Serbët: UNMIK-u mund të shpërbëhet, por jo Rezoluta 1244
Ndërsa Prishtina zyrtare pret që Këshilli i Sigurimit të OKB-së të miratojë shpërbërjen e UNMIK-ut dhe të Rezolutës 1244, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës janë shprehur se Rezoluta duhet të mbetet në fuqi dhe të zbatohet. Kërkesa e institucioneve të Kosovës drejtuar Këshillit të Sigurimit për t’i dhënë fund mandatit të misionit të UNMIK-ut vlerësohet në mënyra të ndryshme nga ana e serbëve të Kosovës. Ndërsa një pjesë e politikanëve serbë e konsideron të papranueshme shpërbërjen e UNMIK-ut, pjesa tjetër e këtij komuniteti thotë se UNMIK-u mund të përfundojë misionin, por nuk mund të quhet e pavlefshme Rezoluta 1244. Qeveria dhe institucionet e tjera të Kosovës kanë adresuar tashmë kërkesën që UNMIK-u të shpërbëhet dhe Rezoluta 1244 të mos merret më parasysh, pasi vlerësohet se ky dokument nuk mund të gjejë më zbatim në Kosovën e pavarur, e cila funksionon në bazë të Kushtetutës së saj. Edhe sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Mun, ka bërë me dije vendet anëtare të KS-së se Rezoluta 1244 tashmë po sfidohet, sepse institucionet e Kosovës duan që të funksionojnë si një shtet sovran.
Ministri Miloshoski uron Greqinë për ditën e pavarësisë
Shefi i Diplomacisë maqedonase, Antonio Miloshoski, uroi dje Greqinë në ditën e saj të pavarësisë. Miloshoski tha për gazetarët se urimi bëhet në shenjë respekti të dinjitetit kombëtar dhe se “nuk kërkojmë asgjë më shumë përveç se respektit të njëjtë të dinjitetit kombëtar dhe pavarësisë së vendit tonë". Lidhur me nismat që Maqedonia i rekomandoi Greqisë para pak kohësh, mes të cilave dhe krijimin e një komisioni të përbashkët arsimor-historik, Milloshoski informoi se, ende nuk ka përgjigje dhe se pret që në një të ardhme të afërt “të marrim një përgjigje serioze të kësaj inicative serioze”. “Konsideroj se inciativa të tilla do të sjellin mirëkuptim reciprok dhe shmangien e disa keqkuptimeve të panevojshme në të ardhmen. Në këtë mënyrë do të japim një kanal plotësues për komunikim në nivel ekspertësh me përkrahje politike”, - tha Miloshoski.
26 Mars 2009