Të tjerë spiunë dhe banda kundër Shqipërisë së Hoxhës
Jugosllavia nuk gjen paqe, provokacione të reja ndaj Tiranës. Çfarë shkruan për këtë temë gazeta “Bashkimi” më 9 janar 1953
Agjencia Telegrafike Shqiptare boton letrën që zv.ministri i Punëve të Jashtme, Mihal Prifti, i dërgoi Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kjo letër u botua më 9 janar të 1953 në gazetën “Bashkimi”.
Me urdhër të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë kam nderin të vë në dijeninë tuaj 3 raste të reja provokacionesh të kryera kundër integritetit tokësor të Republikës Popullore të Shqipërisë nga ana e organeve të Qeverisë Jugosllave, prej datës 26 nëntor 1952, deri më 13 dhjetor 1952. Më datën 26 nëntor 1952, në orën 16, në rajonin e katundit Bllatë, rrethi i Peshkopisë, 5 oficerë jugosllavë, të shoqëruar nga katër ushtarë, dolën në afërsitë e piramidës nr. 15 dhe prej këtu qëlluan me të shtëna pushkësh rojën kufitare shqiptare. Rojet kufitare shqiptare nuk iu përgjigjën këtij provokacioni. Më datën 2 dhjetor 1952, në orën 15, në sektorin bashkim i dy lumenjve rajon i Vermoshit, një civil jugosllav erdhi nga toka jugosllave dhe u fut në thellësi të tokës shqiptare, nga ku u largua për në drejtimin e ardhur vetëm kur u diktua nga rojet kufitare shqiptare. Më datën 13 dhjetor 1952, në orën 12, në sektorin e Bllatës, rajon i Peshkopisë, në afërsitë e piramidës nr. 14, gjashtë ushtarë jugosllavë dhe dy civilë qëlluan me të shtëna pushkësh rojet kufitare shqiptare që kryenin shërbimin në këtë sektor. Rojet kufitare shqiptare nuk iu përgjigjën këtij provokacioni. Duke vënë në dijeninë tuaj sa më sipër, në emër të Qeverisë Popullore të Shqipërisë përsëris protestat më energjike kundër këtyre provokacioneve të reja të kryera qëllimisht kundër integritetit tokësor të Republikës së Popullore të Shqipërisë nga ana e organeve të Qeverisë Jugosllave, e cila duke iu nënshtruar krejtësisht urdhrave dhe politikës së agresionit që ndjekin padronët e saj imperialistët amerikano-anglezë, po vazhdon veprimtarinë e saj provokuese ndaj Republikës Popullore të Shqipërisë dhe kërkoi që Organizata e Kombeve të Bashkuara të marrë masat e nevojshme për t’i dhënë fund këtij aktiviteti luftënxitës të Qeverisë Jugosllave. Lutemi tekstin e kësaj letre ia komunikoni gjithë shteteve anëtarë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Vazhdojnë të dënohen spiunët
Gazeta “Bashkimi”, më 23 shkurt të 1953-shit citon ATSH-në. Para disa kohësh forcat ndjekëse të Sigurimit, në bashkëpunim me popullin, kapën një numër spiunësh diversantë të dërguar për të kryer vepra spiunazhi dhe diversioni në Republikën Popullore të Shqipërisë nga shërbimet e spiunazhit anglez, jugosllav dhe grek. Këta janë Kristo Marko, Muharrem Sulejmani, Ndue Brozi, Sejdi Bajrami, Ahmet Bablusha, Dehar Oshafi, Qaim Xhakja dhe Nue Vuksanaj. Nga hetimet e zhvilluara nga deponimet e tyre dhe nga dokumentet e kapura del se këta spiunë diversantë, armiq të betuar të Republikës Popullore të Shqipërisë, përkrahës të regjimeve antipopullore të së kaluarës dhe të okupatorëve fashistë e veglave të tyre, janë vënë në shërbim të spiunazhit imperialist dhe të drejtuar dhe të udhëzuar prej tij kanë zhvilluar aktivitet subversiv kundër Republikës Popullore Shqiptare. Spiunët e mësipërm janë rekrutuar në të ashtuquajturit kampe të IROS dhe në kampe të Greqisë e Jugosllavisë, ku shërbimet e fshehta imperialiste