E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skenari jugosllav për përmbysjen e Enver Hoxhës në vitin 1953

Gazeta amerikane tregon për organizatën e drejtuar nga Apostol Taanefi. Si e mbështeti Tito me ndihma dhe lehtësira për organizimin e aksioneve
Jack Raymond

BEOGRAD – Pushteti komunist shqiptar, pjesa më e madhe e të cilit është në duart e “një force policore”, i drejtuar në postet më kyçe nga personel rus, akoma është duke instaluar në mënyrë të vendosur skemat e tij sikur të ishte i përjetshëm, megjithëse, sipas burimeve të besueshme, të mbledhura që nga këtu (Beogradi - shën. red.), “kushtet ekonomike vazhdojnë të përkeqësohen gjithnjë e më shumë”. Mirëpo, persona të mirinformuar thonë se ky vend nuk do të ecë shumë përpara. Kufijtë janë mbyllur rreptësisht dhe shumë pak refugjatë kanë qenë në gjendje që të largohen drejt Jugosllavisë. Kryetari i shtetit, Enver Hoxha, mund të jetë joshur nga ikja e befasishme e Jugosllavisë prej Cominform-it dhe duke marrë shkas nga vdekja e Stalinit, ai ishte shprehur se “e kishte dëshiruar një gjë të tillë”. Për më tepër, sipas Radio Tiranës, media shtetërore në kryeqytetin e Shqipërisë, ai ripërsëriti zotimin e tij për besnikëri ndaj Moskës përmes një artikulli të publikuar në “Pravda”, organ i Partisë Komuniste Ruse.
Studentët këtu (në Beograd - shën. red.) e rishqyrtojnë situatën në Shqipëri me të dhënat e tyre të kufizuara, pavarësisht nga raportimet e kohëve të fundit, që e implikojnë qeverinë jugosllave me revoltat e mundshme në vendin e egër malor, buzë Adriatikut, me rreth 1 200 000 banorë, të cilit i janë ndërprerë të gjitha lidhjet tokësore me bllokun sovjetik nga Jugosllavia dhe Greqia.
Roli i grupit të refugjatëve
Që qeveria jugosllave do të jetë shqetësuar nga të tilla informacione, kjo ishte konsideruar në mënyrë të zakonshme nga shtetas jojugosllavë. Megjithatë, një artikull që ishte publikuar së fundi citonte Apostol Taanefin, kryetarin e Grupit të Refugjatëve Shqiptarë në këtë vend, që numëronte rreth 50 mijë guerilas që mbështesnin një rebelim kundër regjimit të Enver Hoxhës, i cili, me sa duket, ishte konsideruar se së fundi po zgjerohet. Madje, burime jugosllave të tilla thonë se ata po përmbahen nga autoriteti i ulët i zotit Taanefi, një ish-mësues, duke deklaruar se ai kishte një ndikim të vogël në Shqipëri. Zoti Taanefi, zyra qendrore e të cilit ishte në një qytet në kufi me Prishtinën, është përshkruar si një person që ka kontakte me pak intelektualë në Shqipëri, por nuk ka komunikim të rëndësishëm me krerët e inatosur të fiseve shqiptare që i kanë rezistuar shtrirjes së dhunshme të qeverisë së Tiranës.
Qeveria e Beogradit bëri të qartë në mënyrë publike pozicionin e saj, se “nuk dëshiron që të ndërhyjë në Shqipëri” dhe se udhëheqësit e saj, privatisht, vijojnë të shprehen se “një lëvizje e tillë do të jetë e pavlerë, pasi ajo lehtësisht mund të sjellë një luftë të përgjithshme”. Sipas burimeve jugosllave, fakti i fundit është se dëshirat e presidentit jugosllav Tito janë që t’ju japë rusëve një pretekst për një akuzë se Jugosllavia ka plane agresive ndaj Shqipërisë. Në të kundërt, Beogradi, nga koha në kohë, ka shprehur frikën se një revoltë e brendshme shqiptare që mund të zhvillohet në mënyrë të natyrshme, do të përdorej si një pretekst i tillë.
Kur u shfaq një informacion rreth sugjerimeve të papërmbajtura, të dala nga intervista me zotin Taanefi, se ai ishte duke komplotuar kundër pushtetit shqiptar, me ose pa mbështetjen e plotë të presidentit Tito, shtypi zyrtar këtu (në Beograd - shën. red.) reagoi në mënyrë të qetë. Ky lajm është trajtuar thjesht si një zemërim. Duke mbajtur një qëndrim për këtë çështje, qeveria tha se “ky është një fakt i shtrembëruar, pasi ngjarja ishte një provokacion naiv nga ana e zotit Taanefi”.
Qeveria jugosllave praktikisht ka qenë e ndjeshme tek kjo histori, sepse ajo ka refuzuar akuzat që vinin nga Italia, se mareshal Tito i kishte propozuar kryeministrit britanik Çurçill, gjatë bisedimeve në Londër për një “pazar”, nga e cila Jugosllavia do të marrë koncesione për një dorë të lirë mbi Shqipërinë, duke u mbështetur te çështja e Triestes.
Së fundi, qeveria jugosllave inskenoi një intervistë me dy ish-oficerë të Shtabit të Përgjithshëm të Shqipërisë; një komandant dhe një lejtënant të nivelit të dytë, që kishin thënë se “duhej të hynin në këtë vend (Jugosllavi - shën. red.) tetë muaj më parë, si sabotatorë, por në operacion e sipër, - ishin kapur dhe kishin ndryshuar besnikërinë e tyre. Këta oficerë raportuan se grupe të armatosura që ishin në opozitë me pushtetin e Enver Hoxhës, në mënyrë të lirshme dhe të hapur, ishin duke bredhur sa andej-këndej; se së fundi, oficerë bullgarë kishin bashkëpunuar me oficerët rusë në administrimin e Ushtrisë Shqiptare dhe se atje kishte pasur shtim të arrestimeve të oficerëve shqiptarë.
Gjithashtu, dy oficerët konfirmuan informacionet nga burime të tjera se “shqiptarët kishin mungesa në ushqime dhe se ushqimet sovjetike shpërndaheshin kundrejt shkëmbimit me materiale të papërpunuara, pasi ata ishin të varfër”. Refugjatët e ardhur së fundi kishin konfirmuar vështirësitë ekonomike dhe “terrorin” që ushtrohej nga autoritetet shtetërore.
Në vitin 1952, numri prej 1000 refugjatësh të arratisur nga Shqipëria drejt Jugosllavisë konsiderohet thuajse modest, duke parë raportimet e vazhdueshme për terror dhe rebelim. Qeveria jugosllave kishte ofruar lehtësira speciale dhe ndihmë ekonomike për anëtarët e organizatës së zotit Taanefi.
Pa dyshim, disa anëtarë përgatiteshin për t’i çuar drejt Shqipërisë dhe kthyer mbrapsht sërish pas ekskursioneve të vogla, por marrëveshja këtu është se veprimet e rëndësishme revolucionare nuk do të tregoheshin se ishin marrë nga ky trajnim”.

Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 29 mars 1953
Titulli është redaksional

Përgatiti Albert Gjoka

Në numrin e së mërkurës do të lexoni:
Gazeta amerikane: “Shqipëria, 12 vjet pas lufte”

Gjendja në Shqipërinë komuniste pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore

Shpërndarja me racion e bukës në radhët e popullsisë së varfër shqiptare

Gazetari amerikan, Harison Salisburi, përgatit një reportazh nga Tirana e vitit 1957

Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës

12 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›