E Diel, 1 Nëntor 2026

Ja futbollistët që largohen nga Tirana

12-14 lojtarë të pa miratuar nga Halili mbeten pa kontratë

Të gjithë lojtarët që nuk kanë marrë mi
ratimin nga presidenti i klubit, Refik Halili, pritet të largohen nga Tirana ende pa filluar sezoni i ri futbollistik. Lajmi është konfirmuar në fakt që dy ditë më parë nga vetë njëshi bardheblu, ndërsa sot “Panorama Sport” publikon emrat e mundshëm të atyre që mund të largohen nga klubi. Përgjithësisht janë futbollistë që kanë ardhur te Tirana gjatë merakos së verës, me “bekimin” e shefit të klubit Dimraj, i cili në rastin konkret te Tirana ka bërë përgatitësin atletik, shefin e klubit, trajnerin (u akuzua direkt nga Starova për bërjen e listës së lojtarëve, për fazën përgatitore, gjë që i takon trajnerit), madje edhe presidentin përderisa ka firmosur kontrata nga një deri më tre vjet me disa lojtarë. Ndërkohë që, i ngarkuar nga kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, për ndërtimin e një skuadre cilësore ka qenë vetëm Refik Halili, i cili duhet të mbajë edhe përgjegjësitë në rast të dështimit të bardhebluve për këtë sezon.
Lojtarët
Duke filluar nga portieri Ilion Lika, i pari në listën e largimeve nga Refik Halili, për të vazhduar me Erion Dushkun, Rrahman Hallaçin, Oriand Abazajn, Julian Ahmatajn, Gentian Gjondedën e disa lojtarë të rinj, që të gjithë mendohet se nuk do të jenë pjesë e skuadrës pas fundit të fazës përgatitore e cila përfundon pikërisht sot. Asnjëri prej tyre nuk ka marrë miratimin e Halilit, duke firmosur kontratat e tyre vetëm me Dimrajn. Ndërkaq, sipas marrëveshjes të para disa ditëve, por jo e përcaktuar nëpërmjet një marrëveshjeje kontraktuale, kontratat e futbollistëve për të qenë të vlefshme duhet të kenë jo vetëm firmën e Dimrat si shef klubi, por edhe atë të Halilit si president dhe financuesi i vetëm i Tiranës.
Përplasjet
Polemika mes disa lojtarëve për kontratat dhe shefit Dimraj ka pasur edhe para tre ditësh gjatë fazës përgatitore në Pukë. Sipas disa prej futbollistëve, ata janë vënë nën presion nga shefi i klubit për të firmosur kontrata e tyre 3-vjeçare, të ofruara nga ky i fundit. Vetë lojtarët kanë dashur që më parë të flasin me presidentin e klubit. Arsyeja qëndron më së shumti te klauzola që kërkohet në kontratë. Lojtarët duan që të kenë mundësi të largohen nga skuadra menjëherë, pa pasur asnjë lloj detyrimi nëse kërkohen nga një klub i huaj, por kjo gjë nuk është pranuar nga Dimraj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›