E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kradok: “SHBA-të do të ndihmojnë Kosovën për sigurinë”



Blerina Oldashi
Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndihmojnë Kosovën duke përkrahur iniciativat politike dhe diplomatike për konsolidimin e pavarësisë. Kështu u shpreh kryekomandanti i forcave të NATO-s për Europën, gjenerali Ben Kradok, gjatë një debati para Komitetit për Forcat e Armatosura në Kongresin amerikan. Edhe pse e cilësoi Kosovën si një burim paqëndrueshmërie në Ballkan, Kradok theksoi angazhimin e SHBA-ve për ta ndidhmuar shtetin e ri në rritjen e sigurisë. Sipas tij, Komanda e Forcave të Bashkuara Amerikane dhe NATO-s do të vazhdojnë programet për integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor. E rëndësishme për Kradok është që Kosova të zbatojë rekomandimet që dalin nga plani i Ahtisarit. Temë qendrore në këtë debat ishte dëshmia e gjeneralit të Forcave të Përbashkëta Amerikane, Xhejms Matis, ishte gjendja e misionit të NATO-s në Afganistan, por një pjesë e raportit voluminoz të gjeneralit Kradok i kushtohej misionit të KFOR-it në Kosovë dhe bashkëpunimit ushtarak të SHBA-ve dhe NATO-s me vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjenerali Kradok në raport theksoi se në planin afatgjatë, pala amerikane është e përkushtuar jo vetëm në ofrimin e sigurisë, por edhe në ofrimin e ndihmës konkrete për rirreshtimin e sektorit të sigurisë në Kosovë. Kradok, i cili në vitin 1998 ishte i ngarkuar me përgatitjen e operacioneve fillestare të forcave amerikane në fushatën e NATO-s ndaj Serbisë, tha se Komanda e Forcave të Përbashkëta Amerikane dhe të NATO-s do të vazhdojë programet për integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor. Ai foli edhe për pranimin e Kroacisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë në NATO, bisedimet intensive me Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën, si edhe për përpjekjet për afrimin e Serbisë me Aleancën Veriatlantike. “Të gjithë do të punojmë në mënyrë energjike në përshpejtimin e reformave të sektorit të sigurisë në rajonin e Ballkanit, por edhe për çështjet serioze, siç janë trajnimi i forcave që do të mund të marrin pjesë në operacionet në Irak dhe Afganistan”, - thuhet në raportin e gjeneralit Kradok, i cili ka shtuar gjithashtu se me qëllim të arritjes së një bashkëpunimi më të fortë ushtarak, do të organizohen takime në kuadër të Partneritetit për Paqe, manovrat e përbashkëta, por edhe vizitat e ndërsjella të delegacioneve të larta ushtarake.

26 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›