Gafë me kërkesën për Mediun
Zbulohet gafa e Pro-kurorisë me kërkesën e parë të dërguar në Kuvend më 25 prill 2008, për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Ai është fajësuar nga Prokuroria se ka firmosur një urdhër në tetor 2007, në kundërshtim me një vendim qeverie të vitit 2003, i cili në fakt ishte shfuqizuar shtatë muaj para se ministri i Mbrojtjes të hidhte firmën mbi urdhrin në fjalë. Ballafaqimi i kërkesës së organit të akuzës me dokumentet, të cilave u referohet Prokuroria në akuzat dhe dyshimet e ngritura mbi deputetin republikan, tregon se të paktën në një rast materiali i Prokurorisë përmban një referencë të gabuar, e cila nuk qëndron. Në faqen nr. 14 të kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme dërguar në Kuvend më 25 prill 2008, me nr. prot. 1403, në paragrafin e dytë, thuhet se: Ministri i Mbrojtjes ka miratuar urdhrin nr. 1800, datë 22 tetor 2007, për kalimin kapital të ish-repartit të tankeve në Gërdec në dorëzim të ndërmarrjes MEICO, e cila më pas e ka kaluar këtë objekt në përdorim të kompanisë SAC-Albademil, pa qira, në kundërshtim me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 315, datë 24 prill 2003. Ky vendim i Qeverisë, i cituar në kërkesën e Prokurorisë dërguar Kuvendit, i cili mbante firmën e ish-kryeministrit të kohës Fatos Nano, bënte fjalë për “dhënien me qira të pasurive të ndërmarrjeve shoqërore dhe institucioneve shtetërore”. Pikërisht vendimi i Qeverisë i pesë viteve më parë, të cilit i referohet organi i akuzës në prill 2008 në kërkesën për heqjen e imunitetit, është shfuqizuar kohë para se ministri i Mbrojtjes të nxirrte urdhrin për të cilin e akuzon Prokuroria. Bëhet fjalë për një vendim qeverie me nr. 162 të datës 7 mars 2007, i cili përcakton kushte të reja “për dhënien me qira të pasurive të ndërmarrjeve shoqërore dhe institucioneve shtetërore”, duke shfuqizuar VKM-në e mëparshëm. Në faqen nr. 9 të këtij vendimi të qeverisë në mars 2007, i cili tanimë mban firmën e Kryeministrit Sali Berisha, thuhet se vendimi i Qeverisë nr. 315, datë 24 prill 2003 “Për dhënien me qira të pasurive të ndërmarrjeve shoqërore dhe institucioneve shtetërore”, shfuqizohet. Megjithëse ky vendim me nr. 315, datë 24 prill 2003, është shfuqizuar që në 7 mars 2007, Prokuroria e ka cituar atë në prill 2008 si rrethanë rënduese në akuzat e saj për ministrin e Mbrojtjes, i cili siç rezulton nga dokumentet, urdhrin për të cilin akuzohet nga hetuesit, e ka firmosur plot shtatë muaj pasi VKM-ja në fjalë ishte shfuqizuar. Në këtë mënyrë, sipas juristëve të pyetur nga gazeta për interpretimin e kësaj situate, ministri i Mbrojtjes nuk ka pasur detyrim për të zbatuar më 22 tetor 2007, një vendim qeverie të vitit 2003, i cili ishte anuluar në mars 2007, plot shtatë muaj para se kreu i dikasterit të Mbrojtjes të firmoste urdhrin për kalimin kapital të ish-repartit ushtarak të Gërdecit në administrim të ndërmarrjes MEICO. Juristët thanë se edhe citimi i këtij rasti nga Prokuroria në vitin 2008, është i gabuar dhe i pabazuar në verifikime korrekte e ligjore të dokumentacionit që citohet në kërkesën për heqje imuniteti. re.kr
Prokuroria: Mediu bëri 19 shkelje
TIRANE – Në kërkesën e Prokurorisë, e cila është dërguar në Kuvend më 25 prill 2008, organi i akuzës ka renditur rreth 19 shkelje që pretendohet se janë kryer nga ish-ministri i Mbrojtjes, Mediu, në qëndrimin institucional që ai ka mbajtur në rastin e Gërdecit. Sipas kërkesës së Prokurorisë, shkeljet e ministrit fillojnë që nga hartimi dhe nënshkrimi i urdhrave të tij lidhur me Gërdecin deri te praktika e ndjekur në përcaktimin e vendit ku do të bëhej çmontimi i municioneve. Kjo vendimmarrje, siç pretendon Prokuroria, është bërë duke shmangur Shtabin e Përgjithshëm dhe Forcat e Armatosura. Organi i akuzës e ka akuzuar publikisht ish-ministrin e Mbrojtjes, edhe se ka vepruar në cilësinë e titullarit të dikasterit për realizimin e qëllimeve fitimprurëse nga bashkimi i kompanive SAC-Albademil, të cilat pasi u regjistruan në gjykatën shqiptare, filluan veprimtarinë e çmontimit në Gërdec, fillimisht për fishekët e më pas për predhat e kalibrit të rëndë. Kërkesës së parë të akuzës, Prokuroria i shtoi tri ditë më parë dokumentet e tjera të kërkuara nga Kuvendi, duke dërguar përfundimisht për deputetët katër volume me dokumente bashkëngjitur kërkesës për heqjen e imunitetit të Mediut.
