E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimet në Itali, Ambasada Italiane bën publike rregullat

Pas shpalljes së rezultateve të provimit “Celi 3” nis regjistrimi paraprak. Faza e parë, plotësimi i formularëve të aplikimit dhe dokumentet e nevojshme

Jonida Tashi

Ambasada Italiane bën publike rregullat që duhet të ndjekin të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të ndjekin studimet e larta në Itali. Aplikimi për të ndjekur studimet në këtë vend nis me marrjen e provimit të gjuhës italiane “Celi 3”. Në bazë të kalimit të provimit të njohjes së gjuhës italiane do të mund të procedohet më tej në aplikimin për të filluar studimet në universitetet italiane. Marrja e provimit të gjuhës është prova e parë që duhet të kalojë një maturant për të nisur studimet në Itali. Pajisja me certifikatën “Celi 3” i paraprin regjistrimit të tyre në universitetet italiane. Pritet që javën e ardhshme Instituti Italian i Kulturës të bëjë publik për të gjithë aplikantët rezultatet e provimit “Celi 3”. Menjëherë pas shpalljes së këtyre rezultateve, kandidatët për studentë që duan të vazhdojnë universitetin në Itali duhet të nisin fazën e regjistrimit paraprak. Kandidatët për studentë në njërin nga fakultetet italiane fillimisht duhet të plotësojnë formularin e regjistrimit e më pas të marrin në dorëzim një zarf, brenda të cilit do të përfshijnë të gjitha dokumentet e nevojshme. Për këtë, secili prej tyre duhet të paraqitet te kancelaria konsullore e Ambasadës Italiane në Tiranë me disa dokumente, të cilat jo vetëm që duhet të jenë origjinale, por duhen shoqëruar edhe me fotokopje të noterizuar.
Formularët
Formularët e aplikimit për ndjekjen e studimeve në universitetet italiane janë dy: formulari “Modello A” dhe formulari “Autentica di foto”. Në formularin e parë, i cili është më i rëndësishëm, kandidati përcakton se cila do të jetë lënda ku dëshiron të studiojë, qyteti dhe universiteti. Pas plotësimit kandidatët nuk kanë të drejtë të ndryshojnë asgjë nga ato të dhëna që kanë deklaruar me shkrim. Të dy formularët duhet të plotësohen në çdo pjesë të tyre, formulari “Modello A” (në dy faqe), formulari “Autentica di foto” (një faqe). Vetëm pasi t’i keni plotësuar bëni një fotokopje të thjeshtë të panoterizuar për secilin formular: për formularin “Modello A” fotokopje para dhe mbrapa, ndërsa për formularin “Autentica di foto” një fletë. Studentët që e kanë mbaruar shkollën e mesme duhet të dorëzojnë Dëftesën e Pjekurisë në origjinal. Në rast se e kanë humbur atë, duhet të dorëzojnë një vërtetim zëvendësues me fotografi, me notat e të katër viteve, së bashku me ato të provimeve të Maturës Shtetërore. Gjithashtu, Dëftesës së Pjekurisë ose vërtetimit zëvendësues të saj duhet t’i bashkëngjitet edhe mesatarja e katër viteve të shkollës së mesme. Ndërsa kandidatët për studentë, të cilët aktualisht janë në vitin e fundit të shkollës së mesme dhe do ta marrin Dëftesën e Pjekurisë gjatë verës 2009, do të paraqesin vërtetimin me nota, me notat e të gjitha viteve dhe të semestrit në vazhdim, pra të vitit I, II, III dhe semestrit I të vitit IV apo V (varet nga lloji i shkollës që po mbarojnë). Në plotësimin e dy formularëve të mësipërm nevojitet edhe fotokopja e dy faqeve të para të pasaportës, si dhe dy fotografi me ngjyra për pasaportë. Datat e zhvillimit të konkursit do të publikohen më vonë nga Ambasada Italiane, ku kriteri bazë është që studentët ta zotërojnë mirë gjuhën italiane, para se të fillojnë procedurën e aplikimit për të drejtë studimi.
