E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtria, gradohen 4 gjeneralë

Që nga sot ushtria do të kenë edhe katër gjeneralë të tjerë. Presidenti i Republikës njëherazi dhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bamir Topi, ka dekretuar dje katër grada madhore për ushtarakët e karrierës. 

AFRIM IMAJ

Vladimir Qirjazi, Zyber Dushku, Viktor Berdaj e Maksim Malaj janë katër gjeneralët e rinj që u shtohen korpusit të drejtuesve të lartë të ushtrisë. Emrat e tyre janë përzgjedhur ndër 20 kolonelët që kanë aplikuar këtë vit për t’u shtuar spaletave të tyre yjet e gjeneralit. Dekreti i presidentit për gradat madhore, do të mbushë kështu boshllëkun e krijuar në piramidën e funksioneve të larta pas penalizmit të ushtarakëve madhorë për tragjedinë e Gërdecit. Ka qenë kreu i Mbrojtjes, Oketa, ai që ka bërë propozimet përkatëse, ndërkohë që sipas procedurës ligjore Presidenti Topi ka bërë gradimin për katër nga kolonelët më të mirë të ushtrisë.
Dekretet
Në njoftimin e Presidencës për median bëhet e ditur se, në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës, të nenit 13, pika 5, të ligjit nr. 9171, datë 22.01.2004 “Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, si dhe të nenit 7, pika 7, të ligjit nr. 8671, datë 26.10.2000 “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” dhe me propozim të ministrit të Mbrojtjes, Presidenti Topi dekretoi  dhënien e gradës Gjeneral brigade për kolonel Maksim Malaj, Kolonel Viktor Bërdaj, kolonel Zyber Dushku dhe kolonel Vladimir Qiriazi. Të ardhur nga sektorë të ndryshëm të Forcave të Armatosura ata tashmë do të jenë pjesë e lidershipit të tyre.
Gjeneralët
Gjeneral Maksim Malaj u njoh me lajmin për gradimin teksa ishte kthyer nga inspektimi i trupave paqeruajtëse në Herat dhe Kabul.
“Është vlerësim i lartë, por edhe një përgjegjësi e madhe të përligjësh gradën e gjeneralit, sidomos në kushtet aktuale kur sa e kemi marrë ftesën e anëtarësimit në NATO”, u shpreh ai për gazetën “Panorama”. Puna dhe arritjet prej disa vitesh në krye të njësisë elitare të Forcave të Armatosura, Brigadës së Reagimit të Shpejtë, sipas kolegëve të tij, ka qenë përcaktuese në dhënien e kësaj grade madhore. Ndërkaq gjeneral Vladimir Qiriazi, një nga ushtarakët e lartë pjesëmarrës disa herë në drejtimin e misioneve shqiptare jashtë vendit, ka dëshirë ta ndajë gëzimin e tij për yjet e gjeneralit me tërë korpusin e ushtarëve me të cilët ka punuar në sektorë të ndryshëm. Për gjeneral, Viktor Berdën, që vjen në majën e piramidës së karrierës ushtarake nga detyra e komandantit të Universitetit Ushtarak “Skënderbej” dhe Zyber Dushkun, i cili vazhdon të kryejë detyrën e atasheut ushtarak shqiptar në Britaninë e Madhe, grada e re do të thotë ritëm i ri e përkushtim më i madh në detyrë.

Zyber Dushku
Datëlindja: 30.12.1960
Vendlindja: Dibër
Grada: Gjeneral brigade
Vendbanimi: Londër
Arsimimi
1980-1983: Akademia ushtarake “Skënderbej”, Fakulteti i Specialiteteve
1989-1991: Akademia e Shtabit të Përgjithshëm
1994-1995: Kualifikim në Qendrën Evropiane “Xhorxh Marshall”, Gjermani
 Gjuhë e huaj
Anglisht
Detyrat që ka kryer
1983-1989: Komandant nënreparti në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”
1991-1992: Komandant i Batalionit të Infrastrukturës Ushtarake Shijak
1992-1993: Instruktor për Xhenion në Ministrinë e Mbrojtjes
1993-1994: Pedagog në Akademinë e Mbrojtjes
1994-1997: Shef i arsimimit ushtarak në Akademi të Mbrojtjes
1997-2001: Shefi i Xhenios i Brigadës Shumëkombëshe të Evropës Juglindore, Bullgari
2001-2002: Shef i degës së standardizimit dhe ndërveprimit në Komandën e Doktrinave dhe stërvitjes
2002 e në vazhdim, atashe ushtarak në ambasadën shqiptare në Britaninë e Madhe

