dhe listën e personave që nuk kanë aplikuar ende. Konja tha se deri tani janë hedhur në sistem dhe dërguar në Ministrinë e Brendshme 1 milion e 13 mijë aplikime, nga të cilat 420.000 i takojnë atyre pa pasaportë. Sipas tij, “është paraqitur analiza e saktë se nëpërmjet 476 stacioneve të aplikimit që sot punojnë 7 ditë të javës nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 21:00 të mbrëmjes, janë në dispozicion kapacitete për të aplikuar edhe më shumë se 400.000 qytetarë të tjerë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›