Topalli akuzoi për fshehje dokumentesh
TIRANE – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, akuzoi Prokurorinë se i kishte fshehur materiale deputetëve në seancën e Këshillit të Mandateve, Rregullores dhe Imunitetit. Deputetët u mblodhën të shqyrtonin kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të ish-ministrit Mediu, ndërsa ky i fundit paraqiti disa dokumente shtesë nga ato të Prokurorisë bashkë me kundërshtimet për akuzat. Pas kësaj, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha se në materialin e dërguar nga Prokuroria nuk ndodheshin gjithë dokumentet e çështjes, duke akuzuar Prokurorinë për fshehjen e 9 shkresave në raport me Kuvendin.
PS raport për Mediun: Pse duhet të hiqet imuniteti
Socialistët hartojnë raportin e tyre për kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
BLEDAR HOTI
Relatori i çështjes për opozitën, socialisti Besnik Dervishi, ka hartuar materialin e raportit për atë pjesë që i takon kampit të majtë për këtë çështje. Ai jep 8 arsyet se pse duhet hequr imuniteti i deputetit të ish-ministrit të Mbrojtjes. Në raportin e tij, Dervishi është pro heqjes së imunitetit të deputetit të PR-së, Fatmir Mediu. Në konkluzionet përfundimtare, socialisti thekson se heqja e imunitetit lidhet se një gjë të tillë e ka kërkuar edhe deputeti, për të cilin organi i akuzës kërkon ndjekje penale për të. “Këshilli duke pasur parasysh zbatimin me përpikmëri të procedurave të parashikuara në Rregulloren e Kuvendit; evitimin dhe shmangien e vonesave të panevojshme në shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë dhe të gjithë procesit në Këshill; vullnetin e deklaruar të të gjithë spektrit politik në favor të mos përdorimit të imunitetit parlamentar kur kërkohet hetimi nga organi i Prokurorisë; deklarimin e deputetit Fatmir Mediu për të lënë imunitetin parlamentar në shërbim të hetimit të ngjarjes, i rekomandon Kuvendit të Shqipërisë të votojë pro dhënies së autorizimit për procedim penal ndaj deputetit Fatmir Mediu”, thuhet në relacionin e PS-së. Gjithashtu një ndër arsyet e tjera përfshihet edhe paraqitja e materialeve të administruara, ku prezumohet se kemi të bëjmë me veprime ose mosveprime objekt i hetimit penal. Ndër arsyet e tjera renditen edhe në lidhje me “mos krijimin e asnjë vonese që krijon pengesa për kryerjen e veprimeve hetimore të organit të Prokurorisë; ngjarja e ndodhur në Gërdec, konsiderohet mjaft e rëndë për shkak edhe të përfshirjes dhe autorizimit nga struktura të shtetit; gjithë shoqëria shqiptare është e interesuar për të zbardhur sa më parë të vërtetën mbi tragjedinë e Gërdecit”. Raporti i relatorit Dervishi do të shkrihet në një të vetëm së bashku me mendimet e maxhorancës. Për të djathtët raportin e harton kreu i grupit parlamentar të PR-së, Arjan Madhi. Nëse dy palët nuk bien dakord për pikat e paraqitura, atëherë Këshilli mund të dalë me dy mendime të ndryshme në lidhje me kërkesën dhe procedurën e heqjes së imunitetit të ish-ministri Fatmir Mediu. Në këtë raport janë renditur të gjitha procedurat në lidhje me shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit. Kërkesa e Prokurorisë për heqjen e imunitetit u paraqit në Kuvend në muajin prill. Deri në ditët e sotme janë zhvilluar disa mbledhje nga ana e Këshillit të Imunitetit dhe Legjislacionit. Gjithashtu në këshill është dëgjuar edhe mbrojtja e ish-ministrit Fatmir Mediu mbi akuzat e ngritura nga ana e organit të akuzës shqiptare. Më datë 3 qershor, kryeparlamentarja Topalli, edhe në cilësinë e kryetares së Këshillit, i dërgoi një letër Kryeprokurores Ina Rama për të depozituar materiale shtesë mbi ato çfarë kishte paraqitur Mediu, ku implikohej edhe Shtabi i Përgjithshëm për fabrikën e demontimit në Gërdec. Vetëm tri ditë më parë, Ina Rama paraqiti materialet shtesë mbi pikat që kishte kërkuar Topalli në letrën e datës 3 qershor. Pas depozitimit të materialeve shtesë, ato u vunë menjëherë në dispozicion të deputetëve që janë anëtarë të Këshillit të Imunitetit. Pas plotësimit të materialeve të kërkuara, dy relatorët Arjan Madhi dhe Besnik Dervishi kanë nisur përpilimin e raportit që do të paraqitet në seancën e Parlamentit. Ndërkohë që, sipas burimeve, votimi për heqjen e imunitetit të deputetit të PR-së, Mediu, mund të realizohet javën e ardhshme në seancën e së hënës ose të së enjtes.