Faza e parë
Studentët brenda juridiksionit të Kancelarisë Konsullore të Ambasadës Italiane në Tiranë, të cilët dëshirojnë të regjistrohen pranë një universiteti italian, duhet të paraqiten personalisht pranë sportelit të kësaj ambasade për të tërhequr formularët e nevojshëm për plotësim, së bashku me udhëzimin e duhur për respektimin e procedurave, si dhe kalendarin sipas të cilit duhet të paraqiten më pas për dorëzimin e dokumentacionit të kërkuar. Për të pasur mundësinë e studimit në universitetet italiane, përveç plotësimit të formularit të Ambasadës, është i nevojshëm edhe plotësimi i dokumentacionit shkollor, i cili duhet te paraqitet brenda afateve që përcakton Ambasada Italiane në vendin tonë. Të dy formularët, të plotësuar në çdo pjesë të tyre, sipas modeleve, “Modello A” (në të dy faqet) dhe formulari “Autentica di foto” (një faqe). Vetëm pasi t’i keni plotësuar, bëni nga një fotokopje të thjeshtë të panoterizuar për secilin formular: për formularin “Modello A” fotokopje para dhe mbrapa, ndërsa për formularin “Autentica di foto” keni vetëm një flete për të fotokopjuar. Theksohet fotokopje të thjeshta, të plota, të panoterizuara për çdo formular. Është e detyrueshme që çdo kandidat, universitetin, fakultetin dhe degën që ka zgjedhur që në fillim dhe që do të shënohen në formularin “Modello A” nuk mund t’i ndryshojë më. Po kështu, për përzgjedhjen e fakultetit dhe degës çdo kandidat mund të informohet edhe në listën e publikuar në adresën e internetit: http://offertaformativa.miur.it/studenti/elenco2008/.
Titulli i studimit
Universiteti, fakulteti dhe dega e përzgjedhur, gjatë plotësimit të formularit nuk mund të ndryshojë më pas, pasi në rast të kundërt do të skualifikoheni. Titulli i studimit duhet patjetër të jetë origjinali i firmosur dhe i vulosur nga Drejtoria Arsimore e Rrethit dhe nga Ministria e Arsimit; më pas, i përkthyer në italisht në çdo pjesë të tij, i noterizuar te noteri dhe në fund i legalizuar në Ministrinë e Jashtme Shqiptare. Vetëm pasi ky origjinal të jetë vulosur nga Drejtoria Arsimore e Rrethit në Ministrinë e Arsimit, të jetë përkthyer, të jetë noterizuar dhe në fund te jetë legalizuar në Ministrinë e Jashtme shqiptare, duhen t’i bëhen 2 (dy) fotokopje të panoterizuara, të kapura veç e veç dhe të gjitha fletët. Fotokopja e plotë e dëftesës, përfshirë mesataren e katër viteve, dy vulat dhe firmat përkatësisht të Drejtorisë Arsimore të Rrethit dhe të Ministrisë së Arsimit, përkthimi i dëftesës, noterizimi te noteri dhe vula e legalizimit në Ministrinë e Jashtme shqiptare, pra më pak fjalë të 2 fotokopjet duhet të jenë të plota dhe të përfshijnë çdo fletë që ka lidhje me Dëftesën e Pjekurisë ose vërtetimin zëvendësues për ata që e kanë humbur këtë dëftesë apo me vërtetimin me nota.

Dokumentet

Kërkesa për regjistrimin paraprak (Modeli A)
Formulari i Autentifikimit të Fotografisë
Dëftesa e Pjekurisë në origjinal
2 fotokopje të formularit A1
2 fotokopje të certifikatës së njohjes së gjuhës italiane (CELI 3)
Origjinali si dhe dy fotokopje të plota të titullit të studimit
Fotokopje e dy faqeve të para të pasaportës
2 fotografi me ngjyra
Dokumentet duhet të futen në zarf mbi të cilin duhet të shkruhet qartë:
Emri dhe mbiemri i studentit
Universiteti, fakulteti, dega e studimit
Numri i telefonit (celular, telefon shtëpie, apo edhe adresë e-mail-i nëse ka)
Mesatarja e notave (për studentët që e kanë marrë Dëftesën e Pjekurisë)

12 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›