E Shtunë, 31 Tetor 2026

Magjia e Del Pieros, Juventusi "OK

Kapiteni bardhezi shënon me një goditje dënimi fantastike, golin e vetëm të ndeshjes

Ashtu siç pritej, Juventusi avancon në "play-off"-et e Ligës së Evropës, pasi natën e djeshme në Modena (stadiumi i Torinos, ishte i zënë nga koncerti i grupit 'U2') fiton edhe ndeshjen e dytë kundër irlandezëve të Shamrok Rovers. Pas fitores me rezultatin 2-0 në sfidën e parë të luajtur në Dublin, dje torinezët kanë arkivuar kualifikimin falë një goli të magjishëm të kapitenit Alesandro Del Piero. Pikërisht numri 10 i Juventusit, ishte ai që ndryshoi fytyrën e ndeshjes. Edhe pse e nisi takimin nga pankina, 35-vjeçari ka ndriçuar ndeshjen me klasin e tij, pasi në pjesën e dytë zuri vendin e brazilianit Diego. Por me një goditje dënimi fantastike nga 30 metra, e cila përfundon në trekëndëshin e portës së mbrojtur nga Manus, Alesandro Del Piero i dhuron një tjetër sukses skuadrës së tij. Por "pinturikio" shkon fare pranë dopietës së tij me një tjetër goditje të bukur në zonë dhe një tjetër me kokë, por në fund rezultati i ndeshjes mbetet në 1-0, me një Del Piero që tregon shenja jete. Për t'u shënuar është fakti se kjo ndeshje është kondicionuar nga një shi i dendur në pjesën e parë, i cili e dëmtoi shumë terrenin e lojës dhe nuk i lejoi skuadrat të luanin ashtu siç e kishin parashikuar. Gjithsesi, e rëndësishme është që Juventusi kualifikohet dhe ditën e sotme do të njihet me rivalen e saj të radhës në Ligën e Evropës, pas shortit që do të hidhet sot në Nion të Zvicrës.
Xhixhi Del Neri - Në fund të ndeshjes së djeshme, trajneri Xhixhi Del Neri është shumë i kënaqur nga paraqitja e bërë nga lojtarët e tij, por mbi të gjitha, ai ka përgëzuar Del Pieron për golin e shkëlqyer të shënuar. "Jam shumë i kënaqur nga loja që djemtë e mi shfaqën në fushën e lojës. Kushtet meteorologjike nuk na favorizuan, por gjithsesi, pashë një skuadër shumë aktive në fushë, pavarësisht terrenit të rënduar. Dualizmi Diego-Del Piero? Absolutisht jo. Unë kam pesë sulmues në dispozicion dhe të gjithë, apo më saktë, kush do ta meritojë do të luajë në sezonin e ardhshëm, i cili parashikohet të jetë shumë i gjatë për ne. Unë jam i bindur që të gjithë kur të thërriten në apel do të jenë të gatshëm. Diego? Pati shumë vështirësi në një terren të rënduar dhe në fund të pjesës së parë ishte shumë i lodhur. Për këtë motiv hodha në fushë Del Pieron, sepse përndryshe do të kisha vazhduar të luaja me brazilianin. Për Alesandron e di që tek ai mund të mbështetem gjithmonë, sepse vlerat e tij nuk po i zbuloj sot. Dhe ashtu siç unë e prisja, ai ma shpërbleu në mënyrën më të mirë të mundshme", tha trajneri Del Neri pas ndeshjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›