Gërdec, dy ish-punëtorë dalin nga greva
TIRANE – Mjekët kanë nxjerrë dje nga greva e urisë në Vorë, ish-punëtorin e fabrikës së çmontimit të municioneve në Gërdec, Adriatik Spahiu. Ai është nxjerrë dje rreth orës 13:30 nga ambientet e grevës së urisë në Vorë dhe është dërguar në gjendje të rëndë në spital, si pasojë e mungesës së ushqimit prej një jave dhe qëndrimit në ambient të izoluar. Ndërkaq, punëtori i dytë që doli dje nga greva, ka qenë 17-vjeçari Hajdar Halili. Në gjendje të rëndë shëndetësore, ai është detyruar nga mjekët dhe babai tij të dalë nga greva e urisë dhe të kthehet në shtëpi, për shkak se ditën e djeshme kishte edhe ditëlindjen e tij të 17-të. Menjëherë pasi ka mbërritur në shtëpi, 17-vjeçari është vendosur në kujdesin e mjekëve që po mbikëqyrin gjendjen e tij të rënduar shëndetësore, si pasojë e mungesës së ushqimit për më tepër se një javë. Gjashtë grevistët e mbetur kanë deklaruar dje se do të qëndrojnë të ngujuar dhe pa asnjë ushqim, derisa Qeveria të realizojë kërkesat e tyre për dëmshpërblim në shumën 400 mijë lekë për secilin punëtor dhe dhënien e pagës së një viti, duke e llogaritur atë me rrogën mujore që ata merrnin në fabrikën e shkatërruar të çmontimit të municioneve në Gërdec. Ish-punëtorët e Mihal Delijorgjit filluan grevën një javë më parë, pas disa letrave radhazi të dërguara Qeverisë, të cilat nuk morën përgjigje. t.s
Vendimi, 900 mijë $ shtesë për Gërdecin
Gati tre muaj pas shpërthimit në Gërdec, qeveria ka marrë vendimin për kompensimin përfundimtar të banorëve që u prekën nga ky shpërthim. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u miratua drafti i propozuar nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi dhe ministri i Financave, Ridvan Bode, për vlerën e dëmeve të shkaktuara nga ky shpërthim. Shuma e akorduar për këto familje kap shifrën 900 mijë dollarë. “Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e vlerës së dëmeve të shkaktuara në objekte, pronë private, si rrjedhojë e aksidentit teknologjik të ndodhur në Gërdec, prej 935.900.412 (nëntëqind e tridhjetë e pesë milionë e nëntëqind mijë e katërqind e dymbëdhjetë) lekësh”, thuhet në vendimin e qeverisë. Duke folur në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, Kryeministri Berisha u shpreh se me këtë fond kompensohen edhe banorët e fshatrave të Manzës, Marikajt si dhe bizneset e gjithë zonës së prekur. Sipas kreut të qeverisë, ky vendim vjen pas rivlerësimit të dëmeve që kanë prekur Bashkinë e Manzës si dhe komunën Marikaj, ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme e këtij fondi është për kompensimin e bizneseve. “Një tjetër vendim i rëndësishëm sot është vendimi për kompensimin përfundimtar për Gërdecin. U bënë riverifikimet dhe rezultoi se vlerësimi në tërësi qëndronte, ndaj dhe sot vendosëm për fondin shtesë prej 900 milionë lekë, ku përfshihet biznesi, fshatrat e Manzës, Marikajt. Në tërësi këto ishin rivlerësime, ndërsa një pjesë e vogël janë vlerësime që shtrihen në Bashkinë e Manzës dhe komunën Maminas. Pjesa tjetër janë kundërshtime të familjarëve që nuk kanë qenë të bindur për vlerësimin dhe është bërë rivlerësimi”, u shpreh Kryeministri Berisha në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Ky kompensim bëhet pas vendimit të marrë nga qeveria për pagesën e qirave, banorëve që kanë mbetur të pastrehë nga ky aksident. “Pas qirave të ofruara për banorët e kësaj zone, po bëhet dhe kompensimi i tyre. Në atë zonë ndërtimi po vazhdon, ndërkohë që qeveria ka marrë të gjitha masat që këto 6 muaj që ata ndërtojnë shtëpitë, t’u akordojë një qira prej 25 mijë lekë në muaj, shumë kjo që i lejon të strehohen në çdo vend dhe në mënyrë të përshtatshme”, theksoi më tej kreu i qeverisë. a.sh