E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grup ekspertësh të BE-së për kontrollin e sigurisë në Portin e Vlorës



VLORË - Një grup ekspertësh të Agjencisë së BE-së, FRONTEX, për koordinimin e operacioneve për menaxhimin e integruar të kufijve në vendet që aplikojnë për liberalizimin e vizave, zhvilloi dje një vizitë në pikën kufitare në Portin e Vlorës. Drejtori i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit të Qarkut të Vlorës, drejtues Myzafer Elezi, i njohu ata me kushtet dhe standardet e sigurisë në pikën kufitare të portit, si dhe me nivelin dhe punën që bëjnë efektivat për t'iu përgjigjur detyrave në rritje. Ekspertët e FRONTEX u njohën nga afër me sistemin e sigurisë, që funksionon në pikën kufitare të Portit të Vlorës, me mjetet logjistike, me nivelin dhe përdorimin e tyre nga personeli, me kualifikimin e tij, si dhe me shkallën e bashkëpunimit me doganën dhe agjencitë e tjera që operojnë në port. Sipas Elezit, në pikën kufitare të Portit të Vlorës aplikohen standardet bashkëkohore të sistemit të kontrollit, i cili është i kompjuterizuar dhe i kompletuar me elementët e nevojshëm që përdoren në praktikën bashkëkohore për bllokimin e tentativave të trafikimit të drogës, në hyrje-daljet e pikave të kontrollit kufitar. Në sistemin kompjuterik TIMS në Portin e Vlorës janë regjistruar, krahas të tjerash, të gjithë personat e shpallur në kërkim nga Interpoli Ndërkombëtar, automjetet e vjedhura dhe pasaportat e trafikuara në vendet e BE-së. Përmes tij mund të identifikohen dhe të përcaktohen të gjitha tentativat e falsifikimit të dokumenteve të ndryshme, që nevojiten për kalimin apo për qëndrimin në shtete të tjera. Elezi shtoi se të gjitha praktikat në pikën kufitare të Portit të Vlorës kryhen aktualisht nga grupe ekspertësh.

Ushtria në ndihmë të përforcimit të digës së rezervuarit

Kavajë - Forcat ushtarake të xhenios janë përfshirë dje paradite në aksionin për përforcimin e digës së rezervuarit të Sharrdushkut në Komunën Kryevidh, 16 km larg Kavajës. Ky rezervuar një ditë më parë rrezikoi të shpërthente si pasojë e rrëshqitjeve të dherave dhe mosfunksionimit teknik të tubacionit.
Rreth 20 forca ushtarake si dhe mjete të specializuara të xhenios po punojnë për ndërtimin e një ure që do të shërbejë për transportin e lëndëve inerte deri në digë. “Ura e përkohshme, me gjatësi rreth 25 metra, do të mundësojë transportin e materialeve që do të përdoren së shpejti për përforcimin e plotë të digës së rezervuarit të Sharrdushkut”, - bëjnë të ditur burime të prefekturës. Sipas tij: “Gjatë natës duke u gdhirë dita e sotme, ujërat e tepërta të rezervuarit janë derdhur normalisht drejt detit, nëpërmjet kanalit të emergjencës që u hap dje mbi digë nga mjetet dhe specialistët e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Ndërkaq, banorët e fshatrave Spille dhe Greth i Mesëm, të cilët u evakuuan për arsye sigurie, vazhdojnë të qëndrojnë të strehuar në shtëpitë e fshatrave Spanesh dhe Kazie.
Rezervuari me kapacitet 1 milion metër kub ujë është ndërtuar në vitet 1970.

26 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›