kanë grumbulluar kriminelë të luftës shqiptarë, ish-agjentë e bashkëpunëtorë të okupatorëve nazifashistë në Shqipëri dhe të organizatave tradhtare “Balli Kombëtar”, “Legaliteti”, të cilët i stërvitnin dhe i përgatitnin për akte spiunazhi e diversioni kundër vendit tonë. Ata janë përgatitur në kurse të posaçme spiunazhi e diversioni në Londër nga spiunazhi anglez, grek dhe jugosllav. Ata janë përcjellë deri në kufi nga oficerë dhe agjentë të këtyre spiunazheve, janë futur në tokën e Republikës së Shqipërisë ku janë përpjekur të kryejnë krime dhe akte diversioni, të mbledhin informata me karakter ekonomik dhe ushtarak, të shpërndajnë material propagandistik dhe të zhvillojnë propagandë kundër rendit shtetëror të Republikës Popullore të Shqipërisë. Imperialistët amerikanë dhe këlyshët e tyre në Ballkan, titistët jugosllavë e monarkofashistët grekë, nuk pushojnë së zhvilluari aktivitet armiqësor agresiv kundër kampit të paqes, demokracisë dhe socializmit dhe sidomos kundër Republikës Popullore të Shqipërisë. Ky aktivitet kriminal bën pjesë në planet e tyre kundër paqes për shpërthimin e luftës. Spiunazhi imperialist, me gjithë disfatat që ka pësuar, vazhdon të dërgojë spiunë diversantë kundër vendit tonë. Ai i përgatit këta në kurse të posaçëm, i mëson si të kryejnë akte terrorizmi, si të mbledhin dhe të dërgojnë informata, si të fshihen. Të tillë janë edhe spiunët diversantë të lartpërmendur. Por as mësimet që u kanë dhënë, as helmi as bomba dhe as sterlinat nuk vlejtën. Vigjilenca e popullit tonë dhe armës së tij heroike të Sigurimit bëri që këta agjentë të urryer të imperializmit, të mos i shpëtojnë syrit të popullit. Organet ndjekëse të Sigurimit, së bashku me popullin, që ruajnë me vigjilencë fitoret tona, i diktuan këta kriminelë, i ndoqën këmba-këmbës, i kapën e i detyruan të dorëzohen dhe i shfarosën duke ua bërë të pamundur që të kryejnë misionin e tyre kriminal. Vdekja ose dorëzimi, ky është fati që u ka përcaktuar populli shqiptar gjithë spiunëve diversantë që dërgohen nga shërbimet e huaja të spiunazhit imperialist dhe të agjenturave të tij. Ashtu siç i ka asgjësuar, ashtu siç asgjësoi edhe spiunët diversantë populli ynë me organet e tij të Sigurimit, duke shtuar dhe mprehur gjithmonë vigjilencën, do të asgjësojnë kurdoherë të gjithë ata që do të guxojnë të ngrenë dorën e paguar nga jashtë kundër Republikës Popullore të Shqipërisë.
U hap gjyqi kundër spiunëve
Dëshmitë e rralla të Ndue Bib Brozit
“Pardje paradite, në orën 9, në sallën e kinemasë ‘17 Nëntori’ u hap gjyqi kundër grupit të spiunëve diversantë”, - shkruan gazeta “Bashkimi”. Salla e kinemasë ku u zhvillua gjyqi ishte mbushur plot me popull. Në një vend të sallës janë vendosur materialet që u janë gjetur me vete të pandehurve, si automatikë, revolverë, pushkë të markave të ndryshme, fishekë, granata, thika e pajisje të tjera si dhe monedha të huaja. Pasi u muar identiteti i të pandehurve, major Mustafa Qilimi njoftoi përbërjen e trupit gjykues dhe pyeti nëse palët kishin për të bërë ndonjë vërejtje në lidhje me të. Mbasi s’pati asnjë kundërshtim, kryetari i dha fjalën prokurorit, i cili lexoi akt-akuzën. Ndër të pranishmit në sallë vihet re një urrejtje e madhe për imperialistët amerikano-anglezë dhe këlyshët e tyre të Beogradit e të Athinës, që janë duke përdorur mjetet më të poshtra për të penguar popullin tonë në punën e tij paqësore për ndërtimin e bazave të