E Shtunë, 31 Tetor 2026

Galaksi, 8 mln ¤ për Dinjon, Ibra në pritje

Oferta amerikane hap skenarë të rinj të merkatos kuqezi

Milani ndodhet
nën sulmin e
skuadrave të ndryshe në botë, të cilat kërkojnë t'u vjedhin kuqezinjve talentet e tyre. Nëse Reali i Madridit as që ka ndërmend të heqë dorë nga sulmi për mbrojtësin Tiago Silva, së fundmi një sinjal të qartë ka dhënë edhe klubi amerikan i Los Anxheles Galaksi, i cili kërkon me çdo kusht në skuadrën e tij për sezonin e ardhshëm, Ronaldinjon. Sipas asaj që thekson media italiane, kalifornianët, të cilët fillimisht besonin se mund t'ia rrëmbenin fantazistin brazilian Milanit pas shpenzuar asnjë euro, tashmë janë gati të paguajnë për të bërë të tyrin numrin 80 të skuadrës italiane. Për këtë arsye drejtuesit e Los Anxheles Galaksi kanë paraqitur dje në selinë e Milanit një ofertë zyrtare prej 8 milionë eurosh për të blerë kartonin e Ronaldinjos, pavarësisht se në ditën e parë të grumbullimit të Milanit, presidenti Silvio Berluskoni ishte shumë i qartë në deklaratën e tij: "Ronaldinjo është i pashijshëm! Unë kam një pakt personal me të". Por nga ana tjetër, jo gjithmonë fjalët e Berluskonit janë për t'u besuar, ashtu sikurse tregon edhe historia në të kaluarën. Numri një i Milanit së bashku me bashkëpunëtorin e tij më të afërt, Adriano Galiani, janë të vjetër në këtë zanat dhe e dinë mirë se nëse dëshira e dikujt mohohet fillimisht, "uria" për ta realizuar atë sa vjen e bëhet më e madhe. Por për më shumë, nga Amerika theksojnë se drejtuesit e Los Anxheles Galaksi pritet të vijnë në ditët e ardhshme në Milano, të shoqëruar nga një njohje e vjetër e kuqezinjve, Devid Bekham. Ka qenë pikërisht ai njeriu që i ka këshilluar kalifornianët të sjellin Ronaldinjon në Amerikën e Veriut. Me brazilianin në skuadrën e tyre, Los Anxheles Galaksi do të kishte mundësinë që në sezonin e ri të dyfishonte sponsorët në klubin e saj dhe interesimin e tifozëve në shkallët e stadiumit. Dhe duke parë që në javët e kaluara Milani kishte deklaruar se për Ronaldinjon kërkonte minimalisht 10 milionë euro për ta lënë të lirë, Galaksi dje ka ofruar 8, me shpresën se kjo shifër mund të bindë Galianin dhe Berluskonin, të cilët tashmë do të kishin në dorë disa pará për t'i investuar në objektivin e tyre parësor të merkatos, Zlatan Ibrahimoviç. Mbase oferta e mbërritur në Milano nga amerikanët për Ronaldinjon shpjegon më qartë thashethemet, ku sepse media spanjolle dhe ajo italiane flisnin për kontakte të fshehta mes Ibrës dhe Berluskonit. Ndoshta me 8 milionë euro në dorë, Galiani do të kishte mundësinë të bindte Barcelonën që fillimisht të merrte për një sezon në formën e huazimit sulmuesin suedez. Nga ana tjetër, presidenti i Barcelonës, Sandro Rosel, do të ishte i lumtur që t'ia huazonte Milanit Zlatanin, pasi kështu do të kursente 12 milionë eurot që përfiton në vit suedezi, me shpresën se nëse Ibra do të shkëlqejë në Serinë A, Barcelona në fund të sezonit të ardhshëm mund të arkëtojë 40 milionë euro nga shitja përfundimtare e lojtarit te kuqezinjtë. Natyrisht që një lajm i tillë është gjithsesi shumë më i besueshëm se ai i telefonatës personale që Ibrahimoviç i kishte bërë dy ditë më parë presidentit Silvio Berluskoni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›