E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyjnë në fuqi gradat, zbulohet tabela e pagave

TIRANE - Efekti i sistemit të ri të gradave mbi pagat e Policisë së Shtetit, pritet të jetë pozitiv për rangjet dhe funksionet e larta. 

Sistemi i ri i gradave pritet të ketë efektin e kundërt me rolet e nivelit të ulët dhe të mesëm, ku rritja e pagave mujore për policët është simbolike. Kjo vihet re qartë në përpjekjet e Departamentit të Administratës Publike (DAP), në përgjigjen kthyer Ministrisë së Brendshme dhe kreut të Policisë së Shtetit, më 9 maj 2008. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit i kanë dërguar një projektvendim DAP-it, ku kërkohej një konsultim nga ky institucion. Shkresa e kreut të policisë dhe të ministrit të Brendshëm është e datës 15 prill 2008. Bashkë me të ka mbërritur bashkangjitur edhe projektvendimi i qeverisë për miratimin e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit. Në projektvendim specialistët e financave të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit, kishin propozuar që paga minimale e një efektivi blu të mos ishte nën 40 mijë lekë të vjetra. Sigurimet shoqërore dhe shëndetësore ishin parashikuar përtej kësaj shifre, çka do të ishte një pagë e kënaqshme për një efektiv policie. Por përgjigjja e kthyer nga drejtoresha e DAP-it, Blerta Selenica, ka ulur jo pak ndikimin e gradave në nivelin e pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit. Paga minimale për gradë pa përfshirë pagesat e sigurimeve dhe pagesat suplementare të punonjësve të policisë kap shifrën e 34 mijë lekëve të reja. Ndryshimi i pagesës nga grada e komisarit, rolin e mesëm deri tek ajo e kryekomisarit në rolin e lartë, ka një ndryshim prej 23 mijë e 900 lekësh të reja. Një distancë e tillë prej gati 24 mijë lekësh, e bën edhe më te largët distancimin nga baza në qendër, duke thelluar kategoritë mes uniformave blu. E njëjtë në këtë pasqyrë të projektvendimit mbetej pagesa prej 2 për qind e vjetërsisë, ndërsa pagesa e vështirësisë ka një kategorizim sipas natyrës së punës. Projektvendimi i pagave i përgatitur nga specialistët e policisë dhe Ministrisë së Brendshme ka pasur të bashkangjitur edhe pasqyrat e pagave të policisë së Malit të Zi dhe Kosovës. Paga bazë më e ulët sipas gradës, mbetej 34 mijë lekë të reja, e cila rritet me progresivisht sipas gradave deri në 10 mijë lekë të reja distancë. Gjithsesi projektvendimi i pagesës sipas gradave të policisë nuk ka mbërritur ende në qeveri dhe sipas burimeve, specialistët po i japin dorën e fundit atij në Ministrinë e Financave etj.   d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›