socializmit, si dhe për kriminelët e arratisur jashtë shtetit, të cilët, duke vazhduar rrugën e tyre të tradhtisë janë vënë kokë e këmbë në shërbim të imperialistëve për të dënuar popullin dhe atdheun tonë. I pari u mor në pyetje spiuni diversant Ndue Brozi, agjent i spiunazhit anglez. Ai pranon plotësisht aktakuzën dhe pohon se është fajtor kundër popullit dhe atdheut. Me gojën e vet ai tregon para trupit gjykues gjithë aktivitetin kriminal në shërbim të spiunazhit anglez. Ai tregon se dezertoi nga radhët e ushtrisë në Greqi. Në Janinë, thotë ai, u mor në pyetje nga një kolonel grek. Spiuni Ndue Brozi tregon para trupit gjykues se si koloneli grek i mori informata të ndryshme mbi gjendjen ekonomike të Shqipërisë, mbi repartet ushtarake dhe pozicionet që zinin ato si dhe mbi armatimet e repartit ku bën pjesë. Për të gjitha këto informata koloneli përpiloi një proces-verbal, të cilin diversanti Ndue Brozi e firmosi. Pastaj ai tregon se mbasi ndenji 7 ditë këtu, u dërgua në zyrën e Janinës, ku u mor përsëri në pyetje. I pandehuri pohon se si i ashtuquajturi komision i OKB-së, që gjendet në Greqi, bashkëpunon me zyrat e spiunazhit për të rekrutuar agjentë për qëllime spiunazhi e diversioni kundër Republikës Popullore të Shqipërisë. Ai tregon se një oficer i korofillaqisë e shpuri tek ky komision, i cili e pyeti se ku donte të shkonte. “Mbase u thashë se do të qëndroja në Greqi, deklaron spiuni Ndue Bib Brozi, një korofillak me emrin Pietri më shpuri përsëri në burgun e korofillaqisë, ku qëndrova dhe disa ditë të tjera. Pas disa ditësh më dërguan në Burgun e Prevezës dhe më vonë në atë të Patrasit. Prej këtu u transferuam në kampin e Llavros. Këtu kishte dhe shqiptarë të tjerë të arratisur. Jeta në kamp ishte shumë e vështirë, na japin vetëm 400 gramë bukë dhe pa gjellë. Për të jetuar ne duhej të punonim fshehur”.
Pastaj, spiuni Ndue Bib Brozi tregon se si shqiptarët në kamp ishin të ndarë në parti të ndryshme dhe ishin në grindje në mes tyre. Secila nga këto parti ishte e lidhur me nga një agjenturë spiunazhi. Në krye të tyre në kamp ndodheshin agjentë që rekrutonin spiunë, secili për vete. Një farë me Mehmet Aga rekrutonte agjentë për spiunazhin grek, thotë i pandehuri. Ata që nuk pranonin të rekrutoheshin spiunë trajtoheshin shumë keq. Korofollakët i rrihnin me shqelma dhe me dru. Duke folur mbi jetën e kampit ai tregon se shpesh aty vinin dhe atdhetarët e popullit shqiptar, Preng Prevezi, Muharrem Bajraktari etj., të cilët bënin një jetë luksi në Athinë, kurse të tjerët vuanin të zitë e ullirit. Pastaj spiuni Ndue Bib Brozi tregon se si u bë agjent i spiunazhit anglez duke u rekrutuar nga koloneli anglez, Hill. “Kur shkova atje, thotë ai, koloneli Hill më tha se ishte bashkëpunëtor i kriminelit Abas Kupi dhe se gjoja punonte për të mirën e Shqipërisë”. I pandehuri tregon se si koloneli Hill i propozoi të kthehej prapë në Shqipëri me shërbim spiunazhi dhe se si i mori një deklaratë besnikërie gjoja për Komitetin Shqipëria e lirë, por në fakt kjo ishte për spiunazhin anglez. “Mbasi pranova, thotë spiuni Ndue Bib Brozi, koloneli Hill më tha që të kthehem përsëri në kamp dhe të prisja atje. Ai më porositi që të mos t’ia tregoja askujt për takimin dhe bisedimin me të”. Spiuni diversant, Ndue Bib Brozi, tregon pastaj se si armiku i popullit shqiptar e mori nga kampi dhe e shpuri në një shtëpi të mirë në Athinë.
Pergatiti: Matilda Arapi
12 Shkurt 2008