Galak: “Reduktimi i KFOR-it, pa ndikim mbi EULEX-in”
“Çfarëdo lloj reduktimi i numrit të ushtarëve të KFOR-it nuk do të ketë asnjë lloj ndikimi mbi EULEX-in”, - kështu është shprehur Kristina Galak, zëdhënëse e shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Havier Solana, në një intervistë. “Unë mund ta them shumë qartë se çfarëdolloj reduktimi i numrit të trupave të KFOR-it në Kosovë nuk do të ketë asnjë impakt mbi EULEX-in. Misioni i BE-së bashkëpunon shumë mirë me KFOR-in dhe ato kanë funksione të ndryshme në Kosovë. Por ata koordinohen në një mënyrë shumë intensive dhe ajo që mund të themi është që të gjitha reduktimet që KFOR-i ka bërë apo ndoshta do të bëjë në muajt e ardhshëm do të bëhen në një mënyrë që kjo gjë të mos ketë asnjë impakt mbi mënyrën se si KFOR-i vepron në terren”, - ka thënë Galak, e cila ka shprehur bindjen se bashkëpunimi mes EULEX-it dhe KFOR-it do të vazhdojë për më të mirën duke përmbushur përgjegjësitë e tij në të gjithë territorin e vendit.
Topolanek: “Nuk rrezikohet Presidenca e BE-së”
Kryeministri çek, Mirek Topolanek, ka siguruar se kriza politike në vend nuk do të kërcënojë Presidencën e BE-së. Çekia ndodhet në mes të mandatit të saj si presidente e radhës e 27 pjesëtarëve të BE-së, por Topolanek ka garantuar se Presidenca nuk do të rrezikohet. Kryeministri mbajti një fjalim në Parlamentin Europian një ditë pas rrëzimit të qeverisë së tij që nuk mundi të merrte votëbesimin e parlamentit, pasi katër deputetë të maxhorancës dezertuan, duke iu bashkuar mocionit të opozitës. “Bllokimi i socialdemokratëve, që ka ndodhur edhe më parë gjatë presidencës sonë në BE, na goditi edhe një herë”, - u shpreh kryeministri Topolanek.
26 Mars 2009