Maksim Malaj
Datëlindja: 13.9.1958
Vendlindja: Vlorë
Grada: Gjeneral brigade
Arsimimi
1978-1982: Akademia Ushtarake “Skënderbej”
1990-1992: Akademia e Shtabit të Përgjithshëm
1999-2000: Kualifikim në Holandë për ISOOC
Gjuhët e huaja
Anglisht
Detyrat që ka kryer
1982-1987: Instruktor për përgatitjen taktike në garnizonin
1987-1989: Instruktor stërvitje në Divizionin e Këmbësorisë, Tiranë
1989-1990: Komandant reparti në Divizionin e Këmbësorisë, Tiranë
1992-1993: Shef dege në Divizionin e Këmbësorisë, Tiranë
1993-1995: Zv.shef Operativ në Divizionin, Tiranë
1995-1996: Shef personeli në Brigadën e Këmbësorisë, Shkozë
1996-1997: Inspektor për infrastrukturën në Ministrinë e Mbrojtjes
1997-1999: Inspektor për gatishmërinë në Inspektimin e Përgjithshëm
1999-2005: Oficer Shtabi në Drejtorinë e Inspektimit të Përgjithshëm
2005-2007: Shef i Shtabit të Brigadës së Reagimit të Shpejtë
2007 e në vazhdim Komandant i Brigadës së Reagimit të Shpejtë

Viktor Berdaj
Datëlindja: 01.01.1957
Vendlindja: Shkodër
Grada: Gjeneral brigade
Arsimimi
1978-1981: Akademia ushtarake “Skënderbej”
1989-1991: Akademia e Mbrojtjes, Tiranë
2002-2003: Kolegji i Mbrojtjes, Tiranë
Aktualisht vazhdon kualifikimin në Toronto, Kanada
Gjuhët e huaja
Anglisht
Detyrat që ka kryer
1981-1984: Shef Zbulimi në Shkodër
1984-1988: Komandant reparti zbulimi, Shkodër
1988-1989: Komandant reparti Bardhaj, Shkodër
1991-1993: Komandant Brigade Koplik, Shkodër
1993-1995: Shef Zbulimi i Divizionit të Shkodrës
1995-1997: Shef Zbulimi dhe Komandant Reparti, Shkodër
1997-1998: Shef Shtabi Divizioni, Shkodër
1998-2000: Komandant i Regjimentit Komando, Tiranë
2000-2003: Zëvendësdrejtor në Drejtorinë e Zbulimit në Shtabin e Përgjithshëm
2003-2006: Drejtor i Drejtorisë së Operacioneve dhe Stërvitjes në Shtabin e Përgjithshëm
2006 e në vazhdim Komandant i Universitetit Ushtarak
“Skënderbej”, Tiranë

Vladimir Qirjaz
Datëlindja: 15.01. 1958
Vendlindja: Ersekë
Grada: Gjeneral brigade
Arsimimi
1978-1982: Akademia Ushtarake “Skënderbej”
1989-1991: Akademia e Mbrojtjes
2000-2001: Kolegji i Luftës SHBA në Carlisle Pennsilvani
Grada Shkencore
“Master për Studime Strategjike”, mbrojtur në kolegjin e Luftës në SHBA
Gjuhët e huaja
Anglisht, gjermanisht, rusisht
Detyrat që ka kryer
1981-1989: Oficer trupe në Brigadën e Këmbësorisë, Ersekë
1991-1992: Punonjës shkencor në Akademinë e Mbrojtjes
1992-1994: Zëvendëskomandant i akademisë “Skënderbej”
1994-1995: Vëzhgues ushtarak i OKB-së në misionin në Gjeorgji
1995-2001: Specialist për shtabet në Drejtorinë e Operacioneve në Shtabin e Përgjithshëm
2001-2005: Zëvendëskomandant i Forcave Tokësore
2005-2006: Komandant i Brigadës Stërvitore, Bonavi
2006-2007: Komandant i Brigadës së Reagimit të Shpejtë, Tiranë
2008 e në vazhdim zëvendëskomandant i Komandës së Doktrinave dhe Stërvitjes

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›